5 Korrik, 2019

Philip Roth e nisi karrierën e tij si një enfant terrible ndërsa romani i katërt i tij, Ankimi i Portnoit, skandalizoi Amerikën e shtresës së mesme.

Roth shkroi më shumë se 30 romane mbi seksin, vdekjen, artin dhe politikën, dobësitë dhe imperfeksionet njerëzore dhe mbi eksperiencën e të qenit hebre në Amerikë.

Librat e tij shpesh shfrytëzuan jetën e atij vetë dhe vazhdimisht shfaqën alter ego që mbartnin ngjashmëri të madhe me krikuesin (dhe në disa raste edhe vetë emrin e tij).

Admiruesit e Roth e konsideruan atë shkrimtarin më të madh amerikan të fundit të shekullit të njëzet, stili i kursyer por i ndjeshëm i së cilit ngjante me shkrimet e Ernest Heminguej dhe Uilliam Folkler.

Romanet e tij më të vona në veçanti ofruan histori të sajuar të Amerikës moderne të cilat ishin simpatizuese, por megjithatë sulmuese të ashpra të vetëkënaqësisë morale dhe konsumerizmit të zbrazët.

Philip Roth lindi në Njuark, Nju Xhersi, ku u vendosën ngjarjet e shumë prej librave të tij. Prindërit e tij ishin gjenerata e parë e migrantëve hebrenj të shtresës së mesme nga Europa.

Ai studioi për letërsi angleze në Universitetin e Çikagos dhe filloi të shkruajë tregime të shkurtra.

Libri i parë i Roth u publikua më 1959. Goodbye Columbus ishte një përmbledhje me pesë tregime dhe një roman i shkurtër, një rrëfenjë satirike e një djali të këndshëm hebre të shtresës së mesme që vuan për t’u asimiluar në shoqërinë amerikane.

Në një tipar që do të përsëritej shumë herë gjatë karrierës së Roth, ky libër shkaktoi zemërim te disa njerëz.

Ai u denoncua për portretizim të ashpër të personazheve hebraike dhe u akuzua se ishte një “hebre që urrente vetveten’.

Të tjerë lavdëruan talentin dhe gjallërinë e rrëfimtarisë së tij. Libri fitoi një çmim nga Këshilli Hebre i Librave.

Debati i shkaktuar nga ky libër ishte asgjë në krahasim me stuhinë që solli Ankimi i Portnoit më 1969, një monolog që supozohej se u mbajt para psikoanalistit të vet nga një “nënë hebraike e babëzitur për të rinj beqarë.”

Personazh terrorist

Ai ishte gallatë, i sinqertë dhe në disa raste, i hapur tronditës. Pati përpjekje për ta ndaluar librin në Australi dhe në disa shtete të SHBA, por ai u bë libër i shumëshitur.

Megjithëse vetë Roth refuzonte etiketimin si shkrimtar hebre – “nëse jam ndonjë gjë, unë jam një shkrimtar amerikan,” thoshte ai – eksperienca prej hebreu ishte qëndror në shumë nga librat e tij të mëvonë.

Shumë paraqitën personazhin Natan Zukerman, i cili u rastis fillimisht te Shkrimtari Hije The Ghost Writer 1979 si një i ri që duket se beson se ka gjetur Ana Frankun (duket se ajo ka mbijetuar në Holokaust dhe po jetonte në Amerikë).

Zukerman u shfaq në dhjetë libra, përfshirë dy që cilësohen shpesh si më të mirët e Roth. Te  American Pastoral (1997) Zukerman tregon rrëfenjën e një ish shkoku klase, Suede Levov, vajza adoleshente e të cilit rebelohet kundër prindërve të vet të shtresës së mesme dhe bëhet terroriste në Amerikën e viteve 1960.

Te The Human Stain (2000), Zukerman tregon historinë e  Koleman Silkut, një profesor kolegji që u sulmua për shkak të një komenti kalimtar që u interpretua si racizëm, i cili vetë rezulton se është një afro-amerikan me lëkurë të hapët që kishte “kaluar” si i bardhë përgjatë të gjithë jetës së tij.

Një personazh i quajtur “Filip Roth” shfaqet edhe në libra të tjerë, përfshirë Komploti Kundër Amerikës (2004) botuar në shqip me përkthimin e Jorgji Qirjaqit, një histori alternative e vënë në Nju Xhersi, vendlindjen e Roth, në të cilën aviatori dhe i dyshuari si simpatizant i nazizmit, Çarls Lindberg, bëhet president i  Amerikës dhe fillon një program asimilimi të detyruar kundër hebrenjve amerikanë sipas modelit të Gjermanisë Naziste.

Shumë nga romanet e tij u morën me politikë. Our Gang, publikuar më 1971, është një satirë politike e shkruar pothuajse tërësisht në dialog me pak orientime në skenë.

The Prague Orgy ( Orgjia e Pragës – 1985) paraqet Zukermanin i cili ppërballet me marrëdhënie të fragmentarizuara mes politikës, seksualitetit dhe censurës në Çekosllovakinë Komuniste ndërsa te Operacioni Shilok (1993), “Filip Rothi” udhëton për në Izrael për të raportuar nga gjyqi i një ish-rojeje kampi përqendrimi, Xhon Demjanjuk.

Martesë me një komunist (1998) sjellë në shqip nga Shpëtim Myshketa, u vendos në epokën e MekKarthit në SHBA-në e viteve 1950, kur kishte gjueti për komunistë, supozohet se u ushqye nga martesa e dështuar e Roth me aktoren angleze Claire Bloom. Ai e kishte bindur atë të shkonin të jetonin në Londër, një qytet ku ai u ndje i huaj.

Përveç të qenit një shkrimtar shumë pjellor, Roth ishte edhe akademik. Ai jepte leksione për të shkruar krijues në Univestitetin e Ajouas (Iowa) dhe Prinston ndërsa më vonë, dha leksione letërsie krahasuese në Universitetin e Pensilvanisë deri sa doli në pension më 1991.

Ai vendosi të tërhiqet ngatë qenit shkrimtar më 2009 dhe shpalli tërheqje nga jeta publike më 2014. Ai i kaloi vitet e fundit të jetës në një zonë rurale në Konektikat, ku thuhet se lexoi dhe rilexoi të gjithë librat e tij dhe shpalli se ishte tërësisht i kënaqur me to.

“Bëra më të mirën që mundja me çfarë kisha,” i tha ai një intervistuesi, duke shtuar se kishte shkruar për pothuajse çdo ditë për pesëdhjetë vjet. “Kjo është një punë shumë e lodhshme dhe vështirë se është më e këndshmja nga aktivitetet njerëzore.”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>