6 Nëntor, 2015

11357100_973463406039515_2411101481366497013_oFragment nga “Bisedë në “Hylli i Dritës”

Hylli i Dritës: Si i gjykoni sot shkrimet tueja të kohës së komunizmit, ku flisni për E. Hoxhën dhe diktaturën? A mendoni se ka vend për interpretim aty ku nji lexues i randomt sheh nji realitet të lustruem të diktaturës komuniste?

Ismail Kadare: Pas përmbysjes së komunizmit, pyetja se ç’është kjo letërsi që u krijua në kohën e tij dhe si do të gjykohet ajo, bashkë me shkrimtarët që fati e solli të jetojnë në komunizëm, u kthye në një kureshti botërore.
Mendimet u ndanë pak a shumë më dysh. Sipas një mendimi që ngjan tepër antikomunist, por që, siç do të shpjegohet më poshtë, del kryekëput komunist, kjo letërsi është kryekrejet komuniste, dhe si e tillë, do të ketë fatin e tij, të përmbyset. Gjithmonë sipas këtij mendimi, në motërzimin e tij shqiptar, më mirë do të ishte që kjo letërsi të mos ekzistonte dhe, bashkë me të, shkrimtarët vetë të mos ishin. Këtyre të fundit haptas iu është bërë pyetja: përse vazhduat të shkruani, përse nuk heshtët, madje përse nuk vdiqët!

Kundërshtarët e kësaj teze ngulmojnë se ajo është në thelb komuniste, ngaqë pranon ngadhënjimin e plotë të komunizmit brenda epokës së vet, madje edhe tani, jashtë saj. Që këtë tezë e pëlqejnë shumë komunistët, kjo nuk është ndonjë habi, por që antikomunistët e pëlqejnë edhe më fort, kjo është një habi e habive.

Te teza se do të ishte më mirë që kjo letërsi të mos ekzistonte, kundërshtarët e saj gjejnë racizëm, sidomos kur ajo bëhet prej të huajve. T’u thuash shqiptarëve se ishte më mirë të jetonin gjysmë shekulli pa letërsi dhe art, për të vërtetuar se komunizmi ishte i keq, do të thotë t’i konsiderosh ata si nënpopull. Është tezë raciste kur popullit shqiptar i parashtrohet diçka që nuk guxohet t’u propozohet as francezëve, as gjermanëve, madje as rusëve të gjendur në kushte të ngjashme (komunizëm, fashizëm ose pushtim nazist). Nënteksti racist i tezës është: s’u bë hataja pse ky popull jetoi pa art gjysmë shekulli, në kohën që quhet fundi i botës nëse jeta kulturore, për shembull, do të paralizohej gjatë pushtimit nazist në Francë, gjë që nuk ndodhi aspak.

Një mendim tjetër është ai, sipas të cilit, pavarësisht në ç’kohë krijohet, letërsia gjykohet pas ligjeve të saj dhe jo ligjeve komuniste, fashiste ose jokomuniste, por, si kudo dhe kurdo, ndahet në letërsi të mirë dhe letërsi të keqe.

Mendimi im është me ata për të cilët letërsia duhet të gjykohet si letërsi. Megjithatë, për atë veçanti që pati regjimi mizor në Shqipëri, do të shtoja se në këtë rast kriteri themelor, natyrisht, duhet të jetë vepra, por një kriter kryesor nuk ka si të mos jetë moraliteti i shkrimtarit. Me këtë nuk kam parasysh idiotësitë e shkrimtarëve, pjesë e idiotësive të popullsisë së sunduar, vjershat, këngët për festat, qeverinë apo katundarët e dalluar, për krimet e pafalshme, si spiunimin e kolegëve, dërgimin e tyre në burg a në pushkatim, e të tjera si këto. Është kjo arsyeja që prej më shumë se dhjetë vjetësh kam kërkuar hapjen e dosjeve të fshehta.

Lidhur me teorinë e “heshtjes” si qëndresë ndaj regjimit, mendoj se jo çdo heshtje ka vlerë. Heshtja letrare është ajo e një shkrimtari të njohur, që befas e ndërpret krijimtarinë. Në njëfarë mase, atë e bëri Lasgush Poradeci dhe Dhimitër Pasko, por edhe ata me shumë kujdes, ngaqë regjimi ishte tepër përgjues edhe ndaj heshtjes. Në Shqipëri sot kanë dalë shumë mëtues të heshtjes. Ata shpallin pak a shumë mendimin se do të kishin qenë shkrimtarë me vlerë, por parapëlqyen të heshtin. Si parim është vështirë të kundërshtohet, por, ndërkaq, një pyetje është e pashmangshme: si vërtetohet kjo? Me fjalë të tjera, si vërtetohet talenti, dhe e dyta, si vërtetohet se shkaku i heshtjes nuk është ajo që thuhet, por tjetër gjë (ta zëmë frika)? Kjo të kujton një tregim të Mark Tuenit, ku përshkruhet një botë paralele, ku qokat janë të ndryshme nga bota jonë. Kështu, poeti më i madh atje nuk është Homeri, por një rrobaqepës, ndonëse nuk ka shkruar kurrë asnjë varg. Shpjegimi zyrtar, dhe natyrisht i atij vetë, është i thjeshtë: unë vërtet nuk kam shkruar kurrë, ngaqë nuk pata kushtet, por po t’i kisha ato, kisha për të qenë mbi Homerin.

