nga Admin

10 Tetor, 2013

Sot, Akademia Suedeze shpall fituesin e çmimit Nobel në letërsi/ Shkrimtarja kanadeze Alice Munro dhe ai japonez, Haruki Murakami, ndër më favoritët… Ndër emrat e komentuar në media si fitues të mundshëm, edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare

“Nuk dua të jem vetëm”. Vetëm një vit më parë, Alice Munro, shkrimtarja e njohur kanadeze i shkruante kështu, botuesit të saj. Mbretëresha e prozës së shkurtër, gruaja që gjatë gjithë jetës kishte shmangur çdo lidhje të gjatë dashurore, që do ta pengonte për të shkruar, tashmë kishte frikë nga vetmia. Në moshën 82-vjeçare, Alice, shkrimtarja me flokët e bardha të shkurtra thotë se nuk mund të shkruajë më. Për kritikën por dhe për lexuesit e saj besnikë, ky është një lajm i trishtueshëm. Pavarësisht orëve jo të bukura që po kalon në jetën e saj, Alice Munro ka qenë deri në orët e vona të ditës së djeshme si kryesuesja e basteve, për çmimin Nobel në Letërsi për 2013-n. Akademia Suedeze ka njoftuar dje në faqen e saj zyrtare se fituesi i çmimit të madh në letërsi do të shpallet sot në orën 13:00. Njëzetekatër orët e fundit para ndarjes së këtij çmimi, që duhet të jetë vulosur në zarfin e jurisë së çmimit Nobel, gazetat në të gjithë botën, por dhe lokalet e mëdha të basteve vijojnë të hedhin kandidaturat e mundshme. Ky vit shënjon dhe 100-vjetorin e krijimit të kësaj Akademie, e cila pritet të kurorëzohet me një mbrëmje të madhe ceremonie më 10 dhjetor, ku tradicionalisht ndahen çmimet te fituesit. Pas kanadezes Alice Munro, ndër emrat më të favorizuar për këtë çmim është dhe shkrimtari japonez Haruki Murakami. Pas tij vijnë shkrimtarja ruse Svetlana Aleksijevitj dhe shkrimtarja amerikane Joyce Carol Oates. Në listën e pretendentëve këtë vit është dhe shkrimtari kenian, Ngugi Wa Thiong’o. 75-vjeçari prej vitesh përmendet si një nga kandidatët e këtij çmimi. Një kandidat i përhershëm dekadën e fundit është dhe shkrimtari amerikan Philip Roth. Fitues i çmimit Asturias (2012), apo Pulitzier, tashmë 80 vjeç Roth, është mësuar me emrin e tij mes kandidaturave të çmimit Nobel çdo vit. Jo vetëm në SHBA, por edhe në Europë, kritika ka qenë në krah të Roth për këtë çmim, pavarësisht toneve pesimiste që shumë media kanë pasur mbi mundësinë që çmimi këtë vit të shkojë në Amerikë. Sinclair Lewis ishte shkrimtari i parë amerikan, i cili u vlerësua me çmimin Nobel në letërsi në vitin 1930, pas tri dekadash jete që kishte ky çmim. Pas Lewis, dhjetë shkrimtarë të tjerë amerikanë e kanë marrë çmimin Nobel, por për kritikën kjo nuk do të thotë se një tjetër shkrimtar amerikan nuk duhet ta marrë këtë çmim. Ndër kandidatët e përmendur nga media për këtë çmim është dhe shkrimtari hungarez Peter Nadas dhe dramaturgu norvegjez Jon Fosse. Poeti Adonis është një tjetër i lakuar në media. Kritiku Carolyn Kellogg thotë se “Adonis është një kandidat i fortë për të fituar Nobel-in këtë vit. Konsiderohet si një nga poetët e mëdhenj të kohës sonë, Adonis në mënyrë kreative i sfidon format dhe traditat e poezisë arabe, avancimin dhe zgjerimin e mundësive të saj. Ai ka pasur një tendencë për të vënë në pikëpyetje dogmën politike, e cila, nganjëherë, e ka vënë atë në kundërshtim me kolegët e tij, por flet për një vendosmëri që të arrijë përfundimet e veta”.

