28 Shtator, 2024

Në romanin e vitit 1948, me titull, 1984, Orwell parapa një rend global të ndarë në blloqe, në luftë të përhershme me njëra-tjetrën, që të gjitha të sunduara nga diktatura totalitare. Bota e sotme bart shumë ngjashmëri me atë që Orwell e imagjinoi gati 80 vjet më parë.Bombat raketë binin në Londër herë pas here sa për t’i rikujtuar njerëzve se se lufta vazhdonte, shoqëruar me teori komploti të pamundura për t’u vërtetuar se këto bomba hidheshin nga vetë qeveria e Oqeanisë për të mbajtur popullin në gjendje të vazhdueshme terrori dhe për të justifikuar nevojën për një diktaturë totalitare. Në detin Mesdhe, varkat me refugjatë sulmoheshin me mitralozë nga helikopterët e luftës dhe vrasja e tyre i paraqitej popullit në kinema, jo aq shumë për të informuar se sa për të terrorizuar. Bota kishte qenë në luftë për aq sa njeriu ishte në gjendje të mbante mend.

Në romanin 1984George Orwell, bota ishte ndarë në tre superfuqi: E para ishte Oqeania, që nënkuptonte Britaninë e Madhe, Amerikën dhe të gjithë kontinentin amerikan, krahas Afrikës së Jugut e Australisë. E dyta ishte Euroazia, e cila nënkuptonte një Rusi të zgjeruar me të gjithë Evropën Perëndimore dhe e treta, Azia Lindore, e cila nënkuptonte Kinën.

Ndarja e botës në blloqe kaq të mëdha e bënte të pavlerë idenë se lufta bëhet për burime ekonomike. Sepse brenda secilit bllok gjendej çfarëdolloj lënde e parë e nevojshme ndërsa teknologjia ishte mjaftueshëm e përparuar sa bota të mos kishte nevojë të luftonte. Dhe në kushtet kur ekonomia nuk mundej të justifikonte luftën, atëhere çfarë mundej?

Të tre superfuqitë kishin lënë një zonë të lirë, një katërkëndësh që përfshinte Afrikën Veriore, Arabinë, zonën e Gjirit Persik dhe Azinë Qendrore. Ishte një zonë ku luftërat vijonin të bëheshin sipas stilit të vjetër, bazuar në justifikime për burime natyrore.

Bota e sotme nuk është shumë larg imagjinatës së Orwell, ndonëse tashmë ndarja dukshëm është mes botësn perëndimore demokratike nga njëra anë dhe superfuqisë diktatoriale në ngritje, Kinës në anën tjetër. E ashtuquajtura Euroazi, pra Rusia, ndonëse tashmë mban konflikte të shumta me perëndimin, në Ukrainë, në Gjeorgji, në Armeni apo në Siri, nuk është sot superfuqia që imagjinonte Orwell. Ndërsa sa i përket “katërkëndëshit ndërmjet”, zonës së planetit të papërfshirë nga ndonjë nga superfuqitë, gjërat duket se janë siç Orwell i pati imagjinuar. Konflikte të panumërta dhe mizore dhe krejtësisht të pakuptimta shtrihen në të gjithë territorin e Afrikës, nga terrorizmi islamik në Mali e në Nigeri te lufta civile në Libi apo në Sudan e më tutje, në Jemen, Afganistan e gjetkë.

Kufiri mes Oqeanisë dhe Euroazisë dukshëm nuk është aty ku e pati imagjinuar Orwell, në ngushticën e La Manche, por gjendet mijëra kilometra më tutje në tokën e sheshtë të Ukrainës lindore.

Imagjinata e Orwell tregonte gjithashtu se të tre superfuqitë ishin të angazhuara në aleanca fluide të cilat ndryshonin. Sipas këtij konteksti, sot jemi në pikën kur Euroazia, (Rusia) dhe Azia Lindore (Kina), janë në aleancë me njëra-tjetrën kundër “Oqeanisë”. Të treja palët kanë armë bërthamore dhe që të treja kanë kapacitetin teknologjik që të asgjësojnë njëra-tjetrën dhe rrjedhimisht, të zhdukin njerëzimin nga faqja e dheut. Por asnjëra nuk përdor këto kapacitete dhe në vend të kësaj zgjedhin që të demonstrojnë kapacitetet e veta në teknologjinë e luftës nëpër konflikte “të vogla”, fjala vjen, Rusia testoi armët e veta në Luftën Civile në Siri ndërsa Perëndimi pati mundësinë të testojë armët e veta në tokë, ajër dhe det në luftën e Ukrainës.

Lexo më shumë:

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>