nga Admin

11 Nëntor, 2009

Flutura Acka (foto)

Shkrimtarja Flutura Açka sjell për lexuesin, romanin e saj të katërt.

Flutura Acka (foto)Romani “Ku je?” na kthen në vitet ’80 të shekullit XX në Skampis, një qytet shqiptar i kohës së diktaturës. Ira Gjormi, një vajzë shumë e re, jeton në Qytezë, një lokalitet pranë Skampisit, e detyruar nga një “liri” e çuditshme që ia jep një sëmundje e rëndë, të lëvizë nëpër Shqipëri në kërkim të shërimit dhe të zbulimit të pikëpyetjeve të familjes së saj të shkokluar nga fati. Ajo është e bija e një ish-pushtetareje të lartë, e rrëzuar për shkak të një gabimi “politik”. Një tjetër vajzë, Klara Daiu, një aktore e talentuar dhe e suksesshme, është e detyruar të ndjekë të njëjtin rrugëtim, për arsye të përafërta. Ajo është bartëse e një dashurie të pamundur, që bëhet thelbi i jetës së saj. Një skulptor me ide të çuditshme vegjeton në qytet në kërkim të identitetit të tij krijues. Ai është ithtar i Anarkisë dhe i grishjes substanciale të lirisë dhe petku i artistit të parealizuar dhe të diktuar do ta shqetësojë shpesh. Karakteret e këtij romani takohen mes tyre dhe nëpër rastësi ngrejnë jetën njerëzore me një të përditshme të gjallë mes absurdit dhe tragjedisë. “Ku je?” është një sagë e diktaturës që përfshin gati një qytet të tërë, e rrëfyer nga një prej dëshmitareve të asaj kohe. Nga dritaret e fëmijërisë së dikurshme, që përtej kureshtjes e ndihmuan të skanonte kohën në të cilën rritej, autorja sjell një fiction plot ngjarje, jetë, dramë, komedi, dhimbje, dhunë, dashuri dhe ethe padurimi, nëpër spirale rrëqethëse mes jetës dhe vdekjes. Ky roman është një klithmë e fuqishme për lirinë dhe dashurinë.

Libra të botuar të shkrimtares Flutura Açka

Kanë thënë për Flutura Açkën

“Personazhet e Flutura Açkës përsillen mes qëndrimit dhe ikjes, qetësisë dhe paranojës, shpresës dhe dëshpërimit, vuajtjes dhe lumturisë, të kaluarës dhe të ardhmes. Të gjitha këto e tipizojnë realitetin shqiptar, i cili përpëlitet midis ëndrrës ¬jetësore dhe vdekjes kërcënuese. Kështu mund të nënkuptohet se autorja aktivizon alarmin ekzistencial, si një pasthirmë ndërgjegjësuese për qenien njerëzore. Ajo e përdor tërë forcën e vet krijuese, si dhe ndjeshmërinë artistike, për të zbuluar psikologjinë dramatike, paradoksin modern të ekzistencës dhe mendësinë anakronike përballë kohës sonë.” – Ahmet Selmani, kritik, Shkup 2006

“Flutura Açka është një shkrimtare e shqetësuar, e angazhuar, e përkushtuar për civilizimin dhe qytetërimin e shoqërisë sonë. Në thelbin e unit krijues të Açkës, është kërkimi i formave të reja moderne të shprehjes, duke respektuar lirinë e saj krijuese, të vetëorientuar nga vizionet dhe qytetërimi modern. Shkrimtarja Açka dhe qytetarja Açka janë të çliruara nga çdo kompleks, nga çdo pushtim. Ato janë të lira. Açka është vetvetja… Duke qenë e çliruar nga komplekset, ajo është sa realiste, aq edhe origjinale e moderne në trajtimin artistik të dukurive të realitetit, si në rrafshin social e historik, ashtu edhe në atë të familjes dhe në rrafshin intim e të marrëdhënieve dashurore. Marrëdhëniet intime në prozën e saj përshkruhen me imtësi, pa rënë në vulgaritet e banalitet, por me një gjuhë tropologjike, të pastër, që e bën lexuesin të përjetojë çaste të bukura dhe të ndiejë kënaqësi estetike dhe shpirtërore.” – Mexhit Premçi, Tiranë 2005

“Flutura Açka legjitimohet si një ndër romancieret e spikatura të gjeneratës së re. Vepra e kësaj krijuese moderne, ka pamjen e mozaikut të fortë e të llojllojshëm. Këtë e dëshmojnë ornamentet e ndërtuara pa kufij, të gdhendura në një bazë unike. Fjalinë e zhdrejtë të saj nuk duhet ta kuptojmë si një lajthitje e dobësi të autores, por si një shpallje publike të “belbëzimit të gjeniut”, që tregon se kjo fjali është në shërbim të mënyrës moderne të rrëfimit.” – Prof. Hamit Xhaferi, Shkup 2004

“Açka është nga ato shkrimtare që aplikon një gjuhë të pastër, të krehur, elitare, gjuhë që të ngop, dhe sikur të ledhaton, të këndell, sepse ka shumë përkujdesje ndaj shqipes letrare. Prania e tretur bukur e miteve, e legjendave, e trilleve folklorike, i jep ca më shumë dritë fantazisë së saj…” – Prof. dr. Josif Papagjoni, Tiranë 2002

“Gjuha e rrëfimit të Açkës, përveç saktësisë së shprehjes, përveç sintaksës krejt shqip, të saktë dhe të qartë, ka një lëng dhe natyrshmëri që do t’ia kishin lakmi krijues e stilistë më në zë. Kur merret me jetën dhe fatet e njerëzve, kur përshkruan dhe shtjellon ngjarje nga jeta, ajo e lë hapur shtegun të besojmë se rrëfimi nuk është një modë, as një kokëkrisje, por është një domosdo për të thënë bërthamën e asaj që njeriu e quan jetë.” – Dr. Emin Kabashi, Prishtinë 2002

Kush është Flutura Açka(1996-)

Lindi në Elbasan (1966) është poeteshë, shkrimtare dhe botuese.

Është diplomuar për Statistikë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës më 1988 dhe për Gjuhë-Letërsi më 2001 në Universitetin e Elbasanit.

Pas studimeve universitare, punoi për disa vite si gazetare dhe më pas administratore dhe redaktore e botimeve në shtëpi botuese.

Më 2001, bashkë me të shoqin e saj holandez, ngriti shtëpinë e saj botuese me qendër në Tiranë.
Flutura Açka është shumë e njohur me poezinë e saj.

Në vitin 1997 ajo mori çmimin ndërkombëtar “Lira e Strugës” në Netët e Poezisë Strugane ku e ka përfaqësuar poezinë shqipe për disa vite.

Në vitin 1998 u zgjodh ndër 13 poetët më të mirë evropianë të gjeneratës së re në konkurrimin për çmimin e madh Tivoli-Europa në Itali.

Përfaqësohet me poezitë e saj në pjesën më të madhe të antologjive të poezisë shqipe në gjuhë të huaj dhe poezi dhe cikle të saj janë botuar në shumë gjuhë.

Edhe proza e saj po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, edhe jashtë vendit. Romani i saj i parë “Vetmi gruaje”, është përkthyer dhe botuar këtë vit në gjuhën bullgare.

Flutura Açka e ndan jetën e saj mes Tiranës dhe Utrechtit, Hol

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >