nga Admin

10 Tetor, 2014

PATRICK MODIANO : "ECRIRE, C'EST COMME CONDUIRE DANS LE BROUILLARD".“Edhe sot e kësaj dite, natën, më duket sikur dëgjoj një zë që më thërret në mbiemër, në rrugë. Një zë i ngjirur. Ai zvarritet paksa në rrokje, por unë e njoh menjëherë: zëri i Lukit. Kthehem, por nuk ka asnjë njeri. Jo vetëm natën, por edhe në ato pasdreke të zbrazëta të verës, ku nuk e di më plotësisht se në ç’vit ndodhesh. Gjithçka fillon të ecë si më parë. Të njëjtat ditë, të njëjtat minuta, të njëjtat vende, të njëjtat ngjarje. Rikthimi i përjetshëm”, kështu shkruan Patrick Modiano, fituesi i çmimit “Nobel” në Letërsi për vitin 2014 në romanin “Në kafenenë e rinisë së humbur”, përkthyer në shqip nga shkrimtarja Diana Çuli. 69-vjeçari Modiano, ka sfiduar dje emra të njohur të letrave, të cilët prej vitesh përfliten si kandidatë për çmimin “Nobel”, si amerikani Philip Roth apo japonezi Haruki Murakami, duke u vlerësuar me çmimin e madh. Por emri i tij nuk ishte një surprizë për të gjithë ata që ndjekin zhvillimet letrare në botë. Mediat ndërkombëtare apo dhe qendrat e basteve e kishin renditur Modianon si një favorit bri Assia Djebar, Ismail Kadaresë, apo Milan Kundera. Modiano“Për artin e të kujtuarit me anë të të cilit ai ka evokuar fatet njerëzore, të tilla që nuk përpihen, dhe ka zbuluar jetën dhe botën e okupimit”. Ky ka qenë motivacioni që Akademia Suedeze ka shoqëruar çmimin për Modianon. “Ishte vajza ime që më njoftoi për çmimin, teksa isha duke shëtitur në Paris. Nuk e prisja. Asnjëherë nuk e mendoja se do të isha fitues i çmimit “Nobel” dhe ndihem vërtet i prekur”, është shprehur dje Modiano. “Kam nisur të shkruaj që kur isha shumë i ri dhe e shkruara është si një pjesë e imja që ka qenë gjithnjë me mua që kur kam kuptuar jetën”, tha ai. Modiano ka konfirmuar që do të udhëtojë në Stokholm bashkë me familjen, për të qenë i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të çmimit në dhjetor. Shkrimtari ka dy vajza dhe një nip, të cilit ia kushtoi çmimin. Peter Englund, sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, u shpreh se Modiano e meriton këtë triumf, për famën që gëzon brenda dhe jashtë Francës. “Ai shkruan libra për fëmijë, novela e skenarë filmi. Puna e tij më e njohur është ‘Missing Person’, për një detektiv të cilit i humbet kujtesa. Është çmim i nderuar që sivjet shkon në Francë”, – ka thënë Englund. Patrick Modiano lindi në Boulogne-Billancourt të Francës në vitin 1945. Babai i tij, Albert Modiano (1912-1977) i lindur në Paris ishte me origjinë hebreje. Mamaja Louisa Colpijn ishte një aktore belge. Prindërit e tij u takuan në Paris gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nisën një lidhje klandestine për kohën. Fëmijërinë ai e kaloi në një atmosferë ku ndihej mungesa e të atit, i cili udhëtonte shumë dhe problemeve të së ëmës. Vdekja e vëllait të vetëm Rudy kur ishte vetëm 10 vjeç do të linte gjurmë në jetën e shkrimtarit. Pothuajse pjesa më e madhe e librave të tij i dedikohet atij. E gjithë letërsia e tij është një lloj autobiografie, për të treguar një fëmijëri të trishtuar, një dhimbje të madhe siç është humbja e të vëllait, gjithë atë çka kujtesa i ka ruajtur nga Parisi i atyre viteve. Modiano është autor i shumë romaneve, librave për fëmijë dhe skenarëve. Botohet rregullisht që prej vitit 1968 nga një prej shtëpive më të mëdha botuese franceze, “Gallimard”. Gjatë karrierës së tij të gjatë ka marrë veç të tjerave dy nga çmimet më të mëdha letrare që jepen për letërsinë franceze: “Grand prix du roman de l’Académie Française, 1972”, “Prix Goncourt, 1978”. Thuajse të gjitha veprat e tij janë përkthyer dhe botuar në gjermanisht, anglisht, spanjisht, suedisht etj. I vetmi libër që do të gjeni në shqip nga ky autor është botuar nga “Toena” në vitin 2010 dhe mban titullin “Në kafenenë e rinisë së humbur”, përkthyer nga shkrimtarja Diana Çuli. Modiano është i martuar me Dominique Zehrfuss në vitin 1970, me të cilën ka dy vajza, Zina dhe Marie. Ai është shkrimtari i njëmbëdhjetë francez që ka fituar këtë çmim, dhe i 111-i në listën e nobelistëve në letërsi.

