nga Admin

28 Dhjetor, 2009

Thertorja Pese, Kurt VonnegutRomani “Thertorja Pesë”, i autorit amerikan Kurt Vonegut, e thënë varfër, na rrëfen historinë e Bill Pelegrinit.  Historia nis nga pjesa e fundit e Luftës së Dytë Botërore, ku Pelegrini zihet rob diku midis Luksemburgut dhe Gjermanisë. Nëse ndjekim rrjedhën logjike, por jo kronologjike të romanit, në të përfshihet periudha në të cilën Pelegrini transportohet nga vendkapja e deri në qytetin e Drezdenit, mrekullisë arkitekturore të asokohshme të Gjermanisë. Më pas, gjithnjë në rrjedhë logjike, kemi bombardimin e qytetit të Drezdenit nga Forcat Aleate, ku Pelegrini shpëton për mrekulli, i strehuar në një dhomë-frigorifer të nëndheshme. Pastaj kemi fundin e luftës, kthimin në shtëpi, jetën pas lufte, deri në vdekjen e personazhit. Kronologjikisht, ngjarja është disi më ndryshe. Në të vërtetë, në rrjedhën kronologjike të personazhit kryesor ka ndodhur një çrregullim. Siç thuhet në rreshtin e parë të kapitullit të parë të rrëfimit:

“Bill Pelegrini është shqitur nga koha.

Billi ra të flinte teksa ishte një i ve i shkarë dhe u zgjua në ditën e dasmës. Eci përmes një dere në vitin 1955 dhe doli nga një tjetër në 1941-shin. U kthye pas nga ajo derë, për ta gjetur veten në 1963-shin. Ka parë lindjen dhe vdekjen e tij disa herë, thotë ai, dhe i bën vizita të rastësishme gjithë ngjarjeve të tjera midis këtyre të dyjave.

Thotë ai.”

Voneguti, përmes Pelegrinit të tij, na jep një ndodhi të ngarkuar rëndë me elemente autobiografike. Nëpërmjet një loje stilistike që karakterizon gjithë krijimtarinë e tij, distanca mes autorit dhe personazhit kryesor të romanit shpesh herë zhduket e shpesh herë bëhet e dallueshme. Ngjarjet e Bill Pelegrinit përkojnë shpesh me jetën e autorit. Që të dy janë dëshmitarë të tmerrit të luftës. Që të dy janë të pranishëm në shkatërrimin e Drezdenit, masakrës më të madhe të Luftës së Dytë. Që të dy kanë një dëshirë – latente për personazhin, të shprehur dhe të tentuar për autorin – për vetëvrasje. Që të dy, në një moment të caktuar të jetës, përfundojnë në një spital psikiatrik. Madje, në këtë pikë personazhi e paraprin autorin, i cili në spital përfundon përnjëmend, por vetëm pas përfundimit dhe botimit të këtij libri.

Sidoqoftë, zgjedhja autoriale për të krijuar një personazh që herë është vetë autori, herë është një trill i fantazisë së tij,  nuk përbën, sipas nesh,  çelësin më të rëndësishëm për leximin e kësaj vepre.

Në gjykimin tonë, rëndësia parësore e saj qëndron në sintetizimin e mrekullueshëm që autori i bën njeriut të kohës sonë. Është mënyra e zgjedhur prej Vonegutit për të shprehur pështjellimin e tij të madh rreth ekzistencës në këtë kohë dhe këtë hapësirë, që përbën vlerën e veprës. Copëzimi i përjetimeve të personazhit kryesor, ngjarjet e palidhura njëra me tjetrën, gjendja e alarmit dhe ankthit në të cilën gjendet personazhi, meqë nuk e di se ç’pjesë të jetës së tij do t’i duhet të jetojë pas një çasti, është një zgjedhje me gjasë e qëllimshme për të na përshkruar gjendjen e rrëmujës në të cilën ndodhet njeriu i kohës sonë.

