nga Admin

27 Mars, 2014

“Shqiptarët dhe hebrenjtë”,  monografi nga prof. dr. Shaban Sinani, botimet “Naimi” e sjellë në versionin shqip dhe anglisht
“Shqiptarët dhe hebrenjtë”, monografi nga prof. dr. Shaban Sinani, botimet “Naimi” e sjellë në versionin shqip dhe anglisht

Duke thelluar kërkimet e tij, sidomos në arkiva të huaja, në shërbim të plotësimit me fakte, argumente dhe dokumente të reja rreth lidhjeve shqiptaro-hebraike në funksion të shpjegimit shkencor të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë botërore në Shqipëri, sjellje unike që vazhdon të çudisë botën edhe sot e kësaj dite, studiuesi Shaban Sinani  sjell për lexuesin monografinë e re nën titullin “Shqiptarët dhe hebrenjtë”.  Megjithëse vijim e thellim i veprës së mëparshme të botuar në vitin 2009, vepra është një prurje e re jo vetëm në kërkimet për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri para dhe gjatë Luftës, por përgjithësisht për raportet historike e kulturore të shqiptarëve si popull e komb me hebrenjtë. Kjo ka bërë të nevojshme të ndryshohet struktura e librit të mëparshëm, të shtohen kapituj të rinj, të zgjerohet problematika e atyre kapitujve që janë ruajtur, të verifikohen dhe certifikohen të dhënat dhe pohimet e dyshimta dhe të konfirmohen të vërtetat thelbësore. Libri, në njërën anë, e lartëson dhe më qëndrimin shqiptar ndaj çështjes së hebrenjve, siç është e vërteta; në anën tjetër e çliron atë nga mitet dhe interpretimet folkloristike që po vërshojnë me shumicë prej vitesh dhe që shpërfillin historinë duke e zëvendësuar me legjendën.

Ndryshe nga shpjegimet e dhëna deri vonë, të motivuara kryesisht nga pozicione romantike, që mbështeten vetëm në atë që është quajtur virtyti shqiptar [besa, nderi, ndorja, kulti i mikut etj.]; që janë shoqëruar dhe me shtrembërime prej frikës për të thënë të vërtetën për qëndrimin unik të shqiptarëve si mikpritës dhe mbrojtës të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, autori, prof. dr. Shaban Sinani ka arritur të realizojë një vepër pothuaj shteruese për këtë argument. Në këtë studim çështja kthehet nga rrëfenjë në faktologji, dhe kjo është merita kryesore për të cilën mund të çmohet.

ballina hebrenjte anglisht fbNë librin Shqiptarët dhe hebrenjtë: mbrojtja dhe shpëtimi autori ka përfshirë dhjetëra ilustrime të argumenteve me dokumente origjinale, foto e dëshmi, si dhe qindra referenca të autorëve vendës dhe të huaj që janë marrë me këtë temë. Shumica e dokumenteve dhe dëshmive zbulohen për publikun për herë të parë, ashtu siç shqiptohen për herë të parë fakte, qëndrime dhe këndvështrime krejt të reja për praninë dhe shpëtimin e hebrenjve në trojet shqiptare. Burimet që janë shtuar janë nga arkivat e ish-Jugosllavisë, nga arkivat italiane e gjermane, nga arkivat amerikane, nga arkivat e institucioneve të specializuara si banka të kujtesës së dokumentuar.

Autori zbulon fakte, ofron këndvështrime të reja të pashqiptuara apo të keqshqiptuara më parë, si, për shembull, për rolin e ambasadorit të parë amerikan Herman Bernstein [me kombësi hebreje] në Shqipëri në gjysmën e parë të viteve 1930; për një përpjekje ndërkombëtare si nismë e Lidhjes së Kombeve [OKB e sotme] për ta parë Shqipërinë si një atdhe të mundshëm të hebrenjve të rrezikuar në Europë. Dokumente për personazhe të njohur të politikës, diplomacisë dhe kulturës hebraike zbulohen në këtë libër, duke nisur nga udhëheqësi i lëvizjes mesianike Sabbatha Zevi, deri tek ambasadori amerikan H. Bernstein e fizikani nobelist A. Einstein; figura të mbretërisë, si A. Zogu, Mehmet e Faik Konica; klerikë të njohur të asaj kohe si Dom Shtjefën Kurti; protagonistë të luftës si Bedri Pejani etj.; oficerë të lartë të Rajhut; figura qendrore të albanologjisë si ajo e Norbert Joklit, deri tek letrat e poetëve të njohur shqiptarë Fan Noli, Gjergj Fishta e Lasgush Poradeci në mbrojtje të hebrenjve.

