8 Korrik, 2019

“Problemi Spinoza”: mbi Zotin, Arsyen, Pasionet dhe Lumturinë

Mbi Zotin
1. Spinoza pyeti:
– Më thuaj Jakob, a beson se Zoti është i plotfuqishëm?
Jakobi pohoi me kokë.
– Se është i përsosur? I plotësuar në vetvete?
Sërish Jakobi tundi kokën në shenjë pohimi.
– Pra, e pranon se një qenie e përsosur dhe e plotësuar nuk ka nevoja, mangësi, dëshira, kërkesa. Nuk është kështu?
Jakobi u mendua, ngurroi, pastaj tundi kokën si me pahir.
– Pra, – vazhdoi Spinoza, – unë pohoj, që Zoti nuk ka dëshira lidhur me si, apo edhe me nëse, ne i thurim lavde. Pra, më lejo, Jakob, ta dua Zotin sipas mënyrës sime.

2. Problemi i ka rrënjët në një gabim të madh themelor, te hamendja se Zoti është një qenie e gjallë, që mendon, një qenie sipas përfytyrimit tonë, një qenie që mendon si ne, që mendon për ne. Grekët e lashtë e kuptuan këtë. Senofani shkroi se nëse buajt, luanët dhe kuajt do të kishin duar për të vizatuar pamjet e tyre, do ta përvijonin Zotin sipas imazhit të tyre dhe do t’i vishnin një trup si të vetin. Nëse trekëndëshat do të mendonin, do të krijonin një Zot me pamjen dhe vetitë e një trekëndëshi dhe rrathët do të krijonin një Zot rrethor.

3. Kuptoj me Zot një qenie absolutisht të pafundme, pra një substancë të përbërë nga një pafundësi atributesh, ku secili syresh shpreh një thelb të përjetshëm dhe të pafund.

4. Marrim për të mirëqenë se Zoti është i përsosur dhe nuk ka nevoja, rrjedh se Ai nuk e ka krijuar botën për veten, por për ne.

5. Mendon se Zoti ka mendësi si kjo e jona, mendon se ka dëshira të ngjashme me tonat, se i pëlqen ta miklojnë, se e bren xhelozia, se vlon nga hakmarrja dhe dëshira për të shkelur rregullat?

6. Njerëzit që shkruan librat e shenjtë dëshiruan t’i ngjasojnë Zotit dhe të jenë gatuar sipas imazhit të tij.

7. Sa më e madhe është padija jonë, aq më shumë ia mveshim Zotit ato që s’i dimë.

8. Forca e besimit nuk ka lidhje me vërtetësinë. Derisa të ekzistojë injoranca, do të ekzistojë edhe devocioni ndaj besëtytnisë.

9. Ju përpiqeni ta kontrolloni popullin nëpërmjet frikës dhe shpresës, armë tradicionale të krerëve fetarë në tërë historinë. Autoritetet fetare përpiqen të pengojnë zhvillimin e aftësive tona arsyetuese.

10. Bibla përmban vetëm një të vërtetë shpirtërore, ushtrimin e drejtësisë dhe mëshirës, dhe jo të vërteta tokësore.

11. Imanenca është e kundërta e trandeshencës. I referohet idesë se ekzistenca që jetojmë është gjithçka që ekziston, se ligjet e natyrës qeverisin gjithçka dhe se Zoti është kryekëput barasvlerës i natyrës.

12. Për Spinozën natyra dhe zoti janë sinonime: mund të thuhet që e ka natyralizuar zotin.

13. Zoti i Spinozës nuk kishte shqisa apo ndjeshmëri.

14. “Kushdo, që dashuron vërtetë Zotin, nuk duhet të dëshirojë që Zoti ta dashurojë në këmbim.”

Mbi Arsyen
1. A nuk është mbresëlënëse mënyra sesi është e ndarë mendja jonë? Sesi arsyeja, pjesa më e lartësuar e mendjes sonë, iu nënshtrohet emocioneve?

2. Një mendim është i kufizuar nga një mendim tjetër, por një trup nuk është i kufizuar nga një mendim, as një mendim nga një trup.

3. Mësohu të jesh një mjet transporti për mendimet e pabindura. Zgjedhja e çastit të duhur është gjithçka.

4. Solomoni thotë: kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd, të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë.

5. Nuk i bindem asnjë fuqie tjetër në botë, përveç ndërgjegjes sime.

6. Marrja përsipër e fajit është një mënyrë për t’i mbushur mendjen vetes se jemi aq të fortë, sa të kontrollojmë natyrën.

7. Sipas Spinozës, ka një numër të pafund mënyrash dhe atributesh, qeniet njerëzore mund të kuptojnë vetëm dy: mendimin dhe esencën materiale.

