nga Admin

6 Tetor, 2016

Autori, Vladimir Nabokov

Autori, Vladimir Nabokov

Përshëndetje Miq të Librit,

Siç mund ta keni vënë re edhe nga postime të mëhershme, kjo është një si tip tradite që ne po përpiqemi të vëmë në lidhje me ato që ju, lexuesit dhe klientët e Shtëpisë së Librit keni zgjedhur. Gama e librave kësaj here është disi më e ngushtë ku balanca është ndërmjet librave me autorë shqiptarë dhe atyre të huaj. Një gjë është e sigurtë – klasikët nuk vdesin kurrë!

Më poshtë po ju paraqesim një listë të shkurtër të titujve të zgjedhur nga ju gjatë muajit shtator 2016:

  1. Princi i vogël, Antoine de Saint-Exupery

    “Princi i vogël”, vepra e fundit e autorit të njohur francez A.de Saint-Exupéry (1900-1944) botuar më 1943, pra që në gjallje të tij, përbën një tjetër hap të këtij krijuesi serioz për të përpunuar pikëpamjet e tij mbi botën dhe marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e për t’ia parashtruar ato vëmendjes së lexuesve.

  2. Zonja Z, Albatros Rexhaj.

    “Zonja Z” është një libër protestues, një zë revolte e indinjate për shoqërinë shqiptare të përbërë kryesisht nga femra të ndrydhura e meshkuj të tredhur. Dy shpirtra binjakë kërkohen, gjenden dhe, të kapur dorë për dore, përballen me paragjykimet dhe tabutë shqiptare.

  3. Sikur të isha djalë, Haki Stërmilli

    Fragment nga libri: “Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem.”

  4. Lolita, Vladimir Nabokov.

    Humbert Humberti, një kritik letrar në mesmoshë, pas martesës së tij të dështuar, niset në kërkim të një strehe ku mund të shkruajë i qetë, diku në një qytezë në New England. Ndërsa është duke këqyrur për një dhomë me qera në shtëpinë e zonjës Hejz, sytë e tij ndeshin të bijën e zonjës së shtëpisë, Dolorezën, një dymbëdhjetëvjeçare e rritur para kohe, pas së cilës ai nis e lë mendtë.

  5. Zonja Bovari, Gustav Flober.

    Ema Bovari është një vajzë provinciale që lexon shume libra romantikë dhe ka marrë një formim konservator në manastir. Për shkak të letërsisë romantike që lexonte, Ema bën zgjedhjet e gabuara në jetë, humbet lidhjet me realitetin dhe shndërrohet në një viktimë të pasioneve të saj, të cilat e orientojnë drejt aventurave të pafundta.

  6. Harry Potter dhe Guri Filozofal, J.K. Rowling

  7. Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, Edith Durham.

  8. Rebelimi i Lulus, Albatros Rexhaj.

    “Rebelimi i Lúlus” është një letër e gjatë, gjithnjë drejtuar Lúlus, ku monologu kthehet në dialog të arrirë në pritje që zërit të autorit t’i shtohet edhe zëri yt. Mes ideologjish që duhen përqafuar, mes udhësh që duhen ndjekur, mes përpjekjesh për t’u përsosur, shoqëria shqiptare po kërkon një fytyrë përfaqësuese për shqiptaren dhe shqiptarin bashkëkohor.

  9. Hamleti, Uilliam Shekspir.

  10. Abetare për fëmijët e kopshteve.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>