8 Nëntor, 2019

Librat kryesorë të Francis Fukuyama në gjuhën shqipe. Foto: Shtëpia e Librit

A e dini se Francis Fukuyama është një nga mendimtarët më me ndikim të kohës sonë? Teoria e tij më e rëndësishme është ajo e fundit të historisë, një hipotezë që sugjeron se me rënien e Bashkimit Sovjetik njerëzimi ka mbërritur në fazën finale të zhvillimit të vet ideologjik dhe se demokracia liberale perëndimore do të jetë tani e tutje forma e qeverisjes së njerëzimit. Zhvillimet e viteve të fundit e kanë nxjerrë paska gabim Fukuyamën në këtë drejtim. Ngritja e autoritarizmit të stilit të Putinit që mbështetet te një rrjet oligarkësh që ushqejnë popullin me propagandë përmes medias së kontrolluar dhe përqendrojnë fuqinë ekonomike në pak duar duke dëmtuar njëkohësisht demokracinë përfaqësuese po njihet gjithnjë e më shumë si demokracia joliberale.

Logjika e Fukuyamës ishte e thjeshtë: demokracia do të fitojë mbi të gjitha format e tjera të qeverisjes sepse mbart një dëshirë natyrore për paqe dhe mirëqenie, gjë që i shtyn kombet drejt rrugës së progresit, e cila është e pamundur të devijohet. Nëse një shtet – qoftë ky një shtet komunist – dëshiron të shijojë mirëqenien më të lartë të mundshme – ai duhet të përqafojë një masë kapitalizmi. Dhe për shkak se krijimi i mirëqenies varet nga mbrojtja e pronës private “kapitalisti i poshtër” do të kërkojë me doemos mbrojtje më të mëdha ligjore për të drejtat e individit.

Shumë kritikë e vunë re menjëherë ngjashmërinë e teorisë së tij për ‘fundin e historisë’ me determinizmin historik pseudo-hegelian, pikërisht atë teorinë që përdorën marksistët dhe fashistët dhe me raste, nacionalistët e llojeve të ndryshme apo imperialistët për të justifikuar politikat e veta me një farëlloj profecie për një të ardhme të mrekullueshme dhe të pashmangshme, në emër të së cilës mund dhe duhej të sakrifikoheshin miliona njerëz.

Por kur artikulli u botua fillimisht, koha ishte e tillë që ideja e Fukuayamës vështirë se mund të refuzohej. Muri i Berlinit po binte, Bashkimi Sovjetik po rrënohej dhe bota po ulëriste për bumin konsumerist, një orgji eksitimi mbi tregun e lirë. Çdo gjë dukej se po sugjeronte se vetëm demokracia liberale kapitaliste lejonte njerëzit të pasurohesish në një botë gjithnjë e më të blobalizuar, dhe se vetëm përparimi i vazhdueshëm i ekonomiksit laissez-faire do të garantonte në të ardhmen shtete të lira dhe demokratike, pa telashet tiranisë dhe që jetonte në paqe dhe vetëkënaqësi.

Sot është e qartë se Fukuyama vështirë se mund të ishte më gabim. Historia nuk është e mbyllur dhe as liberalizmi e as demokracia nuk janë në zgjerim. Konsensusi i Perëndimit nga i cili ai u frymëzua është nën kërcënim nga drejtime që ai nuk i imagjinoi dot. Një Luftë e Re e ftohtë ka nisur. “Kapitalizmi Marksist” i Kinës sugjeron se mund të kesh pasuri pa liri.

Por më shqetësuesja është që lidhja mes kapitalizmit dhe demokracisë dhe liberalizmit mbi të cilën mbështetet argumenti i Fukuyamës është në vetvete i thyer. Bota ka mësuar se kapitalizmi i shfrenuar sjell telashe, për disa me pasoja po aq dramatike sa edhe socializmi apo fashizmi. Njerëzit mund të humbasin kursimet e një jete e të vdesin në varfëri, mund të vdesin nga droga e ushqyer nga rrjeti i farmaceutikëve që korruptojnë mjekët për të dhënë recetë ilaçe të panevojshme apo mund të vdesin nga ndotja e ajrit e shkaktuar nga babëzia për më shumë konsum. Dhe për më tepër, sugjerimi që tregu vetërregullohet në kushtet kur kapitali është  i bollshëm dhe puna e paktë, do të sjellin për rrjedhojë uljen e çmimit të kapitalit dhe rritjen e çmimit të punës, duket se nuk funksionon. Diçka përtej kësaj logjike duket se i bën të pasurit më të pasur dhe i lë të varfrit më të varfër.

Dhe jashtë fushës së ekonomiksit, vende të pasura kanë treguar tendencën e votës ultranacionaliste apo racore. Në kontinentin Europian, pikërisht aty ku Fukuyama pa triumfin e liberalizmit, në vendet e lindjes ish-komuniste, një përzjerje e makiavelizmit të pacipë politik që shfrytëzon çfarëdolloj propagande që ka efekt pavarësisht pasojave – siç është rasti i antisemitizmit të Orbanit – apo kombinimi i propagandës konservatore fetare me shtet social siç është rasti i Polonisë, duket se po hedhin në erë premisat e teorisë së Fukuyamës, i cili bëhet në këtë mënyrë një nga shumë filozofët e mëdhenj të njerëzimit, të cilëve u rrëzohet teoria e tyre kryesore.

Nga Fukuyama disponohen në shqip këto libra: Ndërtimi i shtetit,  Rendi politik dhe shthurja politike dhe Fillesat e rendit politik.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>