Disa fije floku nga Ludwig van Beethoven dhe teknologjia më moderne e mundshme zbuloi shkaqet se pse kompozitori i madh humbi gradualisht dëgjimin që kur ishte në të njëzetat.
Në orën 7 të mbrëmjes së 7 majit 1824, Ludwig van Beethoven, atëhere 53 vjeç, u ngjit në skenën e madhështores Theater am Kärntnertor në Vienë për të dirigjuar Simfoninë e Nëntë dhe të fundit që ai realizoi. Ajo shfaqje, e cila shënoi 200 vjetorin së fundmi, ishte e paharrueshme në shumë drejtime. Por ajo u shënjua nga një incident në fillim të lëvizjes së dytë, i cili zbuloi për audiencën me rreth 1800 vetë se sa shumë i ishte zbehur dëgjimi kompozitorit të adhuruar.
Ted Albrecht, një profesor i muzikologjisë në Universitetin Shtetëror Kent në Ohajo dhe autor i një libri të kohëve të fundit mbi Simfoninë e Nëntë e pëshkruan skenën në këtë mënyrë:
Lëvizja e dytë fillon me daulle të fuqishme dhe në luajtjen e parë 200 vjet të shkuara, dëgjuesit u ngritën duke brohoritur me gëzim. Vetëm se Beethoven-i nuk e dëgjoi duartrokitjen e zjarrtë. Ai ishte me kurriz nga dëgjuesit dhe ishte duke vijuar të rrihte kohën. Në atë çast, një soloist e kapi për mënge dhe e ktheu që të shikonte ngazëllimin që kishte shkaktuar muzika e tij, ngazëllim të cilin ai nuk mundi ta dëgjonte.
Ishte një poshtërim shtesë për një kompozitor i cili ishte përndjekur nga humbja e dëgjimit që kur kishte qenë në të njëzetat.
Por pse e humbi ai dëgjimin? Pse ai vuajti nga spazmat, gastriti dhe diarreja?
Një numër simpatizantësh dhe ekspertësh kanë debatuar mbi teori të ndryshme që nga ajo kohë. A mos ishte një sëmundje kockash ajo që përmes kafkës i preku dëgjimin? Apo mos ishte ai i sëmurë nga sifilizi, pankreasi, diabeti apo ndonjë sëmundje veshkash?
Pas 200 vjetësh, zbulimi i një substance helmuese në medalionët që bartin flokët e kompozitorit mundet të ketë zgjidhur këtë mister.
Historia nisi disa vite më parë kur kërkuesit zbuluan se analiza e ADN-së kishte përparuar mjaftueshëm sa të mund të lejonte ekzaminimin e fijeve të flokut që thuhet se i ishin prerë Beethoven-it nga simpatizantët e tij ndërsa ai gjendej i shtrirë duke vdekur.
William Meredith, drejtor i Qendrës për Studimet mbi Beethoven-in në Universitetin Shtetëror San Jose filloi të kërkojë për medaljone me flokë nëpër ankande dhe muzeume. Ai siguroi pesë medaljone që u konfirmuan nga analiza e ADN-së se kishin ardhur nga koka e kompozitorit.
Kevin Brown, një biznesmen australian i apasionuar pas Beethoven-it, kishte tre medaljone dhe kishte edhe dëshirën për të plotësuar edhe kërkesën e vitit 1802 nga vetë Beethoven-i, i cili pati kërkuar që mjekët të përpiqeshin të zbulonin se pse ai kishte qenë kaq i sëmurë. Medaljonet u dërguan në një laborator të specializuar në klinikën Mayo, ku gjendeshin pajisjet dhe ekspertiza për të testuar për metale të rënda.
Rezultati, tha Paul Jannetto, drejtori i laboratorit, ishte tronditës. Një prej medaljoneve me flokë të Beethoven-it kishte 258 plumb për gram flokë dhe tjetri kishte 380 mikrogramë. Niveli normal është më pak se 4 mikrogramë për gramë-
“Përfundimisht Beethoven-i ishte i ekspozuar përkundrejt përqendrimeve shumë të larta të plumbit,” tha dr. Jannetto.
“Këto janë vlerat më të larta në flokë që kam parë ndonjëherë,” shtoi ai. “Ne marrim kampionë nga e gjithë bota dhe këto vlera janë shumë, shumë të pazakonta.”
Flokët e Beethoven-it kishin gjithashtu nivel arseniku 13 herë më të larta se sa normalja dhe nivel mërkuri katër herë më të lartë. Por dr. Jannetto, thotë se ishte sasia e pazakontë e plumbit ajo që mund të ketë shkaktuar shumë nga problemet e tij shëndetësore.
David Eaton, një toksikolog, tha se “problemet gastrointenstinale të Beethoven-it janë të lidhura me helmimin nga plumbi.” Ai shtoi se dozat e larta të plumbit duhet të kenë ndikuar edhe sistemin e tij nervor, gjë që mund të ketë sjellë humbjen e dëgjimit.
