30 Shtator, 2019

Përshëndetje miq,

Këtu më poshtë po ju japim një informacion të përmbledhur mbi botimet e reja që kanë ardhur në librarinë tonë gjatë muajit shtator.

Botimet e reja

Disa nga librat e dalë në qarkullim gjatë shtatorit 2019

Nobelisti i vitit 2017 Kazuo Ishiguro, i njohur për romanet Mos më lër të shkoj dhe Dita e mbetur, vjen në shqip me romanin e tretë, Gjiganti i fjetur, një reflektim i hollë dhe melankolik për kujtesën dhe harresën, si dhe për rolin që luajnë ato jo vetëm në jetën e individëve, por edhe në atë të vendeve e popujve. Ky është një libër për kujtesën kolektive dhe mënyrën se si bashkëjetojnë shoqëritë luftarake me ngjarjet traumatike.

Si gjithë anëtarët e bashkësisë së tyre, Akseli dhe Beatrisi një çift pleqsh, vuajnë nga amnezia e thellë kolektive, që ata e kanë quajtur “mjegull”. Ndonëse mezi arrijnë të kujtojnë copëza të së shkuarës, ndiejnë se dikur kanë pasur një djalë. Dy pleqtë nisen në kërkim të djalit të tyre në një rrugëtim përmes tokash të mbuluara nga një mjegull e dendur, që u ngatërron e u fshin kujtimet. Ky roman vjen me përkthimin e Parid Teferiçit. Lexo më shumë: Gjiganti i fjetur

Filozofi francez Jean – Jacques Rousseau, i njohur për Kontratën Sociale, një traktat mbi qeverisjen që vijon të peshojë mbi të menduarin politik të kohës sonë, vjen me veprën Rrëfimet.

“Rrëfimet” është një nga veprat më të njohura e të lexuara të Rousseau-it. Ajo ka shërbyer si model i shumë e shumë autobiografive të mëpasme, dhe mbetet një nga kryeveprat botërore të këtij zhanri. Libri është sjellë në shqip nga Feride Papleka. Lexo më shumë: Rrëfimet, Jean – Jacques Rousseau

Publicisti Mustafa Nano vjen me librin Provocateur. Mustafa Nano ka zgjedhur të intervistojë Mustafa Nanon. Qasja është në këtë rast provokimi i parë i librit. Edhe pse kushdo mund të lakmojë t’ia drejtojë vetë pyetjet vetes, dalja hapur në vetintervistim nuk është kaq rrethanë e lakmuar. Në këtë pozitë të sikletshme e vë veten autori i këtij libri, ndërsa i lejon pra vetes të provokojë veten. Lexo më shumë: Provocateur.

Gjigandi i letërsisë amerikane të viteve ’20, Francis Scott Fitzgerald, i njohur për kryeveprat Getsbi i Madh dhe E magjishme është nata, vjen në shqip me romanin Të bukur dhe të mallkuar.

Botuar për herë të parë më 1922, është romani i dytë i shkrimtarit F. Scott Fitzgerald. Ai eksploron dhe portretizon shoqërinë e lartë amerikane nëpërmjet dy personazheve, aspirantët aristokratë të Periudhës së Jazz-it, Antoni dhe Gloria Paç. Romani është sjellë në shqip nga Alina Karaulli. Lexo më shumë: Të bukur dhe të mallkuar.

Klasikja e romaneve policeske Agatha Christie vjen në shqip me romanin Portret i papërfunduar, me përkthimin e Edon Qesarit.

Nga letërsia shqipe, shkrimtari Rexhep Ferri vjen me romanin Portret në Monedhë.

Studimet e historianit Kristo Fashëri vijnë me një botim voluminoz Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe Vepra 1405-1468.

Autori e ka konceptuar hartimin e kësaj monografie mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, të lidhur edhe me paraqitjen e burimeve historike dokumentare të shek. 15, dokumente bashkëkohëse të Heroit, që fillojnë me kohën e Gjon Kastriotit dhe mbarojnë me vdekjen e Skënderbeut. Lexo më shumë:  voluminoz Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe Vepra 1405-1468.

Shtëpia e Librit solli dy libra gjatë shtatorit, Zhurma e Kohës nga  Julian Barnes dhe Hanibali, kapërcimi i Alpeve dhe beteja e Trebias, nga Livi.

Zhurma e kohës sjell për lexuesin jetën dhe dilemat e kompozitorit të jashtëzakonshëm sovjetik Dmitri Shostakoviç si dhe marrëdhënien e vështirë të artit me pushtetin tiranik të Stalinit. Ai është bërë një nga librat e shumëshitur në libraritë e Tiranës. Lexo më shumë: Zhurma e kohës

Historiani i lashtësisë romake Tit Livi vjen në shqip për herë të parë. Ne zgjodhëm nga vepra e madhe e Livit librin që flet për kapërcimin epik të Alpeve nga ushtria e Hanibalit dhe betejat e para të mëdha të një prej përplasjeve më të mëdha mes perandorive të lashtësisë. Lexo më shumë: Hanibali.

Për të parë të gjithë librat e rinj apo të vjetër të shtuar në katalogun tonë, ju lutem vizitoni këtë link.

Në fund, blogu i Shtëpisë së Librit është pasuruar me shkrime të reja.

#Leximigjate

Si u përdor arti për pushtet nga patronët e pasur në Rilindjen Italiane?

Lexo më shumë:

#Historia

Korporata e e parë globale ishte edhe më e keqja

Një historian bashkëkohor britanik na shpjegon se si një korporatë private pushtoi Indinë përmes përdorimit të dhunës në nivele të paimagjinueshme. Lexo më shumë:

Si u përballën njerëzit e lashtësisë me tërmetet?!

Të goditur nga tërmetet e shkaktuara nga vullkani Vezuv, banorët e Pompeit zhvilluan disa nga teknikat më të hershme të ndërtimit, të afta për t’i bërë ballë zemërimit të perëndisë Vullkan. Ky është edhe një nga shkrimet më të lexuara te ne për muajin shtator. Lexo më shumë:

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>