nga Admin

9 Tetor, 2014

Sot, Akademia Suedeze bën publike emrin e fituesit të çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2014, në orën 13:00. A do të udhëtojë çmimi drejt Shqipërisë apo do të jetë një zë femëror?

Alda Bardhyli

UK - 2006 Edinburgh International Book FestivalIsmail Kadare ndodhet në Paris këto ditë vjeshte, që ziejnë nga ethet e çmimit “Nobel”. Në të njëjtin qytet me të, është dhe Assia Djebar, shkrimtarja nga Algjeri, që ka zgjedhur Francën për të ndarë jetën bashkë me të shoqin, edhe ai një poet. Në të njëjtën hapësirë ndodhet dhe Patrick Modiano, romancier i njohur francez, fitues i një sërë çmimesh në letërsi, që këto ditë ndodhet në listën e emrave të përfolur si kandidat për çmimin “Nobel”. Në Francën ku ndihet ende aroma e së shkuarës, dhe ku lidhja me librat vazhdon të ketë forcën e dikurshme mes njerëzve, në një apartament të thjeshtë, një tjetër shkrimtar vazhdon të shkruajë. Një burrë, portreti i të cilit vijon të jetë ashtu si personazhet që dalin prej librave që shkruan, në rrudhat e të cilit lexohet historia e vendlindjes së tij, Çekisë. Me vështrimin e thellë dhe këmishat e mbërthyer me kujdes, ai pi çaj çdo pasdite me të shoqen, Vera. Të vetmen që nuk ka larguar prej jetës së tij, atëherë kur e shkruara e bënte çdo ditë e më shumë të largohej nga realiteti. Ai është Milan Kundera, i cili që prej vitit 1975 jeton në Francë, dhe është një tjetër emër i përfolur prej vitesh si kandidat për çmimin “Nobel”. Por Kundera, ashtu si e shoqja, shprehet se i ka kaluar prej vitesh ethet e tetorit. Ai zgjedh të lexojë apo të rrijë më gjatë në studion e tij të punës, sesa të ndezë televizorin apo të lexojë gazeta. Librat e tij janë përkthyer pothuajse në të gjitha gjuhët, ka fituar të gjitha çmimet e mundshme në letërsi, dhe çdo vit është përfolur për çmimin “Nobel”. Çdo ndryshonte në jetën e Kunderës një çmim i tillë? A do të ishte ky një çmim për Çekinë e dikurshme apo të sotme, nga biri i saj, që në një pjesë delikate të historisë, zgjodhi të largohej nga atdheu, por mos ta hiqte asnjëherë prej vetes së tij. Franca është e mbushur me shkrimtarë që janë aty bashkë me atdheun e tyre. Një prej tyre është dhe Ismail Kadare, i cili duket sikur vetëm gjeografikisht nuk është në Shqipëri. Një shkrimtar nuk mund ta largojë asnjëherë atdheun, sado larg të shkojë. Kjo ndihet jo vetëm në librat e Djebar, gruas që shkruan për gratë e mbuluara myslimane të Algjerit, letërsinë e Kunderës, por dhe në librat e Kadaresë. Ndryshe nga të tjerët, Kadareja e jetoi regjimin komunist, duke qenë i vetmi shkrimtar nga ish-vendet e Lindjes socialiste, që e sfidoi komunizmin me librat që shkroi. Jeta e shkrimtarit në një regjim të egër totalitar nuk ka qenë e thjeshtë, megjithatë ai arriti të shkruante dhe të bënte ndoshta librat më të mirë të dalë në këtë gjysmëshekull nga Ballkani, dhe t’i tregonte Perëndimit zërin e një populli që po jetonte një kohë të trazuar historike, por me një gjuhë që i kishte themelet në Europë. Vetë jeta dhe librat që shkroi, e bëjnë Kadarenë të jetë një shkrimtar unik në morinë e shkrimtarëve të letërsisë bashkëkohore. Një personazh, i cili mbart jo vetëm trishtimin magjik të letërsisë, por dhe historinë, sfidën e shpresën. Por a do t’ia japë Akademia Suedeze sot çmimin e madh të letrave, këtij shkrimtari, gjuha e të cilit është ndër më të vjetrat në historinë e gjuhës, librat e të cilit vijojnë të jenë ndër më të lexuarit? A do të jetë sot një “Nobel” për Shqipërinë dhe për shqiptarët, në sfidën e tyre të gjatë morale për t’iu bashkuar Perëndimit? Sigurisht që paraditja e sotme nuk do të jetë e qetë për shkrimtarin, sado i bukur të jetë Parisi, dhe sado që “nuk e pret më këtë çmim”. “Ka 30 vjet që më flasin për këtë. ‘Nobel’ ose jo ‘Nobel’. Dhe kjo më pëlqen, është e vërtetë. Unë e dua festën e ‘Nobelit’, madje jam i çuditur që ajo është shndërruar në një festë planetare. Një çmim letrar i kësaj përmase është i bukur. Është e bukur kur njerëzimi i bën homazh një shkrimtari. Po, po është”, do të shprehej ai në një intervistë të vitit 2009. Ndoshta dita e sotme do të jetë fundi i një pritjeje të gjatë dhe të bukur, duke i dhënë një “Nobel” letërsisë shqipe … Shpresat për një “Nobel” shqiptar këto javë janë mbështetur edhe nga mediat ndërkombëtare apo qendrat e basteve, të cilat e rendisin shkrimtarin shqiptar si një favorit. “The guardian” e rendiste dje Kadarenë, në shkrimin me titull “Kush do ta fitojë ‘Nobelin’ në letërsi?”, të pestin në listë. I pari në listë ishte shkrimtari kenian Ngugi Wa Thiong’o, i dyti japonezi Haruki Murakami, e treta Svetlana Aleksijev, i katërti poeti sirian Adonis, për t’u ndjekur më pas nga Kadareja, shkrimtari francez Patrick Modiano, norvegjezi Jon Fosse, Peter Handke, shkrimtari amerikan Philip Roth dhe Assia Djebar. Një nga emrat më të përfolur këtë vit për “Nobel” është shkrimtari japonez Haruki Murakami. Por a do t’i japë Akademia e Nobelit këtë çmim ndoshta Philip Roth, një prej shkrimtarëve më të mirë amerikanë të shekullit XXI, i cili çdo vit është favorit për këtë çmim për më shumë se dy dekada? A është koha që Roth të marrë këtë trofe? Kritika e letërsisë ia ka dhënë prej kohësh Rothit këtë çmim, dhe pse ndoshta sot Akademia Suedeze mund t’i bashkohet mendimit të kritikës. Apo emri i sotëm do të jetë një surprizë për median dhe kritikën, ashtu si shpesh ka ndodhur vitet e fundit me vendimin e jurisë së Akademisë së Nobelit. Juria që vendos për çmimin e madh është e përbërë nga 18 veta. Nga moria e të përzgjedhurve për “Nobel” ajo i dorëzon Akademisë suedeze një listë me katër ose pesë emra. Për gati 50 vjet kjo listë nuk bëhet publike. Këtë vit, Akademia e Nobelit ka bërë publike listën e të nominuarve në vitin 1962, 1963. Është interesante të shohësh se si poeti Pablo Neruda ka qenë i përzgjedhur përgjatë të dy viteve, si një kandidat i mundshëm dhe do ta fitonte këtë çmim në vitin 1971. 106 shkrimtarë janë vlerësuar me këtë çmim që prej vitit 1901. Vetëm në shtatë vite ky çmim nuk është dhënë. Paraditja e sotme është e mbushur me emocione jo vetëm për shkrimtarët që janë pranë këtij çmimi, por dhe për shumë vende që ende e shohin “Nobelin” si një gur të rëndësishëm në historinë e tyre. Le të shpresojmë që 2014-a do të jetë “Nobeli” ynë …