Askush nuk po sugjeron se kompozitori mund të jetë helmuar qëllimisht. Jerome Nriagu, një ekspert, thotë se plumbi është përdorur te verërat, ushqimet dhe shumë ilaçe përgjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë në Evropë.
Një burim i mundshëm për plumbin në trupin e Beethoven-it mund të ketë qenë vera e lirë. Plumbi në formën e acetatit të plumbit, i cili njihej edhe si “sheqeri i plumbit”, kishte një shije të ëmbël. Në kohën e Beethoven-it, ajo shpesh i shtohej verës së keqe për t’ia korrigjuar shijen.
Vera gjithashtu fermentohej në ibrikë të veshur me plumb, i cili mund të depërtonte te vera ndërsa ajo vjetërohej. Ndërsa dr. Nriagu shton se edhe tapat në shishet e verës njomeshin në kripëra pumbi për të përmirësuar aftësinë e tyre vulosëse.
Beethoven-i pinte sasi të konsiderueshme vere, rreth një shishe në ditë, gjë që u shtua me kalimin e viteve. Ai besonte se vera i bënte mirë për shëndetin, por kjo dukshëm ishte rrjedhojë e faktit që kishte krijuar varësi prej saj. Në ditët e fundit para se të vdiste në moshën 56 vjeç në citin 1827, miqtë i dhanë atij verë me lugë.
Sekretari dhe biografi i tij, Anton Schindler, përshkroi çastet e tij të fundit: “Vuajtja e tij ishte e tmerrshme sepse trupi i tij, veçanërisht kraharori, ishte gjigant. Ai vijoi të pinte pak nga vera Rüdesheimer me lugë deri sa u nda nga ne.”
Ndërsa gjendej në shtratin e vdekjes, botuesi i dha atij dhuratë 12 shishe verë. Në çastin që Beethoven-i kuptoi se nuk do t’i pinte dot, i pëshpëriti shokëve të tij: “Sa keq, sa keq – tepër vonë!”
Për një kompozitor, humbja e dëgjimit ishte me gjasa më e keqja e mundshme.
Kur ishte 30 vjeç, ende 26 vjeç para se të vdiste, Beethoven-i shkroi: “Tashmë u bënë gati dy vjet që nuk marr pjesë në takime shoqërore për shkak se e kam të pamundur të dëgjoj se çfarë thonë njerëzit: jam shurdhuar. Nëse do të kisha ndonjë profesion tjetër, mundej të përballesha me këtë dobësi, por në profesionin tim është një pengesë e tmerrshme. Dhe nëse armiqtë e mi, dhe i kam disa si shumë, arrijnë ta mësojnë këtë, çfarë do të mund të thonë?”
Në mosën 32, Beethoven foli trishtueshëm se nuk ishte në gjendje të dëgjonte një flaut apo një bari duke kënduar, gjë që, shkroi ai, “më dëshpëton. Vetëm arti më ndaloi që të kryej vetëvrasje. Më dukej e pamendueshme të largohesha nga kjo botë para se të nxirrja gjithçka që ndjeja se gjendej brenda meje.”
Përgjatë viteve, Beethoven-i u konsultua me shumë mjekë, tentoi mjekime të ndryshme për sëmundjet e tij dhe për shurdhimin. Në një pikë ai po përdorte një pomadë dhe po merrte 75 ilaçe të ndryshme, shumë prej të cilave me gjasa përmbanin plumb.
Në vitin 1823, ai i shkroi një të njohuri, gjithashtu i shurdhët, mbi paaftësinë e tij për të dëgjuar, duke e quajtur atë “një fatkeqësi të trishtë.” Ai shtoi: “Mjekët nuk dinë gjë. Me kalimin e kohës, të lodhin.”
Simfonia e tij e nëntë me gjasa ishte një mënyrë për të luftuar trishtimin që ndjente me artin e vet.
Që kur kishte qenë adoleshent, ai ishte magjepsur nga një opemë, “Odë për lumturinë”, nga Friedrich Schiller.
Ai e vendosi poemën mbi muzikën e tij te e Nënta, e kënduar nga një soloist dhe një korr – rasti i parë i njohur i këngës në një simfoni. Ishte kulmi i simfonisë, përshkruar si një kërkim për lumturinë.
Lëvizja e parë është përshkrim i dëshpërimit, shkroi Beethoven-i. Lëvizja e dytë, me daullet e forta, është përpjekje për ta thyer dëshpërimin. E treta zbulon një botë “të butë” ku dëshpërimi është lënë mënjanë. Por të lësh mënjanë dëshpërimin nuk mjafton, tha ai. Në vend të kësaj, “duhet të kërkosh për diçka që na mban ne në jetë.”
Ishte lëvizja e katërt dhe e fundit ajo të cilën ai e quajti: Thirrja. Ishte Oda për lumturinë. Përgjatë të dyqind viteve, Simfonia e Nëntë e Beethoven-it ka prekur miliona njerëz. Në vitin 1972, Këshilli i Evropës vendosi përdorimin e Odës së lumturisë si motivi i himnit të Bashkimit Evropian.