nga Admin

25 Shkurt, 2015

HISTORI/MEMORIALISTIKE: Kristo Frashëri rrëfen aventurën e tij të gjatë jo vetëm si historian, por edhe si njeri. Komenton ish-nxënësi i tij.

FATOS BAXHAKU

Kristo FrasheriNuk është se qëllon shpesh të shkruash për njerëz që të kanë ndikuar në mënyrën e të sjellit, të të menduarit, të lexuarit, të zgjedhjes së njerëzve me të cilët rri, madje edhe se si e rrufit kafenë. Ndaj edhe ky shkrim duhet nisur me një ndjesë të madhe për lexuesin e thjeshtë. Mbase Shqipëria ka halle shumë herë më të mëdha sesa të shkruajmë rrëfime të vjetra apo të reja. Por ja që jeta, nganjëherë bëhet edhe nga këto. Ndjesë edhe një herë, megjithatë… Autorit të këtyre radhëve nuk i ndodh shpesh të shkruajë për njerëz që kanë ndikuar në atë vetë, por kanë ndikuar edhe në vetë mënyrën e të menduarit të të qenët shqiptar.

Kjo histori lind andej nga fundi i 1986-s, kur autori i këtij shkrimi, asokohe, një djalosh vetëm 22-vjeçar, i porsadiplomuar për histori u emërua në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave në Tiranë. Për të gjithë ata që nuk e dinë se ku bie ky vend, duhet t’ia bëjmë me dije se kjo ishte një godinë trekatëshe në rrugën “Naim Frashëri”, gjysmë e rrjepur nga koha. Suvaja e saj kishte kohë që binte, njësoj sikur t’u kujtonte njerëzve se në atë ndërtesë modeste, të heshtur, mblidheshin mendime, kujtesa, dokumente, libra, ide, teori, hipoteza. Njerëzia, që asokohe e kishte mendjen te “tolloni”, më shumë sesa tek e shkuara apo e ardhmja e kombit, as që ua hidhnin sytë këtyre burrave dhe grave që përditë, çdo orë, çdo minutë, me një saktësi prej Fileas Fogu, zhyteshin në të shkuarën tonë duke u zhytur njëkohësisht edhe në të ardhmen tonë. Pikërisht në atë vit, tashmë të largët, 1986 i ngjita ato pak shkallë që ndanin sheshin e mbushur plot me gjethe eukaliptesh me një ndjesi sikur nuk po hyja në një botë që më përkiste. Me thënë të drejtën e ç’punë kishte një djalë 22-vjeçar me atë botën e zymtë që gjallonte pas atij pallati të rrjepur? Mirëpo, nuk kaluan veçse pak ditë dhe nisa të ndiej veten fare mirë mes njerëzish të mbarë dhe, më e para nga të gjitha, asnjë militant, sikurse ishte zakoni gjetkë asokohe. Përveç Stefanaq Pollos, Selami Pulahës, Gazmend Shpuzës, Luan Malltezit, Pëllumb Xhufit, Ferit e Valentina Dukës, Xhelal Gjeçovit, Muin Çamit, Vera Bogdanit, Zamir Shtyllës, Muharrem Dëzhgiut, Marenglen Verlit, Zija Shkodrës dhe plot e plot të tjerëve njoha edhe njeriun që tash e sa ditë ka botuar autobiografinë e tij.

E dija që Frashëri ishte përjashtuar nga PKSH që në 1942 – kjo e bënte atë edhe më legjendar për ne të rinjtë e asokohe – e dija që kishte lindur në Stamboll në një familje të krishterë që në vitin 1920, ia njihja fëmijët, komshinjtë, rrethin familjar dhe, në momentin që profesor Pollo më caktoi si nxënës të tij, m’u drithërua i tërë trupi. Çfarë mund t’i thosha unë legjendës Kristo Frashëri? Kush isha unë?

Tani që kanë kaluar shumë vite e kujtoj me mall, hapin e madh që ai më ka mësuar në jetë. E mbaj mend si sot. E kishin lënë, apo e kishte lënë veten, kjo nuk ka edhe aq shumë rëndësi, në një dhomë si birucë, ku kishte vetëm dosje dhe një sobë me dru nga ato të qëmotit. Tymoste ende cigare “Partizan”. “Hë mo djalë, erdhe – më pyeti i zhytur në letrat e tij të zverdhura – ik na çaj ca dru dhe pastaj do pimë një kafe”. Mbas druve e pimë vërtet një kafe të trishtë elbi në një klub të zhurmshëm aty pranë. Dëgjova të flitej për Mithat Frashërin, për Klubin e Stambollit, për Ahmet Zogun, për Qemal Stafën, për Lidhjen e Prizrenit, për plot e plot të tjerë protagonistë të historisë të cilëve unë vetë sapo kisha nisur t’u afrohesha ndër libra. Atëherë e kuptova se kisha pasur nderin të kisha mësues një trashëgues të rilindësve, mbase të fundit syresh.

Kohë më vonë përfundova gazetar, por gjithnjë me një sy në histori. Ashtu na erdhën punët pak a shumë të gjithëve. Kristo Frashëri tashmë, në liri, vazhdoi të shkruajë, të lëvizë, të debatojë, të botojë, sipas mënyrës së tij prej rilindësi, dhe sipas zemrës së tij prej patrioti të palodhur.

