nga Admin

11 Tetor, 2013

Alice Munro, shkrimtarja 82-vjeçare kanadeze, është fituesja e çmimit Nobel në letërsi/ Në vitin 2005, ajo shkroi një tregim kushtuar femrave shqiptare “Virgjëreshat shqiptare

Alice Munro

Alice Munro, shkrimtarja kanadeze, është fituese e çmimit Nobel në letërsi për vitin 2013. 82-vjeçarja është bërë kështu gruaja e 13 që fiton këtë çmim të madh letrar. E tërhequr vitet e fundit nga të shkruarit, për shkak të moshës dhe humbjes së të shoqit, për Munro, ky çmim ishte një rikthim në gjënë që kishte dashur më shumë në jetë, të shkruarin. Peter Englund, sekretar i përhershëm i Akademisë Suedeze, e quajti atë një “mjeshtre të shkurtër bashkëkohore”. Shkrimtarja nuk e priste këtë vlerësim. Kur ishte e re, e kishte ëndërruar kaq herë çmimin Nobel, por në këtë moshë, nuk e di ç’të bëjë me të. Megjithatë ishte diçka tepër e bukur. Ajo u shpreh e lumtur dhe nuk reshte së falënderuari Akademinë Suedeze, kur e bija i tha se ishte fituesja e çmimit të madh. Munro nuk ndodhej në shtëpinë e saj por kishte shkuar tek vajza për vizitë, e cila e zgjoi në orën katër të mëngjesit për t’i dhënë lajmin. “Më duket e pabesueshme. Më duket një gjë e mrekullueshme, nuk mund ta përshkruaj, është më shumë se ç’mund të them. Vërtet do të dëshiroja që kjo t’i shtyjë njerëzit ta konsiderojnë tregimin e shkurtër si art të rëndësishëm, e jo vetëm si diçka për të eksperimentuar derisa ta shkruani romanin tuaj”, tha Munro. Çmimi ka vlerën prej 8 milionë koronash, ose rreth 900 mijë euro.

Alice Munro (3)Munro ka nisur të shkruajë që në adoleshencë. Përmbledhjen e parë me tregime të shkurtra e shkroi në vitin 1968, i cili u bë menjëherë fitues i çmimit “Governor”, një çmim i lartë letrar në Kanada. Po ky sukses e ndoqi dhe librin e saj tjetër “Jeta e vajzave dhe grave” më 1971. Në vitin 1978, ajo botoi librin “Cili mendoni se jeni”, i cili u botua menjëherë në shumë gjuhë të botës, duke e renditur shkrimtaren përkrah emrave të njohur të letërsisë bashkëkohore të kohës. Nga viti 1979-1982 ajo mori një tur udhëtimesh nga Australia, në Kinë dhe në Skandinavi. Ajo mori një rezidencë si shkrimtare nga Universiteti britanik i Kolumbias. Në vitet 1980-1990, ajo botoi çdo katër vite nga një përmbledhje me tregime. Për Munro kanë shkruar pothuajse të gjitha faqet letrare, duke evidentuar ndjeshmërinë në prozën e saj. Historitë e saj duken kaq të zakonta, por të përfshijnë me stilin që Munro i ka shkruar. Në vitin 2009, ajo boton librin “Kaq shumë lumturi”. Në vitin 2009, ajo fitoi çmimin Man Booker International dhe gjithashtu The Commonwealth writer. Munro është shkrimtarja e parë kanadeze që ka marrë çmimin prestigjioz që nga Saul Bellow, i cili e fitoi në vitin 1976. Në letërsinë e shkruar prej saj, Munro i ka kushtuar vëmendje edhe Shqipërisë. Femrat shqiptare, historitë që ka lexuar për këtë vend, e kanë frymëzuar atë të shkruajë më 2005-n librin me tregime “Virgjëreshat shqiptare”. Një ashpërsi e re, një ndjesi pështjellimi e kaosi në jetën qytetare, një përkohësi në marrëdhëniet burrë-grua, veçanërisht në martesë. “Shkrimtarja Alice Munro ka merituar të gjithë trofetë e mundshëm letrarë. Personazhet janë shpesh nën frikën e anktheve. Parakalimi i herëpashershëm i personave të gjymtuar që shfaqet në shumë nga këto tregime, duket si metaforë e gjymtimit mendor që ka infektuar kohën tonë”, thuhet në prezantimin që i bëhet librit në shqip përkthyer nga Pirro Dollani dhe botuar nga “Ideart”. “Kam shkruar dikur një rrëfim rreth Shqipërisë, që më ka pëlqyer shumë. Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për ndonjë shoqëri tjetër në botë, ku ndryshimet gjinore e vinin femrën në një pozitë të tillë”. Kështu është shprehur për këtë tregim në një intervistë të saj, për gazetën prestigjioze New York Times. Tregimi “Virgjëresha shqiptare”, është botuar fillimisht më 1994-n në revistën The New Yorker.

 

Alice Munro (1)Në vitin 1951, Alice u martua me James Munro me të cilin pati tri vajza, Sheila, Katerina dhe Xheni. Sheila ndërroi jetë 15 orë pas ardhjes në jetë. Në vitin 1953, shkrimtarja nisi të bëjë biznes duke hapur një librari të madhe, Munro Books, e cila ende funksionon në Viktoria. Në vitin 1972, ajo dirvorcohet nga i shoqi. Pas kthimit në Ontario, ajo vazhdon të shkruajë dhe njihet me gjeografin Gerald Fremlin, me të cilin martohet më 1976-n. Jeta përkrah Gerald duket se ka qenë e bukur për shkrimtaren, e cila i qëndroi pranë deri disa muaj më parë, kur ai u nda nga jeta. Ikja e të shoqit e bëri Alice të kishte frikë nga vetmia, dhe pse kur ishte e re e kërkonte shpesh dhe i pëlqente të rrinte me ditë e muaj të tërë vetëm.

Në vitin 2002, vajza e saj Sheila botoi një libër me kujtime nga jeta e saj pranë një mamaje shkrimtare.

Alice Munro ka qenë gjithnjë një figurë interesante për kritikët. “Unë nuk kam mbajtur asnjëherë ditar. Thjesht kujtoj ngjarjet dhe njerëzit që kam takuar në jetën time”, shprehet ajo në një intervistë të dhënë vite më parë. Mamaja e saj ka qenë një frymëzim i përhershëm për Munro. “Mamaja ime është një figurë e rëndësishme në atë çfarë unë jam sot. Jeta e saj kaq e vështirë dhe e trishtë shpeshherë dhe forca e saj për t’ia dalë mbanë më kanë frymëzuar. Nuk ishte e lehtë për të të më rriste”, shprehet Munro. Shkrimtarja e preferuar e saj dhe që ka ndikuar në librat që ka shkruar është Eudora Welty me librin “Mollë të arta”. Edhe pse në letërsinë e saj është një zë për të mbrojtur gruan, Alice është shprehur se nuk ka dashur asnjëherë të kthehet në një feministe. “Nuk më duket e vështirë të jesh një burrë, – shprehet ajo, por nuk kam dashur të kthehem në një feministe, thjesht të tregoj gjërat ashtu siç janë dhe përmes punës sime të kem mundësi të mbaj familjen dhe dëshirat e mia”. Në letërsinë e Munro-s takon gra, të cilat takojnë në jetë dashuritë e gabuara dhe Munro thotë se nuk i ka shpikur këto histori, por thjesht i ka riprodhuar.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>