nga Admin

19 Prill, 2009

Perandoria Britanike thuhet se nuk bëri asgjë kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë më 1939. Kjo është thënë gjithmonë gjatë 50 viteve të fundit. Por disa ditë më parë, e përditshmja Britanike Daily Telegraph publikoi në internet arkivën e vet historike, ku shumë shkrime të vlefshme që janë publikuar në prill të vitit 1939, japin detaje të rëndësishme për atë që ndodhi ditët para dhe pas pushtimit të Shqipërisë. Nga shkrimet e publikuara, ndoshta më interesanti është një analizë e shkruar nga vetë Winston Churchill, kryeministri i ardhshëm i Britanisë, që në atë kohë qe një nga anëtarët më me ndikim të parlamentit Britanik. Shumë detaje interesante dalin në këtë analizë, fakte që mund t’i zbuloni më poshtë në shkrimin që kemi përkthyer për ju. Lexim të këndshëm…

A është lufta apo paqja që i intereson më shumë Mussolinit?
Winston ChurchillNë shumë vende është shtruar pyetja nëse Signor Mussolini do ta çojë Italinë në një luftë botërore në krah të Gjermanisë apo jo. Shumë njerëz besojnë se pas asaj që ndodhi gjatë netëve të shkuara, kjo pyetje ka marrë përgjigje. Marrëveshja Anglo-Italiane u dhunua në mënyrën më të pafytyrë. Nuk ka as edhe një çështje të vetme për të cilën premtimi mund të thuhet se u mbajt.

Nga i nderuari Winston Churchill, M.P

Italia premtoi të reduktojë ushtrinë e vet në Libi me 30 mijë vetë. Ajo i tërhoqi këto trupa, por i ktheu sërish pas. Italia premtoi të tërheqë trupat e veta nga Spanja, sapo lufta civile të mbaronte. Lufta ka mbaruar, por trupat e saj janë ende atje.
Ajo premtoi të mos e ndryshojë status quo-në në Mesdhe, gjë që përfshinte, dhe nënkuptohej se përfshinte, edhe Adriatikun. Tashmë ajo hodhi duart e saja të dhunshme mbi pavarësinë e Shqipërisë. Ajo premtoi se të gjitha lëvizjet e trupave do të njoftohej paraprakisht te pala tjetër. Por ky premtim u thye në mënyë të neveritshme.

Ushtritë mund të izolohen
Si për të dëshmuar edhe një herë natyrën e vet gënjeshtare, garanci precize iu dhanë Ambasadorit Britanik nga Konti Ciano se asnjë lëvizje trupash drejt Shqipërisë nuk qe në plan. Pikërisht në atë moment, anijet dhe trupat po suleshin drejt viktimës.

Nuk është e mundur të shohësh një panoramë më të plotë të besës së shkelur dhe pandershmërisë nga ajo që është treguar. Ndonjë mund të besojë se  një qeveri që qe betuar në mënyrë kaq solemne në respektimin e një marrëveshjeje, që sapo qe lidhur me një Fuqi mike, nuk ka mundësi që e ndau mendjen të hyjë në armiqësi me atë Fuqi.

Gjithsesi, megjithëse besa mund të thyhet, interesi mbetet. Qe një maksimë e shekullit të 18të, përmendur nga Duka i madh i Marlborough – “Interesi nuk gënjen kurrë.” Dhe sigurisht interesat Italiane mund të plagosen rëndë nga një luftë kundër Britanisë së Madhe dhe Francës në Mesdhe.

Asnjë vend nuk ka qenë kaq i plandosur sa Italia në këtë çast. Katër ushtri të ndara kanë lënë brigjet e saj dhe mund të izolohen në mënyrë të pashpresë nëse Marina Italiane mposhtet nga flota Anglo-Franceze. Këto flota janë pakrahasimisht më të fuqishme sesa ajo Italiane. Edhe sikur të gjitha anijet italiane të drejtoheshin nga Mussolinë, është e vështirë të besosh se ato do të mund të qëndronin mbi det  përballë goditjeve tona.

Gadishulli i gjatë dhe i dobët
Asgjë nga ato që ka ndodhur në luftë dhe asgjë nga ato që ne kemi mësuar deri tani, nuk na bën të besojmë se burrë për burrë, marinarët italianë janë dy apo tre herë më të aftë sesa britanikët apo francezët. Modestia na shtyn të shprehemi në këtë mënyrë.

Nëse një luftë botërore do të na detyrohet këtë vit ka shumë gjasa që veprimet e para vendimtare të arrihen në Mesdhe dhe këto veprime mund të sjellin pasoja shkatrrimtare mbi ushtritë italiane në Abisini, Libi, Spanjë dhe Shqipëri.

Disa strategë britanikë besojnë se në një luftë botërore kundër Nazizmit, mund të jetë një avantazh pozitiv të kemi Italinë si armik. Në këtë gadishull të gjatë dhe të dobët, me mungesën e dukshme të lëndëve të para, ato vërejnë një skenë ku fitore të rëndësishme mund të arrihen.

Ata deklarojnë se Gjermania do të detyrohet të mbajë Italinë, njësoj si ajo mbajti Austrinë në luftën e fundit. Furnizimet gjermane do të duhet të dërgohen në jug. Ky proces, sakaq ka filluar. Trupat gjermane – mbi të gjitha, avionët gjermanë – do të duhet të angazhohen në mbrojtje të Italisë e për rrjedhim, edhe në aventurat italiane të përtejdetit.