Arsyet përse po i shkruaj këto radhë, janë vetëm një: pak kohë më parë është botuar autobiografia e tij. Diku në librin e tij Frashëri shkruan për të atin, se ndoshta ai ishte ndër të paktët njerëz që kishte mbetur rilindës në zemër dhe në mendje. Mbase për herë të parë profesori e ka gabim, rilindësi i fundit ka mbetur ai vetë. Ka shumë arsye për ta thënë këtë, por vendi është ca i ngushtë. Sa na takon ne të tjerëve, në krahasim me të do na duhet edhe ca kohë të çajmë dru vençe. Dhe nuk duhet të harrojmë kurrë atë ç’ka ai na rrëfen në librin e jetës së tij: Aspirata më e madhe është ajo e të komanduarit të vetes pa i rënë në qafë askujt. Imagjinoni pak, sa mirë do ishim?

 

(Për më gjerë: Kristo Frashëri, Jeta e një historiani, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2014, 464 faqe, 600 lekë).       

“1942, Enveri, unë dhe ideali patriotik

“… Në mbledhjen që u zhvillua në shtëpinë e Lutfi Strazimirit, Enver Hoxha përmendi vetëm Kristo Frashërin për përjashtimin e tij tre muaj nga anëtarësia në parti. Kjo, tha ai, ishte një masë disiplinore, mbasi shokun Kristo Frashëri partia nuk e përjashton përveçse për tre muaj nga mbledhjet e partisë. Prandaj shokut Kristo Frashëri nuk duhet ta konsiderojë veten të përjashtuar, por vetëm si thirrje për të analizuar me gjakftohtësi gabimet që ka bërë. Ai e mbylli bisedën me këto fjalë: “Ndërsa e ftojmë shokun tonë, Kristo Frashëri, të largohet nga mbledhja, ne i urojmë atij kthimin sa më parë në radhët e partisë tonë…’… Më tepër se një komunist bolshevik, unë e ndieja veten si një anëtar i Frontit Popullor, si një elektron i lirë socialist që vërtitet rreth boshtit të vet dhe që përpiqet t’i qëndrojë besnik vetvetes. Anëtarësimi im në Partinë Komuniste provoi që në hapat e parë se të dy komponentët kryesorë të ambientit të ri që u krijua me formimin e saj nuk mund të bashkëjetonin për një kohë të gjatë. Për të bashkëjetuar duhej zgjidhur kontradikta – ose formimi im kulturor duhej të nënshtrohej ndaj ligjeve të partisë, ose unë duhej të shkëputesha nga disiplina e saj e hekurt. Them me sinqeritet të plotë se zgjedhja nuk ishte e imja. Unë krijova shkakun, vendimin e dha partia. Në fillim nuk e kuptova anën e mirë të përjashtimit. Kur mendoj se më vonë shumë nga komunistët që ishin si unë anëtarë partie në kohën e themelimit të saj, pa bërë asnjë krim, por vetëm për gabime ideologjike u përjashtuan, u internuan, u burgosën, madje u pushkatuan, them u bë mirë që unë u përjashtova më 1942 dhe se për shkak të përjashtimit nuk u emërova në poste drejtuese të partisë, të shtetit apo ushtrisë. Ndërkohë, nxora një mësim të vyer, të cilin ndonjëri e ka kritikuar. Mbylla gojën si për kritika ashtu edhe për lajka ndaj partisë, për arsye se në sistemet e diktaturës asnjëra prej tyre nuk sjell dobi. Kritikat të çojnë në burg, kurse lajkat, të shkretat lajka, nuk janë fort të sigurta, ndonjëherë të çojnë edhe në pushkatim… Atdheut, mendova, mund t’i shërbesh edhe pa qenë anëtar i ndonjë partie. Si rrjedhim për të marrë pjesë në ushtrinë partizane nuk ishte e domosdoshme të isha anëtar i PKSH-së. Çetat e Rilindjes Kombëtare kanë luftuar pa pasur në udhëheqje një parti, por vetëm një pushkë dhe një vullnet. Për këtë arsye unë mendoja se përjashtimi nga partia nuk duhej të më pengonte të hyja në rreshtat partizane, aq më tepër që shumica e luftëtarëve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare nuk ishin anëtarë të PKSH-së. Kështu, në maj të 1943 kalova nga ambientet e mbyllura të punës ilegale, në qiellin e hapur të luftës së armatosur…”.

 

1943, Frashëri, partizani që nuk vret

“…Cen Puca më solli një copë litar të vjetër, të cilin e përdora për ca ditë. Të nesërmen, apo të pasnesërmen Haxhi Lleshi në krye të çetës u nis për aksion duke më marrë edhe mua në radhët e partizanëve. Aksioni u krye kundër një autokolone italiane gjatë rrugës Dibër-Strugë. Ky qe pagëzimi im i parë me luftën antifashiste, aksioni pati sukses. Jam i sigurt se nuk vrava dot njeri. U vranë disa ushtarë italianë. Të vrarët italianët i morën me vete. Vetëm një pushkë ra në duart tona, të cilën Haxhi Lleshi ma dha mua. Pasi u krye aksioni Haxhi Lleshi u nis për në Labinot, kurse ne u kthyem në fshatrat e Zerqanit…”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>