nga Admin

5 Janar, 2016

Ismail Kadare

Franca e nderon Ismail Kadarenë me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit”

Ismail KadareViti 2016 ka nisur me një lajm të mirë për letrat shqipe. Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, është nderuar me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit” një nga dekorimet më të larta ta shtetit francez dhënë nga vetë Presidenti François Hollande. Bashkë me Kadarenë, ky çmim ka shkuar dhe për shkrimtarin Michel Tournier dhe muzikantin Michel Legrand, ndërsa këngëtarja Vanessa Paradis “Kavalier i Legjionit të nderit”. Ky çmim vjen në fillim të një viti të shpallur si “viti i Kadaresë” nga ana e Bashkisë së qytetit të Gjirokastrës, pasi përkon me 80-të vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Ky vlerësim është quajtur një fillim i mbarë i vitit për kulturën shqiptare. Kryeministri Edi Rama në faqen e tij në “Facebook”, u shpreh se  “në hyrje të 2016-s që përkon edhe me vitin e 80-vjetorit të shkrimtarit tonë botërisht të mirënjohur, Presidenti François Hollande e ngriti Ismail Kadarenë në gradën më sipërore të Urdhrit të Legjionit të Nderit, dekorata më e lartë e Francës! Urime nga zemra me mirënjohje e respekt, shkrimtarit që e ka çuar gjuhën shqipe në maja të pashkelura më parë dhe e ka bërë veprën e tij, të lexohet e të admirohet në plot gjuhë të botës”. Një lajm fantastik e ka quajtur dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Në një postim në “Twitter”, ministri Bushati shprehet se “2016 nis me lajm fantastik: #Kadare u dekorua “Komandant i Legjionit të Nderit”, më e larta e Francës”. “Nderim i madh për Kadarenë&Shqipërinë”. Për ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, kjo ishte mënyra më e mirë si mund të niste 2016-ta”. Nderim për veprën e Ismail Kadaresë, një nder shumë i madh që i bëhet edhe Shqipërisë dhe gjuhës shqipe në të cilën krijon shkrimtari. Hapet kështu një vit i veçantë për letrat shqipe!”, shprehet Kumbaro.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>