nga Admin

25 Nëntor, 2012

Studiuesja dhe albanologia italiane prezantoi dje në Tiranë faktet mbi të cilat ajo bazon tezën se libri i parë shqip është shtypur në Venecia, një tezë e hedhur më parë nga Simon Rrota, Rrok Zojsi dhe Eqrem Çabej

Oliverta Lila (SHQIP)

“Meshari” i Gjon Buzukut është shtypur në Venecia. Kjo është teza që albanologia dhe studiuesja italiane Luçia Nadin prezantoi dje në konferencën shkencore të mbajtur në Bibliotekën Kombëtare. Nga ana tjetër, sipas saj, Gjon Buzuku kishte qenë një frat françeskan në Venecia. Këto të dhëna për librin e parë të gjuhës ajo i ka hedhur edhe në librin dygjuhësh “Shqipëria e rigjetur”, botuar nga “Onufri”. Nadin beson se ka arritur të vërtetojë këtë tezë të hedhur më parë nga Rrota, Zojsi, Çabej. Këta studiues të njohur i kanë qëndruar tezës së një botimi venecian, ndonëse librit i mungon frontespici me të gjitha këto të dhëna. Luçia Nadin, e cila edhe më parë është e njohur për studimet mbi Shqipërinë, mbi kërkimet për Statutet e Shkodrës, i mbështet përfundimet e saj mbi analizën e ilustrimeve grafike të traditës së botimeve veneciane të fillimit të ‘500-s. Studimi italisht-shqip per Mesharin e Gjon BuzukutDrejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, kujtoi se kjo konferencë vjen në një kontekst të veçantë, pasi “Meshari” qëndron i ekspozuar këto ditë për publikun shqiptar. Në fjalën e saj, Nadin theksoi se mbërriti te “Meshari” dhe te teza e botimit venecian përmes një studimi dedikuar botuesit të Barletit, Bernardino de Vitali. Botimet e marra në shqyrtim i dhanë mundësinë të gjente ngjashmëri të paraqitjes grafike, por edhe të tipografisë së shkronjave mes këtyre botimeve veneciane të 1510-1520 dhe “Mesharit” të Buzukut. “Bernardino de Vitali është një ndër botuesit më të mëdhenj në panoramën e aktivitetit botues venecian të 1500-s dhe e theksoj, botues i Marin Barletit. Duke studiuar Bernardino de Vitali, m’u desh të merresha edhe me botues të tjerë me të cilët ai mund të kishte bashkëpunuar. Duke u marrë me këto botime, hasa fillimisht në dy figura, të cilat ishin të pranishme edhe në ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut. Atëherë kuptova se pikënisja mund të ishte studimi i aparatit figurativ të ‘Mesharit’, një aparat jo shumë i pasur sepse libri është një botim ekonomik, me jo shumë shpenzime”, thekson Nadin. Përmes një videoprojeksioni, studiuesja paraqet figurinat që ka gjetur. Ëngjëllin Orate, që Nadin e kishte gjetur te “Meshari”, e kishte hasur në një botim më të hershëm, një Bibël e vitit 1512 botuar nga Bernardino Stanino, praktikë që e ka gjetur më pas edhe në botimet e Bernadinio Benalio, të dy miq të ngushtë. Studiuesja i referohet praktikës veneciane të pjesës së parë të ‘500-s, të vendosjes së figurave të profetëve brenda kornizave të vogla të zbukuruara. “Për disa figura të ‘Mesharit’ kisha gjetur përkatëset që më çonin në vitet 1510-1520. Ishin këto elementë që dëshmonin për një botim venecian”, thekson Nadin. Në vazhdën e argumenteve ajo u referohet edhe shkronjave të mëdha, të zbukuruara, që stilizoheshin edhe me figura të ndryshme brenda tyre. Kjo ishte vetëm njëra anë e studimit, ndërsa tjetra lidhet pikërisht me pyetjen: kush ishte Gjon Buzuku? Nadin kundërshton idenë se ai mund ta ketë botuar këtë libër duke u ndodhur në një vend tjetër e jo në Venecia. “Ai jetonte në Venecia, shërbente si frat në Kuvendin e San Jobit dhe mendoj se ‘Meshari’ u shkrua së pari për komunitetin emigrant shqiptar në Venecia”, thekson Nadin. Faktin që ky libër është i pari në shqip, Nadin e shpjegon me motivin se Buzuku e shkroi për t’i dhënë një shtysë gjuhës shqipe që në atë kohë ishte në rrezik asimilimi. Këtë e shpjegon me integrimin e menjëhershëm të komunitetit shqiptar, por edhe të pranisë së një komuniteti të madh sllav. Shqiperia e rigjetur, Lucia NadinDuke iu referuar kësaj shpërfaqjeje shqiptare, Nadin thekson se në vitet që i paraprinë “Mesharit”, gjenden një sërë botimesh si ai i vitit 1554 “Vita di Scanderbeg” i Barlezio di P. Rocca, por botimet mes viteve 1540-1550, synonin të tregonin rolin e Shqipërisë si tokë e krishterë në Ballkan. “‘Meshari’ mbyllet me një lutje në San Jobi (Shën Xhobi). Vetëm në Venecia, në zonën e qytetit përdorej termi ‘Shën’ për profetët dhe vetëm në këtë qytet në fund të librit vendosej një lutje specifike për shenjtin mbrojtës të kishës”, thekson Nadin. Dëshmitë e fundit studiuesja i sjell nga afresket e Kishës së Shën Sebastianit, ku dy engjëj mbajnë në dorë një kapak libri ku shënohet data 23 nëntor 1555. “Ne mund të hamendësojmë se ky shënon vitin e themelimit të kishës, por është në fakt viti i publikimit të ‘Mesharit’”, thotë Nadin, e cila në një konferencë që do të mbajë sot në Muzeun Historik Kombëtar, do të shpalosë fotografitë e afreskut ku është gjetur flamuri i Skënderbeut në Kishën e Shën Sebastianit në Venedik.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>