12 Korrik, 2019

Çehovi

‘Pushka e Çehovit’ është një koncept që përshkruan se çdo element në një rrëfenjë duhet të kontribuojë te e tëra. Termi vjen nga këshilla e famshme e Anton Çehovit: ‘Nëse në aktin e parë të një drame ti ke varur një pushkë në mur, atëherë në aktin tjetër pushka do të duhet të shkrepet. Nëse nuk shkrepet, nuk ka pse të jetë e varur në mur.’

Kjo është me kuptim të dyfishtë. Nga njëra anë, theksi vihet te fakti se çdo element në një vepër, qoftë letërsi, teatër apo film, duhet të jetë në funksion të narracionit. Nuk duhet të ketë në një vepër elementë pa lidhje me temën, me përjashtim të rastit kur autori dëshiron të hutojë lexuesin. Nga ana tjetër, arma e Çehovit shërben si një element, i cili, ndërsa në fillim të narracionit mund të ngjajë pa lidhje, ose i padëmshëm, ose i pafajshëm, në fund rezulton me rëndësi vendimtare në zgjidhjen e temës.

Anton Pavlovic Çehov qe një mjek, shkrimtar dhe dramaturg rus që jetoi nga viti 1860 deri më 1904. Çehovi shikohet gjerësisht si një nga mjeshtërit e mëdhenj të tregimit. Megjithëse Çehovi jetoi si mjek, ai ia doli të vijojë të shkruajë paralelisht. Ai një herë tha “mjekësia është bashkëshortja ime e ligjshme, letërsia është dashnorja ime.”

Shprehja e tij me pushkën e varur në mur është bërë një frazë e shumëpërsëritur në klasat e shkrimit krijues ose të shkrimit të skenareve për shkak se përshkruan thjeshtë se një histori duhet t’i nënshtrohet logjikës së vet të brendshme dhe të respektojë imazhet e veta më të fuqishme.

Leksioni pas Pushkës së Çehovit është që rrëfenja duhet të jetë kohezive. Secila pjesë duhet të kontribuojë te tëra në mënyrë që të ketë kuptim. Ajo nuk do të thotë se çdo subjekt në rrëfenjën tuaj duhet të jetë shumë i rëndësishëm. Disa elementë në një histori funksionojnë për të krijuar ndjesinë apo për të përshkruar mjedisin. Megjithatë secila pjesë e historisë duhet të funksionojë si një element i të tërës.

Pavarësisht se quhet “pushka e Çehovit”, ‘Pushka’ nuk është e thënë të jetë gjithmonë pushkë. Në mënyrën më të dukshme, një armë me të cilën një personazh luan në mënyrë të pavëmendshme dhe të padëmshme në fillim të një tregimi apo filmi, mund të përdoret për të bërë një vrasje dramatike në fund. Por ‘pushka’ mund të jetë gjithçka. Një palë syze të rëna nga një far në det mund të jenë shenja paralajmëruese se një nga personazhet kryesore mund të ketë të njëjtin fat. Një personazh që i shpëton për mrekulli një aksidenti me makinë, mundet në fakt të paralajmërojë një aksident pa shpëtim në fund të filmit. Dhe kështu me rradhë.

Përdorimi i armës së Çehovit mund të ketë një aspekt dramatik, një aspekt thjeshtë simbolik, ose një aspekt surprizues. Nëse përdoret një pushkë apo pistoletë, atëherë kjo ka një rëndësi dramatike për shkak se armët simbolizojnë dhunë dhe agresion.

Por arma e Çehovit mund të jetë edhe një unazë, e cila fokusohet si pa lidhje me temën, por që sinjalizon se diçka e rëndësishme do të ndodhë me unazën apo martesën.

Në fund, arma e Çehovit mund të përdoret për të fituar elementin surprizë. Për shembull, një personazh që prezantohet kalimthi por bindshëm në fillim, mund të rezultojë kyçi i zgjidhjes së dramës në fund.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>