 

Intervista/ Patrick Modiano flet për gazetaren e Akademisë Suedeze për emocionet pas marrjes së lajmit

Çmimin ia kushtoj nipit tim suedez

Gazetarja pranë Akademisë Suedeze, Helene Hermack, e ka telefonuar shkrimtarin Modiano menjëherë pasi Akademia bëri publike emrin e tij si fitues i çmimit “Nobel” në Letërsi për vitin 2014. Kjo është një intervistë që Akademia e bën me çdo nobelist pas marrjes së çmimit. Më poshtë po botojmë bisedën telefonike mes Modianos dhe Hermack.

 

-Përshëndetje

-Po. Përshëndetje zotëri. Urime për çmimin “Nobel”

-Jeni shumë e sjellshme, jam vërtet shumë i prekur.

-Emri im është Helene, dhe po ju telefonoj nga Nobelprize.org. Faleminderit për kohën që po më jepni t’u përgjigjeni disa pyetjeve.

Ku ishit kur e mësuat çmimin?

-Aktualisht jam në rrugë. Po isha në rrugë duke shëtitur. Ishte vajza ime që më njoftoi.

-Oh, vajza juaj, ju mori në celular?

-Po, u emocionova dhe u preka shumë. Ky çmim më dha një kënaqësi të madhe pasi unë kam një nip suedez.

-Ku ishit ekzaktësisht. Në qendër të Parisit, në cilën rrugë?

-Isha pranë Jardin de Luxembourg.

-Oh shumë bukur. Çfarë do të thotë për ju ky çmim?

-Para së gjithash, dua të them se ishte diçka që nuk e prisja asnjëherë. Ndaj ndihem tepër i prekur dhe jam shumë i emocionuar.

-Ju jeni shkrimtar prej vitesh. Pse shkruani?

-Kam nisur të shkruaj herët. Isha rreth të 20-ave. Është diçka e natyrshme, pjesë e jetës sime.

-Ju keni shkruar 20-30 libra. Ka ndonjë nga këto libra që do ta veçonit që është më i dashur për ju?

-Dëgjo. Është e vështirë. Gjithnjë kam pasur përshtypjen se kam shkruar të njëjtin libër. Kjo do të thotë se përgjatë 45 viteve, unë kam shkruar të njëjtin libër në këndvështrime të ndryshme.

-Tani që u bëtë i famshëm, cilin libër do t’i rekomandonit lexuesit për të lexuar?

-Po, gjithnjë mendoj se libri i fundit është më i mirë.

-Si e ka titullin?

Quhet “Pour que tu ne te perdes pas dans le quartier”.

Është një libër që flet për humbjen e identitetit. Është libri im i fundit dhe gjithnjë ka një ndjesi që është më i miri… …

-Do ta festoni çmimin sot me familjen?

-Po do të jem me familjen. Po me nipin tim suedez, i cili më jep shumë kënaqësi. Këtë çmim ia kushtoj atij.

-Do të vini në Suedi në dhjetor?

-Po, patjetër..

-Me familjen?

-Po (qesh)

-Keni familje të madhe?

Jo dhe aq. Kam dy vajza dhe një nip. Nuk është ndonjë familje e madhe.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>