27 Shtator, 2020

Foto e botimit të parë: Wikipedia

Letra e autorit për lexuesit

Autori i këtyre udhëtimeve, z. Lemuel Guliver, është një paraardhës dhe mik i imi i ngushtë; dhe po kështu kemi edhe një lidhje nga ana e nënës sime. Tri vjet më parë, z. Guliver, i mërzitur nga numri i madh i njerëzve kureshtarë që trokitnin në shtëpinë e tij në Redrif, bleu një copë tokë me një shtëpi modeste pranë Njuarkut, në Notingam, vendi i tij i lindjes; ai jeton tashmë atje në pension dhe megjithatë, gëzon respektin e fqinjëve.

Megjithëse z. Guliver ka lindur në Notingam, ku babai i tij jetonte, unë e kam dëgjuar atë të thotë se familja e tij erdhi nga rrethinat e Oksfordit; për ta konfirmuar këtë, unë vrojtova oborrin e kishës në Banburi në atë konte dhe gjeta shumë varre dhe monumente të Guliverëve.

Para se të largohej nga Redrifi, ai la nën kujdesin tim këto letra, me lirinë për të bërë me to çfarëdo gjëje që unë mendoja të përshtatshme. Unë i lexova ato me vëmendje tri herë. Stili është i qartë dhe i thjeshtë; gabimi i vetëm që gjej këtu është se autori, sipas sjelljes së udhëtarëve, hyn paksa tepër në detaje. Ka një ndjesi të vërtete që përfitohet nga e gjithë rrëfeja; dhe me të vërtetë autori ishte kaq i dalluar për vërtetësinë e tij, sa u bë një lloj proverbiali mes fqinjëve në Redrif, ku çdokush për të konfirmuar diçka thoshte se kjo është po aq e vërtetë sikur ta kishte thënë edhe vetë z. Guliver.

Me këshillën e shumë personave me vlerë, të cilëve, unë, me lejen e autorit, ia kam treguar këto shënime, unë tashmë marr guximin t’i dërgoj ato nëpër botë, duke shpresuar se ato mund të jenë, së paku për një copë here, një dëfrim më i mirë për të rinjtë tanë fisnikë, se sa shkarravinat e zakonshme e politikës dhe partisë.

Ky libër do të ishte së paku dy herë më i trashë nëse unë nuk do të kisha bërë prerje të guximshme të paragrafëve të panumërt që lidheshin me erën dhe rrymat, si dhe me variacionet dhe detajet e shumë udhëtimeve, sëbashku me përshkrimet e hollësishme të menaxhimit të anijeve në stuhi, në stilin e marinarëve; në mënyrë të ngjashme të dhënat për gjatësinë dhe gjerësinë gjeografike; për rrjedhojë unë kam arsye për të besuar se z. Guliver mund të jetë paksa i pakënaqur. Por unë kam vendosur që ta përshtas këtë punë për aq sa është e mundur me njohuritë e përgjithshme të lexuesit. Gjithsesi, nëse injoranca ime në punët e detit më ka shtyrë të bëj gabime, unë dhe vetëm unë jam përgjegjës për to. Dhe nëse ndonjë udhëtar ka kuriozitetin të lexojë të gjitha shënimet, siç ato vijnë nga duart e autorit, unë jam i gatshëm t’ia plotësoj kërkesën.

Sa i përket çdo detaji tjetër në lidhje me autorin, lexuesi do të marrë këtë informacion nga faqet e para të librit.

RICHARD SYMPSON.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>