Por pyetja që është ngritur dje nga specialistë të letërsisë, është “a do të befasojë edhe këtë vit Stokholmi?”. Duke sjellë në kujtesë ndarjen e çmimeve vitet e fundit, ku fituesi ka qenë një surprizë jo vetëm për qendrat e basteve, por dhe për kritikën, nuk është e çuditshme që emri që do të lexojë sot Akademia e Nobelit, të mos jetë asnjë nga ata që kanë mbushur faqet e kritikës këto ditë.

 

[callout]Nobel-i 100 vjet

Që nga viti 1901-2012 janë dhënë gjithsej 105 çmime Nobel në letërsi, prej tyre 12 kanë qenë gra që e kanë fituar këtë çmim, 4 çmime deri më tani sa janë fituar, kanë qenë të ndara në mes dy personave; 42 vjeç ishte mosha më e re e laureatit për këtë çmim; ndërsa mosha më e vjetër, 88 vjeç, ajo ishte Doris Lessing e cila u nderua me çmimin Nobel në vitin 2007. Ndërkaq 64 është mosha mesatare e laureatëve për çmimin Nobel në vitet e nominuar për Nobel. Laureatët më të popullarizuar të letërsisë janë: John Steinbeck, Rabindranath Tagore, Ernest Hemingway, William Faulkner, Seamus Heaney, Gabriel García Márquez, Winston Churchill, Pablo Neruda, William Golding dhe Albert Camus.[/callout]

Stokholmi dhe Kadare

Alda Bardhyli (Gazeta SHQIP)

