Vjen në shqip manifesti Gratë dhe pushteti nga Mary Beard, klasicistja e Kembrixhit, njeriu që përballet rregullisht me trollsat e botës së medias sociale dhe që refuzon të heshtë dhe të mos u përgjigjet atyre për shkak se, siç vëren ajo, nëse heshtim, ata fitojnë.
Sipas Aristotelit, zërat e grave ishin dëshmi e poshtërisë së tyre. Virtyti shprehte veten me zë të plotë, të thellë – si angullima e luanit, e demit dhe (nuk ka pse të na çudisë) si zëri i mashkullit njeri. Zëri i grave, i hollë dhe i padenjë, konsiderohej, jo vetëm kot, por edhe i rrezikshëm apo i papastër. Vetë zëri i grave mjaftonte, besohej në atë kohë, për të rrëzuar një shtet.
Klasicistja e universitetit të Kembrixhit Mary Beard shkroi në manifestin e saj magjepsës “Gratë dhe Pushteti” se si, në ato pak raste të rralla në të cilat gratë folën në sferën publike të botës së lashtë të kulturës evropiane, vetë ky “krim” u justifikua, në shumicën e rrethanave, nga sugjerimi që gratë të folën, në të vërtetë nuk ishin gra.
Por a kemi ndryshuar ne në botën moderne dhe a e kemi kapërcyer këtë mizogjini të lashtësisë? Beard tërheq vëmendjen nga fakti që ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher mori leksione elokuence, synimi i të cilave ishte që ta bënte zërin e saj më të thellë dhe më pak femëror si dhe te fakti se shumë dhe shumë politikane të sotme, pavarësisht se sa lartë ngjiten në botën e pushtetit, zgjedhin kostumet me pantallona dhe xhaketa për shfaqjet e tyre në publik.
Beard gjurmon mizogjininë e shfaqur rëndom në botën e sotme sa herë që një grua flet në sferën publike te vetë tradita letrare e botës Evropiane, duke filluar nga mijëvjeçari i parë para erës sonë dhe për të mbërritur te sulmet seksiste me të cilat u përball Hillary Clinton në fushatën e saj presidenciale, (me të cilat gratë politikane përballen rëndom kudo në botë).
“Kur vjen puna për mbylljen e gojës së grave, kultura Perëndimore ka eksperiencë mijëvjeçare,” vëren Beard.
Gratë dhe pushteti është një libër xhepi që bart dy leksione publike të Beard. Ajo analizon teknikat që mizogjinia e sotme dhe nënvetëdija e bartur te mitet e lashtësisë përdor për t’i mbyllur gojën grave, nga ato të dukshmet “qepe, kurvë” te ato më të maskuara, në të cilat, argumentet e dhëna nga gratë përshkruhen në median popullore si “vikasje”, “qarje” apo “qurravitje” (apo, në rastin e mitit të përdhunimit të princeshës Filomela, asaj i presin gjuhën në mënyrë që të mos ketë mundësi të denoncojë).
Beard është e famshme për praninë e saj aktive në botën e medias sociale, në të cilën vijon të qëndrojë pavarësisht sulmeve të pafundme të trollsave, të cilat, me raste kanë kapërcyer në kërcënime me jetë. Këshillës së shumë miqve që të tërhiqet nga media sociale, ajo i përgjigjet duke thënë se diçka e tillë do t’i linte trollsat fitimtarë.
Beard nuk ofron në këtë Manifest vetëm analizën se si gjendja është, por, në mënyrë thelbësore, çfarë ne duhet të bëjmë për ta ndryshuar këtë gjendje. Ne duhet të hetojmë mbi konceptet që ne kemi mbi pushtetin, thotë Beard dhe të gjejmë se pse gratë përjashtohen nga pushteti; ne duhet të ekzaminojmë konceptet që ne kemi mbi autoritetin sepse “nuk mundet që gratë të përshtaten me një strukturë që sakaq është e koduar si mashkullore.”
Beard tërheq vëmendjen te themelueset e lëvizjes Jetët e Zezakëve vlejnë, Alicia Garza, Patrisse Cullors dhe Opal Tometi si shembulli i riformatimit të pushtetit përmes vendosjes së lëvizjes mbi personalitetin dhe përmes transformimit të prestigjit publik “nga diçka që mund të posedohet, te diçka që mund të jetë e përbashkët”.
Beard është e njohur për disa libra të shumëshitur, të cilat ritregojnë historinë e Romës së lashtë nga një këndvështrim krejt i panjohur, me një sy kritik që është bërë tregues i mënyrës se si historia duhet të studiohet dhe të shkruhet.