nga Admin

28 Tetor, 2013

Dy studiues amerikanë kanë demonstruar se Ana Karenina, përveçse është një libër i shumëshitur, ndihmon edhe në teorinë e mendjes, ose në kapacitetin e të kuptuarit të mendimeve të të tjerëve

Komunikim

ROSITA RIJTANO, Repubblica

Ana Karenina , vellimi i pare, L.TolstojNëse do të lexosh mendimet e të tjerëve nuk hyjnë shumë në punë djallëzitë mekanike: por leximi i një romani të mirë, të ndihmon. Hiq dorë nga librat me mendime të thella, nuk të hyjnë në punë nëse ke këtë qëllim, harro “Pesëdhjetë hijet e Greit”, është një libër dëfryes, por sigurisht nuk të ndihmon shumë në procesin e të kuptuarit të të tjerëve. Dhe ki parasysh se pas këtyre konkluzioneve nuk qëndrojnë këshillat letrare. Në fakt, është shkenca ajo që e thotë.

Studimi

Dy studiues amerikanë kanë demonstruar se netët e kaluara mbi faqet e Ana Kareninës, jo vetëm që janë të këndshme, por edhe ndihmojnë në rritjen e aftësisë për të kuptuar mendimet, emocionet dhe qëllimet e atyre që ke përreth.

Tolstoi e mposht E.L. Xhejms (James) një me zero. Nëse kjo nuk ndodh në raftet e librarive, së paku ndodh në eksperiencën jetësore. Është një lajm i madh. Veçanërisht për këdo që prej vitesh e ka kuptuar efektin e letërsisë së mirë në marrëdhëniet njerëzore, pavarësisht se nuk ka arritur ta demonstrojë pse.

“Jam impresionuar nga fakti që kemi marrë rezultate në një përqasje eksperimentale dhe jo konjiktive”, komenton psikologia kanadeze, Keit Oatlej (Keith Oatley), e Universitetit të Torontos për revistën Science që ka publikuar studimin. Dhe kolegu i saj, Rajmond (Raymond) Mar shton: “Ekzistojnë shumë mënyra për të përmirësuar këtë kapacitet dhe aspekte të ndryshme ndikojnë njerëzit në mënyra të ndryshme.

Por të dhënat e mbledhura nga Emanuele Kastano (Castani) dhe Dejvid Korner Kid(David Corner Kidd) flasin qartë: më shumë lexim të letërsisë është mjeti më i mirë për të rritur aftësinë tonë për atë që quhet “Teoria e Mendjes”, e cila na lejon të parashikojmë nëse personi përballë nesh është gati për të na dhënë një puthje apo një shpullë. Pra është me leverdi të rrisim aftësinë tonë për të shmangur situatat e sikletshme dhe ta bëjmë këtë duke shpenzuar më shumë kohë për kulturë.

Kjo është një aftësi që fitohet duke u zhytur në botën e personazheve të përshkruar me detaje. Bëhet fjalë për personazhe pozitive, negative, që ndryshojnë, ato me rëndësi dhe të dorës së dytë. Ti mund të përjetosh aventurat e tyre, të kuptosh ide, gjendje shpirtërore apo edhe të parashikosh se si do të rrjedhin ngjarjet.

Kalimi nga bota imagjinare tek ajo reale është e menjëhershme. Mendja ndryshon, por zemra stërvitet. Intuita forcohet.

“Por jo të gjithë librat kanë këtë fuqi”, shpjegojnë shkencëtarët. “Vetëm romanet”. Dhe natyrisht jo të gjithë romanet. Duhet të përjashtohen të ashtuquajturat “librat rozë”. Aty ka personazhe shumë lehtë të parashikueshme me dinamikë të thjeshtë, sipas studiuesve dhe nuk ndihmojnë për të informuar neuronet tona për shkak të përdorimit të lartë të stereotipave që janë shumë të njohur për ne dhe shumë të thjeshtë në krahasim me njerëzit realë.

Dy shkencëtarët kryen pesë eksperimente për të dalë në këto konkluzione. Fillimisht gjetën vullnetarë për të lexuar diku mes dhjetë dhe pesëmbëdhjetë faqe nga “kryeveprat letrare”, qofshin këto tregime të shkruara nga Anton Çehov apo libra të shumëshitur të kohës tonë si Daniel Still (Danielle Steel). Pasi mbyllën librat, vullnetarët hynë në testin e fuqisë së “leximit” të mendimeve, jo thjeshtë të fjalëve: Metoda e përdorur: Analiza diagnostikuese e saktësisë joverbale 2, tek e cila shihet fytyra e një personi për dy sekonda dhe interpretohet pamja e marrë duke mbajtur shënim nëse bëhet fjalë për një fytyrë të gjallë, të trishtë, të zhgënjyer apo të zemëruar. Ky është leximi i mendjes. Pra leximi i mimikës për të kuptuar emocionet e shprehura.

Rezultati? Të dyja grupet kanë marrë pikë më të larta në aftësinë e vet për të lexuar mendjen në krahasim me grupin e testit që nuk pati lexuar libra apo që pati lexuar libra filozofikë. Por nga këto, lexuesit e romaneve, ata që patën mundësi të lexojnë Çehovin, mposhtën bindshëm ata që lexuan Daniel Still.

“Nuk është çështje përmbajtjeje më shumë sesa çështje procesi”,  sqarojnë dy studiuesit. “Lexuesit e romaneve të konsideruara të nivelit të lartë mbështeten te burime interpretuese më fleksibël”.

Është e qartë se metaforat gjuhësore aktivizojnë pjesë të ndryshme të trupit të cilave u referohen.

Leximi i letërsisë së mirë, ndonëse mund të duket një proces më i lodhshëm sesa librat e lehtë, kanë aftësi të të ndihmojnë për komunikimin tënd në botën reale shumë më tepër sesa librat e lehtë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>