A do ta lexojë Stokholmi sot emrin e Ismail Kadaresë si fitues të çmimit Nobel në letërsi? A do të udhëtojë çmimi i madh i letrave në vendin që ka vetëm dy dekada që është ndarë nga një prej regjimeve totalitare më të mëdha në Ballkan? A do t’i japë Akademia Suedeze medaljen e merituar, një shkrimtari që përmes librave që shkroi, i tregoi Perëndimit se diktaturat nuk mund ta mbysin shpirtin njerëzor? Në 100-vjetorin e kësaj Akademie, a do ta vlerësojë ajo letërsinë e një vendi, i cili sapo i ka kaluar 100 vite shtet? Prej më shumë se dy dekadash, Kadare është kandidat për këtë çmim. Çdo fillimtetori adhuruesit e librave të tij, por dhe kritikë të letërsisë, e kthejnë vështrimin nga Suedia duke menduar se do të japë verdiktin e duhur. Duke pasur parasysh fituesit e çmimit Nobel, të paktën dhjetë vitet e fundit, shumë fansa të Kadaresë e kanë ulur vështrimin nga Stokholmi. Pas austriakes Elfride Jelinek më 2004-n, Harold Pinteri më 2005-n, Orhan Pamuk më 2006-n dhe anglezes Doris Lessing më 2007-n, fituesit e çmimit Nobel deri tek ai i Mo Yan një vit më parë, nuk mund të krahasohen me letërsinë e shkruar nga Kadare. Ajo çfarë i ka bashkuar shkrimtarët që janë vlerësuar me këtë çmim këto pesë vitet e fundit, ka qenë e shkuara e tyre e errët. Letërsia e Herta Muller, fituese e çmimit Nobel në letërsi më 2009-n, ishte pothuajse e panjohur në të gjitha vendet anglishtfolëse. Ajo çfarë e bënte interesante këtë shkrimtare rumune, e cila kishte emigruar në Gjermani, ishte moskompromisi që ajo kishte bërë për të bashkëpunuar me regjimin komunist. Jean-Marie Gustave, fitues i çmimit më 2010-n, ishte i panjohur dhe për vetë francezët. Mo Yan, ndryshe nga Muller, ishte një shkrimtar që vazhdonte t’i shërbente regjimit komunist, duke bashkëpunuar dhe në dënimin e shumë shkrimtarëve kinezë. Megjithatë ai u vlerësua me çmimin Nobel, ndërsa Kadare, një shkrimtar që mundi t’i mbijetonte një prej diktaturave më të egra, ende nuk është vlerësuar me këtë çmim. Nëse kriteri i këtij çmimi nuk është vlera e letërsisë që këta autorë mbartin, por historia që fshihet pas emrit të tyre, Kadare duhet ta fitojë çmimin Nobel. Ai është ikona e gjallë dhe e papërsëritshme e historisë së një vendi, i cili gjithnjë ka pasur raporte fatale me historinë. Librat e shkruar prej tij janë një testament i një kohe të cilën njerëzimi nuk do ta takojë më, dhe një metaforë sesi mund t’i shpëtosh errësirës dhe kur je brenda saj. Akademia Suedeze nuk e ka pasur të vështirë të kuptojë forcën e madhe të kësaj errësire që e ka shoqëruar gjithnjë shkrimtarin shqiptar. Mjafton të lexojë letrat anonime që dërgohen çdo vit në adresë të saj me akuzat që i bëhen Kadaresë, për bashkëpunim me regjimin, për të kuptuar se sa të vështirë e ka pasur një shkrimtar i këtij kalibri të mbijetojë në një vend që vazhdon të mos jetë ndarë nga e shkuara. E shkuara për Kadarenë nuk ka mbaruar, ajo vazhdon ta ndjekë dhe tani kur emri i tij renditet si një prej kandidatëve për çmimin më të madh letrar në botë. Shqipëria e Kadaresë duket krejt ndryshe nga ajo çfarë mediat kanë raportuar këto 20 vite, për vendin që nuk po gjen paqe me lirinë. Në librat e tij Kadare këmbëngul për forcën e madhe të historisë dhe shpirtit të këtij vendi që Perëndimi duhet ta shohë seriozisht, kultura dhe gjuha e të cilit janë po aq të hershme sa njerëzimi. Ai ka shkruar me një stil dhe gjuhë tepër të rafinuar që 40 vite më parë, libra që ende lexohen me endje sot. Stokholmi duhet të lexojë emrin e Kadaresë sot, si një sfidë ndaj historisë, e cila është treguar gjithnjë e padrejtë me gjuhën me të cilën shkrimtari i shkruan veprat e tij. Duhet të lexojë emrin e Kadaresë dhe për të treguar se pavarësisht kritikave që ka pasur vitet e fundit, për një devijim politik të këtij çmimi, burrat e Akademisë së Nobelit nuk e kanë humbur ndjesinë ndaj aromës që vjen nga letërsia e mirë, dhe pse ajo mund të vijë nga një vend që nuk është përmendur kurrë më parë në Stokholm….

 

Shkrimtaret femra që kanë fituar çmimin Nobel

Selma Lagerlof është e para femër që ka fituar çmimin Nobel në letërsi në vitin 1909. Shkrimtarja suedeze do të hynte në historinë e këtij çmimi për rrëfimet e saj plot karaktere dhe fantazi. 17 vjet më pas, më 1926-n, do të ishte një shkrimtare italiane ajo që do të renditej e dyta në femrat e vlerësuara me këtë çmim. Grazia Deledda e mori këtë çmim për forcën që udhëheq gjithë librat e shkruar prej saj. Dy vjet më pas, një tjetër femër e merr këtë çmim. Ajo është Singrid Undset. Në vitin 1938 çmimin Nobel e merr Pearl Buck. Më pas, me këtë çmim janë vlerësuar Gabriela MistralNelly SachsNadine Gordimer, Toni Morrison, Wislawa SzymborskaElfriede Jelinek, Doris Lessing dhe Herta Muller.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>