8. E drejta e gjithkujt për të menduar me kokë të vet.

9. Gjërat duhet t’i duam dhe t’i kemi përzemër, sepse janë të vërteta dhe jo sepse janë të vjetra.

10. Mendoj, se vetëm një gjë mund ta kontrolloj plotësisht: zhvillimin e intelektit tim.

11. Arsyeja po më çon drejt një përfundimi të jashtëzakonshëm se gjithçka në botë është një substancë e vetme që është natyra, apo Zoti si të duash, se gjithçka mund të kuptohet përmes iluminizmit të ligjit natyror.

12. Nëse pandeh se gjërat e pasigurta mund të bëhen të sigurta falë arsyes, nuk do të arrish asgjë më shumë nga sa do të arrije po të përpiqeshe të çmendeshe duke përdorur arsyen.

13. Është mendja jonë që e krijon imazhin. Dhe po mendja i krijon ndjenjat që provon karshi tij.

14. Bëj një hap mbrapa dhe vështroje veten së largu.

15. Kam ndërmend t’ia kushtoj jetën kryekëput mendjes.

16. Të thuash, që njerëzit janë më të dobishëm për njëri-tjetrin, kur secili sheh dobinë e vet vetjake, tingëllon paradoksale, vetëm se një gjë e tillë ndodh, kur njerëzit udhëhiqen nga arsyeja.

17. E kam shndërruar arsyen deri në atë pikë, sa ndonjëherë ajo nuk dallon nga mungesa e arsyes.

18. Nuk është mënyra si e pandeh ti veten apo thua se e pandeh veten, por mënyra si jeton ajo që ka rëndësi.

19. Idetë e rreme të japin një ngushëllim të rremë e të brishtë.

20. Për të rritur nivelin e të kuptuarit duhet të përpiqemi ta këqyrim botën sub specie aeternitatis, në aspektin e përjetësisë. Me fjalë të tjera, duhet të kapërcejmë pengesat që hasim drejt dijes dhe që rrjedhin nga lidhja jonë pas unit vetjak.

21. Shpjegimi qetëson, lehtëson ankthin e pasigurisë. Njeriu i lashtësisë donte të mbijetonte, i trembej vdekjes, ishte i pambrojtur ndaj mjedisit. Për të përfituar nga e mbinatyrshmja, vendosi ta merrte atë me të mirë..

22. Aristoteli e konsideronte mendjen dhe përpjekjet për të përsosur fuqitë e arsyes si projektin e vetëm dhe më të lartë njerëzor.

Mbi Lumturinë
1. Di vetëm që lumturia nuk gjendet në objektet kalimtare. Nuk gjendet jashtë, por brenda. Është mendja ajo që përcakton çka është frikëndjellëse, pa vlerë, e dëshirueshme, e paçmueshme, pra është mendja, dhe vetëm ajo, që duhet ndryshuar.

2. Lumturia jonë e vetme lidhet thjesht dhe vetëm me shijimin e asaj që është e mirë.

3. Nuk të vjen turp nga lakmia për të shtënë në dorë sa më shumë pasuri, për të fituar famë dhe nderime, dhe aspak nuk e vret mendjen për mençurinë, për të vërtetën apo lartësimin e shpirtit tënd?

4. Platoni për pikësynimin e jetës sonë: ajo që vjen në formën më të lartë të njohjes, ishte ideja e të mirës nga e cila marrin vlerë gjithë të tjerat.

5. Aristoteli lumturia vjen nga përmbushja e funksionit tonë të vetëm më intim: e drejta për të arsyetuar.

6. Mos e koklavisni jetën me pikësynime vulgare, si pasuria dhe fama: janë armike të paqes.

7. Pasuria? Është kurth! Shmanguni! Sa më shumë shtiem në dorë, aq më shumë na shtohet oreksi, dhe aq më i madh do të jetë pikëllimi, kur nuk e shuajmë dot lakminë.

8. Nëse vërtetë dëshironi lumturinë, mos e çoni jetën dëm duke luftuar për gjëra që nuk ju nevojiten vërtetë.

9. Nuk e përfytyroj një qetësi që mbin në truallin e hipokrizisë.

10. Nëse vetëvlerësimi yt bazohet në dashurinë e shumicës, atëherë do të jetosh gjithnjë në gjendje ankthi, sepse një dashuri e tillë është e ndryshueshme. “Vetëvlerësim bosh”.

11. Kështu në jetë, para gjithçkaje tjetër, është e rëndësishme përsosja e të kuptuarit, ose e arsyes… këtu qëndron edhe lumturia më e madhe për njeriun: lumturia nuk është asgjë tjetër, veçse shpërblimi i shpirtit, që lind nga njohja intuitive e natyrës (Zotit).