Shaban SinaniAutori ka një meritë të veçantë sidomos për zbardhjen e plotë të fatit të hebrenjve të Kosovës. Për ta, deri vonë, ishte formuluar akuza se ishin dorëzuar tek nazistët nga shqiptarët e mobilizuar nga Gestapo. Në kapitujt 8 dhe 9, nën titujt përkatës  “Divizioni SS Skanderbeg dhe fati i hebrenjve në Kosovë në periudhën naziste” dhe “Ku u zhdukën hebrenjtë e Kosovës” autori zbardh enigmën e sjelljes gjoja të dyfishtë të shqiptarëve ndaj hebrenjve.  Duke dashur ta izolojnë meritën e mbrojtjes së hebrenjve vetëm tek shqiptarët e Shqipërisë shtetërore, edhe sot botohen studime për një qendrim ndryshe të shqiptarëve në Kosovë dhe për një fat ndryshe të hebrenjve atje. Sipas studiuesit Shaban Sinani, një rol vendimtar në sjelljen historike të shqiptarëve ndaj hebrenjve ka luajtur etnotipi i tyre, i shpjeguar ky jo vetëm me tolerancën e mirënjohur ndërfetare të shqiptarëve, por dhe me sjelljen e tyre mbrojtëse ndaj të huajve, sidomos në kohë rreziku. Dhe kjo shpjegon dhe qendrimin e njësojtë të tyre ndaj hebrenjve.

Me këtë rast, Naim Zoto, botuesi i librit të mëparshëm “Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi”, Tiranë 2009, ashtu si edhe i botimit të ri thotë se e ndjen si detyrim për të  bërë publike edhe një dukuri që u konstatua menjëherë pasi e vërteta e historisë së shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë e njohur prej prof. Sinanit. Për shkak të ndjeshmërisë së argumentit dhe debatit botëror që ekziston për Holokaustin, pas botimit të librit të parë një numër autorësh: studiues, gazetarë, njerëz të botës së imazhit etj., vendës e të huaj, e rimorën këtë temë duke iu referuar çudisë apo enigmës shqiptare të shpëtimit të hebrenjve. Për fat të keq, një pjesë e tyre do të shpërdoronin, më saktë do të keqkopjonin (shqip: vidhnin) apo përkthenin në gjuhë të tjera faktet, shifrat, dokumentet, argumentet, deri pjesë të tëra të librit origjinal, duke ia shitur lexuesit si zbulime të tyre. Kështu, njerëz që nuk kishin hyrë ndonjëherë në arkiva, për shkak të mosnjohjes, shkuan deri atje sa t’i paraqesin si dëshmi arkivistike edhe tabela e statistika që nuk ekzistojnë përveçse në laboratorin e punës dhe në botimin e autorit të librit. Për më tepër, duke marrë nga origjinali i publikuar shifra e fakte të shpëtimit të hebrenjve, disa autorë vazhdojnë t’i veshin e t’i shesin ato me një frymë apo me shpjegime krejt diletante apo romantike, një motivim ky në kundërshtim me të vërtetën historike dhe me standardet shkencore të librit të autorit, duke zbehur kështu besueshmërinë dhe vlerat reale të sjelljes shqiptare ndaj të huajve, në rastin konkret, ndaj hebrenjve. Ndoshta, për këtë arsye, botuesi ka risjellë në anën e pasme të kopertinës së librit vlerësimin publik që John L. Withers II, Ambasador i SHBA në Shqipëri, bëri për studiuesin Shaban Sinani më 27 janar 2010: “Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit nuk është i njohur aq sa meriton. Është diçka me të cilën të gjithë shqiptarët mund të krenohen. Shqipëria mund të bëjë gjithmonë më shumë për t’i treguar botës historinë e vet të shkëlqyer për të parandaluar persekutimin e hebrenjve në tokën e saj. Disa shqiptarë janë duke bërë pikërisht këtë. Për shembull, profesor Shaban Sinani. Punimet e tij të shumta dokumentojnë që, edhe në vitet më të errëta të holokaustit, në Shqipëri ndodhi një bashkim i të gjitha kaheve politike dhe besimeve fetare – antifashistë dhe profashistë, komunistë dhe nacionalistë, myslimanë dhe të krishterë, besimtarë dhe jobesimtarë – për t’u siguruar që asnjë hebreu të strehuar në Shqipëri nuk do t’i hynte gjemb në këmbë”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>