Voneguti na jep fushëpamjen e një bote bashkëkohore ku ka humbur përmasa vertikale, autoriteti, hierarkia e domosdoshme që mundëson kuptimin e ekzistencës së botës. Në thelb, çka është edhe e kuptueshme, prej kësaj situate përftojmë një njeri që nuk arrin ta kuptojë rrethanën në të cilën ndodhet, një njeri që nuk arrin të shpjegojë se çfarë nuk shkon, ndonëse është fare i dukshëm fakti që ka diçka thelbësisht të gabuar me botën. Kemi një personazh i cili llogarit “pse”-në e ekzistencës së tij dhe llogaria nuk i del.  Aty ku kjo përsiatje për kuptim merr natyrë gati religjioze, autori na përshkruan, sipas mënyrës së tij, pështjellimin e mesazhit religjioz në botën bashkëkohore:

“Billi nuk ishte katolik, edhe pse ishte rritur me një kryq të frikshëm në mur. I ati i tij nuk kishte fe. E ëma ishte një zëvendësorganiste për disa kisha nëpër qytet. […] Thoshte se do t’i bashkohej një kishe sapo të vendoste se cila qe ajo e duhura.  Nuk vendosi kurrë. […] Si shumë amerikanë, ajo përpiqej të ndërtonte një jetë me kuptim nga gjëra që blihen në dyqanet e dhuratave.”

Kësisoj, në këtë riorganizim hierarkik të ekzistencës, në këtë përmasë të re të varfëruar, Pelegrini kërkon të gjejë kuptim, duke e kërkuar kuptimin në të gjitha mënyrat, në të gjitha vendet. E meqë këtë kuptim nuk e gjen, ai priret drejt braktisjes së këtij realiteti.

Autori e përshkruan në mënyrë lakonike marrëdhënien e prishur të njeriut me veten dhe me botën. Ai na jep një njeri të cilit situata e vet i duket e pashpjegueshme. Nëse për të përcaktuar lumturinë e njeriut përdoren vetë kriteret e botës ku jetojmë, dëshira e personazhit për ta braktisur këtë realitet do të duket, në fakt, e pajustifikueshme.  Tashmë lufta ka vite që ka mbaruar. Personazhi kryesor është pasuruar duke arritur siguri materiale të cilat nuk i kishte imagjinuar më parë. Ka një familje të mirë dhe miq që e respektojnë, pra edhe shpirtërisht nuk ka arsye pse të mos ndihet i kënaqur. Mirëpo, në atë që është klisheja e një jete ideale për bashkëkohësit e tij, ai prapë se prapë nuk është i kënaqur. Por kjo pakënaqësi nuk i vjen në mënyrë të vetëdijshme, të logjikshme. Përkundrazi, ai ka disa shpërthime të natyrshme, të cilat nuk arrin as t’i kontrollojë, as t’i shpjegojë:

“Shumë shpesh, pa ndonjë arsye të dukshme, Billi e gjente veten duke qarë.”

E veçanta e Bill Pelegrinit është se ai nuk e kundërshton, as përpiqet ta ndryshojë gjendjen absurde të botës. Ai karakterizohet nga një butësi e natyrshme, dhe autori e përsërit vazhdimisht në libër se Billi “është në rregull me çdo gjë”, dhe se për të “çdo gjë është në rregull”. Për shkak të kësaj butësie, në luftë ai është një ushtar pa armë, gazi i bashkëluftëtarëve të tjerë. Jeta e tij rrezikohet vazhdimisht dhe në skenën e luftës ai i ngjan më shumë se kurrë një personazh jashtë kohës dhe jashtë kontekstit; sërish, Billi nuk bën asnjë përpjekje për ta shpëtuar veten. Ai hidhet sa andej-këndej nga rrjedha e ngjarjeve pa i bërë asnjë rezistencë fatit të tij.

Duke i bashkëngjitur humbjes së hierarkisë nevojën për kuptim, Voneguti shqyrton kotësinë e motiveve që njeriu vetë ka shpikur për të jetuar apo për të vdekur. Në këtë kontekst, Roland Ueri, një bashkëluftëtar i Billit, i cili kërkon që luftës dhe përpjekjeve për të shpëtuar lëkurën t’i veshë motive heroike, duke evokuar Tre Musketjerët romantikë, duket qesharak.  Na rrëfehet, si ilustrim i kësaj kotësie në motive, për një personazh që vdes atëherë kur Luftës së Dytë Botërore i kanë mbetur edhe pak javë, në përleshjet e fundit me japonezët në ishujt e Paqësorit, ku personazhi i fjalosur bie dëshmor në dyluftimet për marrjen e një vendi që nuk ka as edhe një emër konvencional apo të kuptimtë: Kodra 875, afër Daktosë.