Mbi Pasionet

1. Spinoza pohon se mund ta kapërcejmë brengën dhe tërë pasionet njerëzore, duke mbërritur në të kuptuarit e botës si një gërshetim elementesh logjike.

2. Një pasion resht se qeni i tillë, sapo i japim formë një ideje më të qartë dhe të shkoqitur ose më saktë, lidhjes shkakësore që shkëputet nga pasioni.

3. Nëse dëshiron të jetosh mirë, duhet t’i mposhtësh pasionet duke i ankoruar ndjenjat e tua pas diçkaje të pandryshueshme, që reziston përjetë.

4. Vetëm një emocion më i fortë mund ta mposhtë një emocion tjetër. Detyra ime është e qartë: duhet të mësoj ta shndërroj arsyen në pasion.

5. Nëse nuk do t’ia vë veshin arsyes, skllav i pasionit do të mbetem.

6. Tani po merrem me një projekt të ri, sesi t’i trajtoj veprimet, mendimet dhe orekset njerëzore njëlloj sikur të ishin të përbëra nga vija, plane dhe trupa.

7. Sa më i kamur të jesh, aq më i varur bëhesh pas kamjes.

8. Mendja është e magjepsur pas kënaqësisë së shqisave aq sa arrin në plogështi.

9. Kur njeriu bie pre e emocioneve të veta, ai nuk është zot i vetes, por gjendet në mëshirë të kaosit.

10. Nëse Epikuri do të fliste në këto çaste do t’ju bënte thirrje të thjeshtonit jetën tuaj. Epikuri zgjodhi një jetë azteke, besonte se kulmi i lumturisë arrihet duke pakësuar dhimbjen. Epikuri ishte kundër dashurisë pasionale dhe irracionale, që e skllavëron dashnorin dhe në fund të fundit më shumë i sjell dhimbje sesa kënaqësi. Pasi shuhej lektisja epshore, dashnori mbërthehej në darën e mërzisë, xhelozisë apo të të dyjave bashkë.

Mbi Spinozën
1. Spinoza, nga latinishtja spina dhe spinosus – gjemb dhe plot me gjemba. Pyetjet që ju ngrini mund të jetë gjembaçe për edukatorët fanatikë dhe dogmatikë.
2. Gëtja i madh e mbante në xhep një kopje të Etikës së Spinozës për një vit rresht.
3. Kohët e fundit po ushtronte një formë meditimi, ku shkëputej nga rrjedha e mendimeve dhe e kundronte mendjen e vet si një teatër, duke vënë veten në rolin e spektatorit, pjesë e një publiku që shihte shfaqjen.
4. Spinoza besonte se gjithçka, madje edhe ndjenjat e mendimet, kanë një shkak që mund të zbulohet nëpërmjet hulumtimit.
5. Spinoza: një inteligjencë e pacak.
6. Zgjodha rrugën time, falë dhuratave të blatuara, jo pavarësisht atyre. (D.m.th e përdori arsyen për të zgjedhur, nuk e la mënjanë dhe zgjodhi.)
7. Spinoza: trëndafil aromëplotë që kishte mbirë nga ferra.
8. Spinoza është njeriu më inteligjent që ka shkelur në faqe të dheut.
9. Spinoza ishte një ateist ambig që përdorte zotin për të nxitur lexuesin të vazhdonin leximin në shek 17.
10. Gëtja dhe Spinoza këmbëngulin në fakti se kurrë nuk duhet ta lidhim fatin tonë me diçka të zvetënueshme e të ndryshueshme.
11. “Ka fort të ngjarë, që idetë e mia të presin një mijë vjet.”
12. Spinoza e jetoi konkretisht filozofinë e tij: eci në gjurmët e amor dei intellecualis, u çliruar nga skllavëria e pasioneve që e trazonin dhe e kaloi jetën në qetësi.

* Shënim
Shprehjet e mësipërme janë koncepte të librit “Problemi Spinoza” i shqipëruar nga Lira Sejdini nën kujdesin e Shtëpisë Botuese “Morava”. Autori i librit, Irvin D. Yalom, nën një përzierje analizash, shënimesh dhe trillimi i ka ofruar lexuesit një libër që të ndryshon jetën. Kjo përzgjedhje është bërë për arsye studimore. Të gjitha të drejtat mbi librin i përkasin Shtëpisë Botuese Morava.
Përzgjodhi, përgatiti dhe publikoi: Ivana Dervishi

Lexo më shumë:

Problemi Spiniza

Jeta dhe Veprat e Irvin D. Yalom në shqip

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>