Të kthehem te pjesa e rrokshme e pyetjes suaj: letërsia që kam krijuar në atë kohë. Do të përpiqem të jem sa më i kapshëm.

Për vite me radhë unë vetë kam bërë pyetjen: ç’është kjo letërsi që po bëj? A është letërsia e duhur? A ka ndonjë vlerë, apo do të vdes bashkë me regjimin?

Jam i sigurt se pyetje të tilla janë bërë gjithkund në kampin e gjerë komunist. Ndërkaq, në vitin 1970, në jetën time ndodhi diçka befasuese. Vepra ime, e botuar së pari në Francë, nisi të përkthehej në gjuhët kryesore të Europës e të botës, që nga Nju-Jorku në Tokio.

Unë nuk e pranoj që kriteri bazë për të vlerësuar një shkrimtar është përkthimi në botën e huaj. Raste të kundërta ka plot. Por, të ndodhte ky përkthim, i shoqëruar me suksesin, më 1970, kishte një kuptim tepër të madh. Nuk ishte thjesht botim, e aq më tepër sukses jashtë shtetit. Ishte përkitja (kontakti) me botën e lirë. Bota e lirë perëndimore, në metropolet e saj, në Paris, Nju-Jork, në Berlin, në Romë, në Londër, befas lexon dhe çmon një letërsi të krijuar në një vend-burg, më fatkeqin vend të perandorisë komuniste.

Shqipëria në atë kohë nuk prodhonte veç terr, mërzi dhe lajme që të ngjethnin mishtë. Dhe, befas, ajo nxjerr një letërsi që, jo vetëm shpërndahet me shpejtësi, por pëlqehet njëlloj sikur të ishte e botës jokomuniste.

Ky ishte për mua dhe për gjithë njerëzit një test i pazakonshëm. Si në mrekullitë e përrallave, ky test më çoi mua në të ardhmen. Prej tij kuptova se, pavarësisht se regjimi ishte i çmendur, unë po krijoja letërsi normale. Pavarësisht se Shqipëria ishte burg, kjo letërsi që dilte prej saj ishte e lirë. Ndryshe ajo s’kishte përse të pritej me aq dashamirësi në Perëndim.

Gjithë vepra ime u botua në botën e lirë. Unë nuk kisha dy lloj veprash, një për “këndej”, një për “andej”. U bëra i njohur kryesisht me veprat e botuara në komunizëm, madje të botuara së pari në shqip dhe në Tiranë.

Kam thënë shumë herë se vepra ime nuk ka nevojë të quhet as disidente, as komuniste, as antikomuniste, as subversive etj., etj. Ajo është në radhë të parë letërsi dhe ky është nderi më i madh për një vepër që u krijua në një vend si ky.

Ka shumë njerëz që ngulin këmbë për ta paraqitur këtë vepër si pjellë të regjimit e të Enver Hoxhës. E kuptoj kur kjo bëhet nga shkrimtarët tepër militantë komunistë, e kuptoj kur bëhet nga Nexhmije Hoxha, ngaqë asaj i duket se po i bëhet nder burrit të saj, i cili nuk paska bërë vetëm vrasje në Shqipëri, por ka pjellë edhe vlera artistike! Por nuk e kuptoj dot se përse kjo mbrapshti bëhet nga ata që shpallen si antikomunistë.

Pyetja ngjan si në rastin e atyre katolikëve, që me zell qëmtojnë armiq të katolicizmit. Thelbi është i ngjashëm, veç, në këtë rast, në vend të armiqve qëmtohen miq të paqenë të Enver Hoxhës. Vërtet e çuditshme.

Për sa i përket interpretimit prej lexuesit të rëndomtë që ju përmendni, ai ka vërtet nevojë për një lexim dhe interpretim më serioz. Po ju sjell vetëm një shembull të leximit krejtësisht të gabuar. Është fjala për një personazh themelor të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, plakën Nurihan. Ende sot detraktorët e mi e përmendin këtë personazh si akuzë kundër meje, gjasme si vërtetim të tezës se i kam rënë në qafë klasës së përmbysur.

Në të vërtetë është krejt e kundërta. Plaka Nurihan, personazhi antonim i Enver Hoxhës, në “Dimrin e vetmisë së madhe” është një figurë monumentale, që simbolizon klasat e përmbysura në Shqipëri, dhe unë jam krenar që ky personazh është një ndër më dinjitozët në këtë vepër.

Ç’është kjo plakë, me tipare mitike, në vazhdën e “plakave të jetës” të “Kronikë në gurë”?

Qysh në faqet e para të romanit, ajo ngryset e gdhihet pranë radios, për të kapur prej stacioneve të botës ndonjë lajm, ndonjë shenjë të përmbysjes së komunizmit. Gjatë gjithë romanit, ajo përshkruhet gjithmonë kështu, në pritje, në heshtje, në vigjilim të pafund. Asnjë fjalë e keqe nuk thuhet për të. Për lexuesin “borgjez” ajo ishte mishërimi i shpresës, i ankthit të tyre, i pritjes së pafund për rrëzimin e pushtetit komunist. Për lexuesin komunist ajo ishte plakë borgjeze, shtrigë e keqe, që ëndërron fundin e partisë e të shokut Enver.

Komunistët kishin të drejtë ta urrenin këtë plakë mitike, të kishin tmerr prej saj, por ç’kanë detraktorët antikomunistë? Për një habi të madhe, në vend që të jenë dashamirës për këtë zonjë borgjeze, këtë farë të shpresës, ata, në mendjet e tyre, e quajnë atë njëlloj si komunistët, shtrigë. Dhe zemërohen me mua që kam krijuar këtë shtrigë.

Zotërinjtë shfaqen këtu në një dritë të pikëlluar. S’kam të drejtë ta vë në dyshim antikomunizmin e tyre, por, ndërkaq, nuk kam si të mos them se, pavarësisht nga mllefi antikomunist, mendja e tyre, pa e ditur, ndoshta, as ata vetë, në thellësi ka mbetur skllave e mendësisë komuniste.

Meqenëse jemi te ky roman, ai përdoret shpesh si argument për kinse “lustrim të diktaturës”. Për të thënë se është e kundërta, nuk do të përmend acarimin kundër tij, pikërisht të aparatit të diktaturës shqiptare, e cila arriti ta hiqte nga qarkullimi botimin e parë. Do t’i kthehem testit të botës së lirë. Pas botimit të tij anekënd Europës, kjo botë nuk u mor me imtësirat dhe mungesat e tij të shpjegueshme. Lexuesi i botës së lirë, kapi në këtë roman tablonë globale të komunizmit botëror, një nga më të zymtat, për të mos thënë më e zymta që është dhënë ndonjëherë në një vepër letrare. Dimër i ftohtë dhe ankth, klasa kundërshtare që ëndërrojnë masakra kundër njëra-tjetrës, intriga të errëta midis shteteve kinse vëllezër komunistë, kujtime krimesh, burgjesh, arrestimesh, fantazma ministrash të pushkatuar, që shfaqen në pritje qeveritare, me shenjat e plumbave të gjakut mbi trup, si në dramat e Shekspirit, pyetja plot ankth e personazheve: tani që po shkëputemi nga Lindja, a do të shkojmë vallë drejt Perëndimit?

Në qendër të ngjarjes, mbledhja botërore e 81 shefave komunistë të krejt planetit, përshkruhet si meshë e zezë. Intrigantë, vrasës, mafiozë të vërtetë. Midis tyre është lideri shqiptar, i cili i shpëton këtij përshkrimi për arsye që merren me mend.

Moszbërthimi i plotë i portretit, ishte pjesë e taksës së detyrueshme që nuk mund t’i shmangej askush, për të ekzistuar si shkrimtar. E kam paguar atë taksë ashtu si të tjerët, por ajo zë një vend fare të papërfillshëm në veprën time. Ishte taksa që nuk iu shmangën dot as kolegët e mëdhenj Pasternaku, Ahmatova, Bulgakovi e të tjerë. Ndaj ajo nuk pengoi aspak që letërsia shqipe, nëpërmjet meje, të hynte në klubin e lirë të metropolit europian. Në një intervistë të gjerë me Stephane Courtois, autorin francez të veprës së famshme “Libri i zi i komunizmit”, i cili ka shkruar se “Dimri i vetmisë së madhe”, në një rilexim të vitit 2005 i është dukur më antikomunist se gjatë leximit të parë të vitit 1978, kam shpjeguar se shkëputja e Shqipërisë prej kampit komunist në vitet gjashtëdhjetë, ka qenë i vetmi aksion, historikisht pozitiv, ndonëse i pasinqertë i Enver Hoxhës, aksion me të cilin kam qenë dakord. Ashtu si gjysma e shqiptarëve, kam shpresuar se kjo shkëputje do ta çonte Shqipërinë drejt Perëndimit, gjë që, për fat të keq, nuk ndodhi.

(Marrë nga Kadare, Vepra XX, Onufri, Tiranë, 2009)

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>