[callout]A do të jetë “Nobeli” një grua?

A do të këtë sërish “Nobeli” emrin e një gruaje? Kur një vit më parë, Akademia Suedeze tha emrin e Alice Munro si fituese e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2013, kritika mendoi se një erë e re po frynte për letërsinë e shkruar nga femrat. Ky çmim nuk ishte vetëm për letërsinë e ndjeshme të Munro, prozën e saj magjike, por dhe për përpjekjet e vazhdueshme për të mbrojtur seksin e dytë. Megjithatë, numri i femrave që kanë marrë çmimin “Nobel” në krahasim me atë të burrave është i vogël. Vetëm 13 femra janë vlerësuar më këtë çmim. E para ishte shkrimtarja suedeze Selma Lagerlof, më 1909-n. Dy dekada më vonë, më 1926-n, ky çmim i jepet italianes Grazia Deledda, për të vijuar dy vite më vonë më 1928-n me Singrid Undset, Pearl Buck, Gabriela Mistral, Nelly Sach, Nadine Gordimer, Toni Morrison, Wislawa Szymborska, Elfride Jelinek, Doriss Lesing, Herta Muller. A do të ketë sërish “Nobeli” emrin e një gruaje? Nuk ka ndodhur në historinë e “Nobelit” që ai t’i ndahet dy vite rresht një shkrimtareje femër.[/callout]

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>