nga Admin

30 Dhjetor, 2015

librarite dhe librat e perdorur (2)

Reportazh – Dyqanet e librit të përdorur po zhvillohen gjithnjë e më shumë në SHBA, teksa dora e dytë u ofron atyre mundësi për çmime të lira që konkurrojnë internetin 

Në fillim të janarit, Pablo Sierra do të hapë një librari për librat e përdorur në Uashingtonin Veriperëndimor, një bast i pazakontë në periudhën dixhitale, për më tepër i frikshëm për shkak se eksperienca e tij e vetme me librat është leximi i tyre.

“Besoj se është një çmenduri”, tha Sierra, duke cituar një vëzhgim të bërë nga disa prej miqve të tij.

Ose mbase jo. Sierra, ashtu si të pasionuar të tjerë pas librave, ka lexuar artikuj rreth ngadalësimit të shitjeve të librave elektronikë dhe ka parë se si librari të pavarura të tilla si Politics dhe Prose kanë lulëzuar, duke marrë reputacion te lexuesit që vlerësojnë vendet e librave dhe që mendojnë se letra është pajisja më e mirë e leximit.

Libraritë e librit të përdorur, me cilësitë e tyre të së vjetrës dhe çmimet e lira, po e gjejnë veten në një pikë rritjeje. Në shumë qytete, ka një pozicion de facto të tyre si të vetmet shitje të lira të librave në vend.

Ndërsa nuk ka statistika industriale për shitjen e librave të përdorur, shumë dyqane që i kanë mbijetuar periudhës dixhitale, thonë se shitjet e tyre po rriten.

“Po bëhet çdo vit dhe më mirë”, thotë Susan Buruell, bashkëpronare e Dyqanit të Librave të Përdorur Reston, i vetmi vend i librave të përdorur në qytetin e Virxhinias Veriore, me rreth 60,000 banorë.

Ky është një biznes me para të mira në mes. Libraritë e përdorura i mundin çmimet e Amazonës dhe atyre të shitësve të tjerë online, duke ofruar te blerësit një eksperiencë të soditjes dhe të kursimit të parave. Gjithashtu, normat e fitimit te librat e përdorur janë më të mira sesa ato të librit të ri.

Duke ndier një leverdi në fitim, sipërmarrësit po futen në lojë.

Sierra, 38 vjeç, është një ish-oficer marine dhe ka eksperiencë në kontratat qeveritare. Dyqani i tij i ri, një mjedis i vogël, por i këndshëm, quhet Muret e Librave dhe është pjesë e një zinxhiri dyqanesh filluar nga Gootwals Books në Xhorxhia.

Kompania ka hapur tetë degë që nga viti 2012 dhe ofron një program trajnimi për pronarët. Fillimi i biznesit mund të shkojë deri në 85,000 dollarë.

Shane Gottwals, bashkëthemeluesja e rrjetit, tha se disa nga degët po përmbushin ëndrrën afatgjatë të shitjes së librave. Të tjerë e bëjnë thjesht për para. Të gjithë kanë hasur në një kërkesë të çuditshme.

“Një nga komentet e para që dëgjojmë, është se libraria e fundit në lagje, u mbyll dhe se nuk ka më vend të përshtatshëm për të blerë libra”, thotë Gottwals. “Është si të kesh një muze ose teatër. Është një qendër kulturore. Është një vend ku do të shkosh, dhe për këtë arsye përbën një investim të mirë”.

Por në asnjë mënyrë, nuk mund të quhet një biznes i lehtë. Shumë shitës të librave të përdorur me vendndodhje të keqe ose menaxhim jo të mirë – ende përballen me vështirësitë e periudhës dixhitale.

Një rrugë që disa e kanë zgjedhur, por që të tjerë nuk e preferojnë, është zgjerimi i konsumatorëve duke listuar inventarët e tyre te shitësit e palës së tretë të Amazon, një ide që shumë shitës të librit të ri e përçmojnë.

Wonder Book & Video i shet librat e vet të përdorur në Amazon dhe vende të tjera në internet. Shitjet janë aq të mëdha, saqë iu desh të zgjeronin ambientet. Rreth 4 milionë libra të përdorur gjenden në rafte.

Një rol të rëndësishëm luan edhe inventari. Libraritë e përdorura zhvillohen ose falimentojnë bazuar te librat që janë në gjendje të blejnë. Duhet të kenë paksa fat për t’i ecur.

Vdekja, divorci apo largimi i njerëzve janë një nga shkaqet që furnizojnë tregun me librat e përdorur. “Ne marrim shumë nga librat tanë sipas kësaj mënyre”, tha Buruell. “Njerëzit shpesh trishtohen që u duhet t’i shesin kur zhvendosen nga një vend në tjetrin. I them se mund të vijnë për vizitë derisa të shiten”.

Por pronarët ende duhet të bindin njerëzit të frekuentojnë dyqanet e tyre. Për këtë kanë ndihmuar eventet e leximit. Sierra, libraria e të cilit është në një lagje në ndryshim me banorë hispanikë, do të organizojë aktivitete dygjuhësore.

Por asgjë nuk është më e fuqishme sesa eksperienca e soditjes në ambientet e librarisë, humbja në tufën e madhe të librave, zbulimet e çastit dhe bisedat rastësore me njerëz interesantë.

Megjithëse fitimet nuk do t’i bëjnë pronarët e vegjël të librarive të përdorura pasanikë, ato janë një mjet i mirë për të paguar faturat dhe për të bërë atë që ata duan.

“Kurrë nuk e di se çfarë do të gjesh brenda një libri të përdorur”, thotë një klient i një prej këtyre dyqaneve.

Burimi: Washington Post

Perktheu: Gazeta SHQIP

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>