Dëshira e njerëzve për paqe
E ardhmja nuk mund të jetë e kënaqshme për popullin italian. Nëse dominimi Nazist do të jetë i suksesshëm në mposhtjen e rezistencës së Francës dhe Perandorisë Britanike, ndoshta të asistuar nga Shtetet e Bashkuara, natyrisht, do të ketë shumë gjëra për t’u ndarë. Por Gjermania do të jetë tigri ndërsa Italia  shërbëtori i ri që ka dalë për gjah bashkë me të. Gjermanët kanë një mënyrë, kur hyjnë në vende të ndryshme. Ato hedhin të gjithë peshën e tyre mbi to. Edhe nëse shpresat më të mëdha të aksit Berlin-Romë do të realizohen, Italia do të jetë në fakt, ndoshta jo në emër, një vend i varur nga fuqia Naziste.

Por fatet e luftës ndoshta nuk do të ndjekin këtë rrugë. Kombet e mëdha të Perëndimit, ekzistenca e të cilave mund të jetë në rrezik si dhe ato aleatë në Lindje, mund të bashkohen përballë presionit e në fund mund të jenë të suksesshme. Në këtë rast, Italia jo vetëm që do të vuajë goditjet e rënda të fillimit, por mund të dalë në anën e të humburve në përfundim. Sido që të vijnë punët, prespektiva italiane nuk duket joshëse për këdo që e sheh situatën me gjakftohtësi.
Ka arsye për të besuar se kjo është ajo çfarë mendon populli italian. Shumica e tyre nuk lejohet të marrin pjesë në diskutimin mbi të ardhmen e vet. Atyre u tregohet vetëm çfarë është e mirë për ta të dëgjojnë. Mendimet e lira parandalohen që në embrion.

Por ne na kanë thënë se edhe në Këshillin e Madh Fashist fjalë të vrazhda janë hedhur kundër politikës së hyrjes së Italisë në një luftë Mesdhetare kundër Britanisë dhe Francës. Një udhëheqës i rëndësishëm thuhet se ka deklaruar se Italia nuk duhet të futet në luftë “kundër vullnetit të Kishës, të Mbretit dhe të popullit”.

Ne mund të themi se, nga kontaktet e panumërta që ekzistojnë në rang individual mes Britanikëve dhe Italianëve, ky është mendimi i përgjithshëm në të gjithë Italinë. Do të jetë një fatkeqësi e vërtetë që popullata industrialiste dhe e logjishme italiane ta gjejë veten të dënuar me një luftë shkatërrimtare kundër dy demokracive të Perëndimit. Padyshim ata janë siguruar dhe francezët dhe britanikët janë shterpë dhe dekadent; që ato janë kalbur me bolshevizëm; që janë të paaftë për punë burrash. Por kjo propagandë nuk ka bindur shumë vetë dhe në këtë çast mbetet e dyshimtë nëse Signor Mussolini ka apo do të ketë fuqinë për të detyruar Italianët t’i hyjnë kësaj fundosjeje të tmerrshme.

Lëvizje lokale apo një plan më i gjerë?
Pushtimi Italian i Shqiperise ne vitin 1939Thyerja e marrëveshjeve me Britaninë e Madhe, për të cilat shumë njerëz ndjenin se nuk ishin thjeshtë në letrën ku qenë shkruar, nuk është domosdoshmërisht një hap final. Mizoria kundër Shqipërisë shfaqet, si shumë episode në këto kohë, një maskë me shumë kuptime.

Ajo mund të jetë lëvizja e parë Gjermano-Italiane mbi Ballkan, gjë që do të sjellë detyrimisht luftë të përgjithshme. Sigurisht që lëvizja e trupave dhe municioneve drejt Shqipërisë, shumë përtej asaj që është e nevojshme në Shqipëri, duket se mbështet këtë këndvështrim të errët.

Nga ana tjetër, dikush mund të imagjinojë Mussolinin duke shpjeguar se ky ekskursion në Shqipëri është thjeshtë një aksident lokal. Mund të thotë se, ai, hodhi kërkesa në Francë, kërkesa që besonte se ishin të drejta, por që iu refuzuan hapur. Jo Tunizia, jo Korsika, jo Nisa, jo pa një luftë kundër Fuqive Perëndimore. “Ku tjetër,” mund të ketë ulëritur ai, “mund të shkoj unë te kjo Shqipëri, e cila më jep mua diçka për t’ia treguar popullit, pas gjithë vuajtjeve të tyre, pa hapur një luftë të drejtpërdrejtë me Anglinë dhe Francën?”

Garanci për integritetin e Greqisë
Kush do ta zgjidhë gjëegjëzën? Mund të jetë një përgjigje e nxituar. Gjithçka që përmblidhet në këtë artikur është që nuk ka ende një përgjigje nga qeveria Italiane. Por gjithçka duhet të sqarohet shpejt. Qeveritë Britanike dhe Franceze besohet se po përgatiten të japin një garanci për Greqinë dhe Turqinë. çdo sulm mbi tërësinë apo pavarësinë e Greqisë, e cila është më pranë rrezikut, do të sjellë një luftë në Mesdhe dhe padyshim do të jetë një sinjal mbi një konflikt shumë më të rëndë në veri.

Megjithëse është e rrezikshme të parathuhet në një kuptim pozitiv, ne sëpaku mund të ndjejmë gjatë kohës që shkruajmë se aksi Berlin-Romë nuk ka themele më të shenjta sesa Pakti Anglo-Italian.

LIBRA ME INTERES

  • une do te deshiroja shuum qe ne ket web faqee te del edhe pushtimi i Gjermanis sepse mua me pelqenn shuum

  • Me mahniti aftesia qe ka per te parashikuar.Shume gjera me vone,ne lidhje me luften e dyte boterore kane vijuar sipas kesaj.Ndrsa ne lidhje me fatin e shqiperise,tregon indiference.

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >