10 Nëntor, 2019

Një pasion për historinë na ka shtyrë të sjellim në shqip dy historianë shumë të ndryshëm: i pari, libri majtas, është Tit Livi, njeriu që shkroi historinë e Romës ‘që nga themelimi i qytetit’ ndërsa jetoi në shekullin e parë të e.s. Historia e Livit pasqyron gjerësisht mënyrën se si romakët e shihnin vetveten, por mënyra e tregimit të Livit ka kontribuuar në krijimin e disa prej shprehjeve më të famshme në historinë e njerëzimit: “Ne nuk kemi asgjë në këtë botë veç asaj që mund të fitojmë me shpatë”, deklaroi Hanibali sipas fjalëve të shkruara në historinë e Livit.

Kjo është një shprehje që rezonon deri në kohën tonë. Në një variant pak të ndryshuar, Karl Marksi deklaroi gati dy mijëvjeçarë më vonë: proletarët nuk kanë asgjë tjetër për të humbur veç prangave.

Livi e shkroi historinë e Romës në dyzet libra, por një pjesë e madhe e tyre nuk kanë mbijetuar deri në kohën tonë. Mes të mbijetuarve është libri flet mes të tjerash edhe për luftërat Iliro-Romake, 171-169 p.e.s., të njohura si Lufta e Tretë Iliro-Romake si dhe librat që flasin për luftën e Dytë Punike. Këto të fundit janë librat më të lexuar të Livit. Ata të mbajnë të mbërthyer për shkak të aftësisë së jashtëzakonshme prej rrëfimtari që ka autori. Livi del në këto libra si një njohës i thellë i natyrës njerëzore, psikologjisë së turmës, gjeografisë dhe terrenit. Por Livi ishte i famshëm edhe për një praktikë që historiania bashkëkohore Mary Beard, të cilës i përket libri i dytë djathtas, e quan “konstruktivizëm pozitiv”. Sipas Beard, Livi dhe historianët e tjerë të lashtësisë i vinin në gojë personazheve të vetë argumente dhe fjalime, të cilat me gjasa janë jo tërësisht të vërteta. Është shumë e vështirë të identifikohet një rrugëtim i drejtpërdrejë nga fjalimi i, fjala vjen, Hanibalit para trupave të veta në nisje të Betejës së Kanës në vitin 216 p.e.s., dhe tryezës së punës së Livit në fillim të shekullit të parë të e.s., pra dy shekuj më vonë. Megjithatë, kjo është ndoshta ajo që e bën edhe më interesant Livin. Ne mund të lexojmë aty argumentet e Hanibalit për luftën e tij kundër Romës, ashtu si romakët i hamendësonin këto argumente. Dhe aty mund të lexojmë gjithashtu oratorinë e jashtëzakonshme si dhe teknikat e bindjes që Hanibali përdorte për të nxitur ushtarët e tij shumëkombësh në luftë.

Në kontrast nga Livi, Beard flet për historinë e Romës së lashtë po aq shumë sa për ndikimin që ka Roma dhe historianë si Livi në të menduarit e Romës së lashtë.

“Ne dimë për Romën sot më shumë nga sa dinin vetë romakët për veten e tyre,” shkruan Beard. Vetë interesi i Europës mbi historinë, politikën, artin dhe përplasjet sociale të Romës së lashtë janë një tregues i rëndësisë që ka Roma në jetën tonë, edhe pse ne jetojmë mbi 2 mijë më vonë.

Të dyja librat mund t’i gjeni online, ose në libraritë kryesore.

Lexo më shumë: Sekretet e Romës së Lashtë, si mund të ndërtohet një perandori

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>