Nga ana tjetër, në ndërrimet e vazhdueshme të vendndodhjes dhe kontekstit, autori gjen kohën të merret edhe me kotësinë e të mirave me të cilat njeriu e ka rrethuar veten. Na jepen kësisoj referenca të shumta emrash, vendesh dhe sendesh që, përballë kësaj përpjekjeje thelbësore për domethënie, ngjajnë gjithaq qesharakë dhe absurdë. Në momente kur personazhi kryesor e përjeton në mënyrë të thellë krizën e tij, ai përballet me biseda bashkëshortore ku i duhet të zgjedhë kombinimin e ngjyrave për dekorimin e shtëpisë, e zgjedhja bie midis “Danezit Mbretëror”, “Trëndafilit Bredharak” apo “Dritë-hënës koloniale”. Na ofrohet një element fort i përhapur i kulturës bashkëkohore: ndërrimi i emrit për të qenë më tërheqës në aktivitetin tregtar. Kështu, personazhi që në të vërtetë quhet Uilliam, bindet nga i vjehrri, njeri me nuhatje të fortë për tregti, që të prezantohet tek të gjithë si Billi, pasi kjo do ta bëjë atë menjëherë familjar tek klientët dhe kolegët e tij.

Kësisoj, pas shumë përpjekjesh, kur ajo që kërkohet nuk gjendet dhe kur bota është shndërruar në një makth pa shkak apo pasojë, njeriu, që nuk kupton se ç’po i ndodh, përfundon i çmendur. Ai është pre i kontradiktës së krijuar nga pamundësia që të ekzistojë dhe pamundësia që të mos ekzistojë. Këtu i rikthehemi dëshirës për braktisje të këtij realiteti kontradiktor, e për rrjedhojë absurd. Në spital, Billi është dëshmitar i kësaj ngjarjeje:

“Një tjetër herë Billi dëgjoi Rouzuotërin t’i thoshte një psikiatri: “Ma do mendja se ju djema duhet të gjeni shumë më tepër gënjeshtra të reja, përndryshe njerëzit thjesht nuk do të duan më të vazhdojnë të jetojnë”.

Një ndjesi që Billi e ka përjetuar edhe vetë gjatë luftimit:

“Bill Pelegrini, atje në shtratin e përroit, mendoi se ai vetë, Bill Pelegrini, pa dhimbje po shndërrohej në avull. Nëse të gjithë e linin rehat veç për pak, mendonte, ai nuk do t’i sillte më telashe askujt. Do të kthehej në avull e do të pluskonte mes majave të pemëve.”

Vijmë në një pikë në roman, që nuk është, në fakt, një pikë e mirëpërcaktuar, megjithëqë është qartazi e pranishme, ku kësaj situate i nevojitet një zgjidhje. Në këtë pikë imagjinare autori shpik një mjet letrar simbolik tejet mjeshtëror, duke ndërfutur në këtë fushëpamje të zymtë jashtëtokësorët. Ata vijnë si një deus ex machina i përsosur për qëllimet e shkrimtarit. Ata në roman ekzistojnë përnjëmend e nuk janë trillim apo fantazi të ndonjë personazhi, duke i ofruar njeriut në kërkim të gjitha përgjigjet. Edhe autori, këtë prani nuk e justifikon aspak me çmendurinë e personazhit kryesor: jashtëtokësorët janë të vërtetë, nuk janë të fantazuar. Këtu rrëfimi kapërcen shpesh nga absurdja, tek komikja e tek serioziteti. Jashtëtokësorët i japin Bill Pelegrinit të gjitha përgjigjet. Ata i shpjegojnë se si funksionin koha, se pse çdo gjë ekziston dhe se pse ekziston pikërisht në këtë mënyrë. Ata e dinë fundin e botës, si dhe arsyen pse ky fund ndodh ashtu siç ndodh. Në këtë mënyrë ndodh diçka që mund të ndodhë vetëm brenda letërsisë. Jashtëtokësorët janë mënyra e vetme që autori gjen për t’iu përgjigjur pyetjeve që kërkojnë përgjigje në mënyrë urgjente. Për të, ata janë rivendosja e hierarkisë, e elementit vertikal të ekzistencës.

Por në këtë pikë nevojitet kujdes. Ne kemi bindjen që lexuesi nuk është naiv. Ai është i ndërgjegjshëm se autori e përdor trillin e jashtëtokësorëve për të dhënë një variant komik, por koherent të gjithësisë. Vlera e veprës letrare qëndron pikërisht tek kjo koherencë, e assesi tek përgjigjet që dalin nga kjo botë imagjinare. Është ky unitet ideal, që na ngazëllen, që na argëton në lexim, që na bën ta dashurojmë këtë vepër në veçanti dhe mrekullinë e artit të letërsisë në përgjithësi, si përpjekjen më të sinqertë për të gjetur një përgjigje për kuptimin e jetës.

A.K.

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >