Dritëroi mbush sot 79-vjeç, jeta e kolosit të letrave shqipe

0
653

Këtu s’do të jem, do jem larguar
Nën tokë i tretur si të tjerët
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët
Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla ime e thatë
Mbi varrin tim do të rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë…Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë
Atje i fshehur do të jem unë
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.

Shkrimtari Dritëro AgolliE kush tjetër përveç Dritëro Agollit do të thurte këto vargje të poezisë kult “Kur të jesh mërzitur shumë”. Figurë emblematike e letërsisë dhe e politikës, Dritëro Agolli sot mbush 79 vjeç. I lindur në Menkulas të Devollit, pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës dhe më pas studimet e larta për Letërsi i mbaroi në Petërburg. Punoi shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombës, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Agolli s’ka pushuar së qeni një poet mjaft popullor, që s’mban kurrfarë distance me lexuesin e thjeshtë; që dhimbjen, gëzimin dhe dobësinë njerëzore i merr si ndjenja universale dhe i shkrin me filozofinë jetësore. Dritëro Agolli është një shkrimtar i mësuar me “goditje rrufesh”. Në vitin 1965, një plenum i posaçëm i Komitetit Qendror të Partisë së Punës për letërsinë dhe artet, e kishte kritikuar në raportin kryesor librin e tij “Zhurma e erërave të dikurshme”, i cili pastaj u hoq fare nga qarkullimi. Ndonëse periudha e liberalizmit në kulturë (1972-1974) e gjeti “në pozita të shëndosha” (sapo kishte botuar poemën “Baballarët”, që evokonte lidhjen e brezave dhe jo konfliktin e tyre), romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që botohej pjesë-pjesë në revistën “Hosteni”, u ndërpre me porosi nga zyra të larta të shtetit. Ndonëse nuk e reshti krijimtarinë, pesha e fjalës së Dritëroit u ndje në momente kyçe të historisë shqiptare të 20 viteve të fundit. Ai është figura emblemë e të majtës shqiptare, duke përcjellë mesazhet për dashurinë për vendin, njëri-tjetrin dhe jetën.

Burimi: Gazeta Shekulli