Tre autorë nga letërsia e Argjentinës erdhën në shqip për herë të parë gjatë kohëve të fundit, duke iu shtuar korpusit të gjigantëve Jorge Luis Borges apo Julio Cortázar, të cilët janë sjellë në shqip më herët. Zbuloni disa nga të rejat e botës së librit
Shtëpia e Librit
Argjentina, vendi që dikur ishte një nga më të pasurit e botës, praritë e të cilës vijojnë të furnizojnë botën me mish të cilësisë së parë të lopëve të rritura në gjendje gjysmë të egër. Argjentina është gjithashtu vendi që njohu fatkeqësi pas fatkeqësish, në formën e juntave ushtarake të njëpasnjëshme, të cilat, në instancë finale, shkaktuan, në mënyrë të përsëritur, periudha me hiperinflacion, gjë që shkakton asgjësimin e kursimeve të shtresës së mesme dhe uri të herëpashershme për të varfërit.
Ana “e mirë” e këtyre tragjedive është që shkrimtarët e vendit janë frymëzuar për të shkruar disa nga kryeveprat e njerëzimit. Disa nga këto kryevepra kanë ardhur në shqip gjatë kohëve të fundit, nga përkthyes të ndryshëm dhe nga shtëpi botuese të ndryshme. Por secili prej këtyre librave përbën një element në një mozaik të pafundëm, secili i sjellë në shqip me shumë mund.
Le ta nisim nga libri më i fundit, Zama nga Antonio Di Benedetto, sjellë në shqip nga shtëpia botuese Aleph.
Autori ia dedikon librin “Viktimave të pritshmërive të mëdha”. Në roman, rrëfimtari është një funksionar i nivelit të mesëm të perandorisë spanjolle në Amerikën e Jugut. I ngecur në një bazë shumë larg nga qendrat tërheqëse sociale si Buenos Aires, ku ai ëndërron të jetojë, romani trajton historinë e criollos të viteve 1790, njerëz me prejardhje nga Spanja por që kanë lindur në Amerika, e që për rrjedhojë shikohen me dyshim nga burrokracia 260 vjeçare që ka qeverisur këtë kontinent nga Madriti por që tani është duke u shkundur gati për t’u rrëzuar. Detyrat zyrtare të Zamës janë të pakuptimta dhe manovrat e tij të vazhdueshme për t’u emëruar në një zonë më tërheqëse duken të dënuara për të dështuar. Arritjet e tij te vetme të mundshme janë ato seksuale dhe këto trazohen nga një sjellje me raste kriminale dhe iluzione për pastërtinë e grave “të bardha”. Ai është nga jashtë një njeriu i “qytetëruar” dhe nga brenda, një barbar më barbar se sa ata barbarët që supozohet se qeveris.
Ai fillon të zbulojë më në fund vendin ku është pozicionuar kur bashkohet me një turmë banditësh ndërsa vendi i tij i origjijës, Spanja, harron të paguajë rrogën e tij e ai përfundon një i varfër i paaftë për të paguar mbijetesën e vet.
Zama është libri i dytë i sjellë në shqip nga ky autor. Libri tjetër Vetëvrasjet është pjesa e tretë e një trilogjie që vështirë se mund të quhet e tillë. Ngjarjet zhvillohen në një qendër provinciale pa emër, dhe rrëfehen nga një gazetar që është ngarkuar me detyrën të shkruajë për tri vetëvrasje të kohëve të fundit.
***
Antonio Di Benedetto është një shkrimtar i shekullit të njëzetë. Ai lindi në vitin 1922 dhe vdiq në vitin 1986. Ai përfundoi për disa kohë në burg gjatë sundimit të diktaturës ushtarake në Argjentinë dhe jetoi për disa vite në Spanjën e çliruar së fundmi nga diktatura e Frankos para se të kthehej për të vdekur në Buenos Aires.
Leopoldo Lugones është një shkrimtar argjentinas i një epoke më të hershme. Ai jetoi gjatë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Ai nuk është vetëm shkrimtar romanesh. Në fakt, ai konsiderohet një njeri kyç i kulturës së vendit, njeriu që me shkrimet e tij u bë referencë dhe që sot konsiderohet si një lloj poeti kombëtar, i ngjashëm me Fishtën apo me Naimin për Shqipërinë. Libri i tij Trubaduri, mbi prozën dhe poezinë erdhi në shqip nga shtëpia botuese Ombra GVG dhe përmbledh disa nga studimet e tij kulturore.
Lugones njihet mes të tjerash si një nga frymëzuesit e Jorge Luis Borges, një shkrimtar i njohur para së gjithash si tregimtar. Tregimet e Borges, të sjella nga Pika pa Sipërfaqe ishin, gjatë vitit të fundit, një nga librat më të kërkuar te Shtëpia e Librit. Botimi voluminoz prej 555 faqe sjell në shqip të gjitha tregimet e Borgesit, një ndër trashëgimitë më ndikuese dhe më të jashtëzakonshme të letërsisë perëndimore. Në këtë botim përfshihen përmbledhjet me tregime Aleph dhe Fiksione mes shumë të tjerave, gjë që e bën këtë libër të domosdoshëm për bibliotekën e gjithsecilit prej nesh.
***
Libri rrëqethës i Agustina Bazterrica, një autore bashkëkohore, Mishi është i butë, duket se është produkt shumë domethënës i historisë së Argjentinës. Një roman distopik horror, Mishi është i butë imagjinon një botë në të cilën, papritur, mishi i kafshëve është bërë helmues për specien dykëmbëshe, gjë që përfshin disa dilema etike jo fort të këndshme. Ky libër u soll në shqip së fundmi nga Flavia Kaba për shtëpinë botuese Aleph.
*** Këto na shpien te shkrimtari tjetër madhështor i Argjentinës, Julio Cortazar. Ai është i njohur për lexuesin shqiptar që nga fundi i viteve ’80 të shekullit të kaluar falë shqipërimit nga Aurel Plasari. Dy vëllime të tregimeve të Cortazarit kanë plotësuar veprën e tij në shqip, ku vëllimi Qielli i rremë është shqipëruar nga Plasari ndërsa E largëta është sjellë në shqip nga Bashkim Shehu. Përveç përmbledhjeve të tregimeve, Cortazar është i pranishëm në shqip me romanin Provimi.