nga Admin

17 Mars, 2009

Shtepia e Mallit, Eqrem BashaJanë 12 tregime dhe 4 skica të shkrimtarit të njohur kosovar Eqrem Basha, të cilat botohen për herë të parë nga shtëpia botuese Ideart. Libri me titull Shtëpia e Mallit vjen pranë lexuesit me një seri tregimesh që janë të ndarë në disa cikle.

I pari titullohet Ëndërr dhe përmban Baladë dashurie, Çelësi i ëndrrës, Një zgjim i zakonshëm, Piktori. Cikli tjetër titullohet Memento dhe përmban Vdekja e plakës, Pasditja e gruas me të zeza, Kukulla, Shtëpia e mallit. I treti titullohet Parakoha me tregimet Teatri i leckaportit, Ligaçët, Xhambedeira. Ndërsa skicat vijnë në ciklin Katër Pllakate dhe i përkasin periudhës kohore 1981-1990. Shpresa, Më i vogli qeshte, Regjimenti dhe Bardhi, janë pjesë e këtij cikli. Eqrem Basha me krijimtarinë  tij i ka ofruar përherë lexuesit një vështrim qytetar mbi realitetin dhe shijon absurditetet e jetës së përditshme, shprehet Robert Elsie për shkrimtarin.

Eqrem Basha (Dibër, 1948) – poet, tregimtar, romancier, skenarist, kritik i arteve figurative, përkthyes nga frëngjishtja, italishtja e gjuhët sllave dhe botues (Dukagjini, Pejë), është autor i dhjetë vëllimeve me poezi, katër vëllimeve me tregime dhe tri romaneve (i treti në dorëshkrim).

Poezia e tij është përkthyer në dhjetëra gjuhë, në revista dhe antologji të ndryshme, por edhe në vëllime të veçanta me poezi të zgjedhur në gjuhën angleze (SHBA) dhe polake (Seyni).  Shtëpia e njohur frënge Fayard në vitin 1999 botoi një vëllim me tregime të zgjedhura (Les ombres de la nuit Hijet e natës) që pati mjaft jehonë në shtypin frëng dhe i hapi rrugën e pjesëmarrjes në shumë takime e festivale europiane të letërsisë.

Është dëm i madh të presësh një aktualitet tragjik për të njohur një prozë kafkiane dhe këtë shkrimtar pesëdhjetëvjeçar, shqiptar i ardhur nga Maqedonia që jeton në Prishtinë, shkroi asokohe gazeta prestigjioze pariziene Le monde, ndërsa Andre Clavel, në Lexpress e quajti një muskuter i ri i letrave shqipe, fabulat çjerrëse duan ta rikthejnë mbarë një botë që është përmbysur.

Eqrem Basha është gjithashtu mjaft i njohur edhe si përkthyes. Ai ka sjellë në shqip vepra të njohura të Sartrit, Kamysë, Joneskos, Beketit (kryesisht në gjininë e dramës), A. Malraux, etj.

Basha është autor i një antologjie të teatrit frëng të shekullit XX me 15 autorë të shquar, si dhe i një monografie të skulptorit Agim Çavdarbasha. Puna e gjatë në Televizionin e Prishtinës (deri në korrik të vitit 1990, kur u dëbua me dhunë) e ka orientuar edhe në botën e filmit dhe televizionit, kryesisht si skenarist.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>