Kuriozitet: Teoria e Nabokov mbi evolucionin e fluturave vërtetohet

1
1862

Autor: Roger Vila – New York Times

Flutura e Nabokov (foto)Vladimir Nabokov mund të njihet nga shumica e njerëzve si autori i romaneve klasike si “Lolita”. Por edhe gjatë kohës kur shkruante këto libra, Nabokov kishte një ekzistencë paralele si ekspert autodidakt mbi fluturat.

Ai qe mbarështues i lepidopterisë në Muzeumin e Zoologjisë Krahasuese pranë Universitetit të Harvardit dhe mblodhi insektet e këtij lloji në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Ai publikoi përshkrime të detajuara për qindra specie, por në një çast spekulativ më 1945, ai doli me një hipotezë sfiduese mbi evolucionin e fluturave që ai studioi, një grup i quajtur Polyommatus blu. Ai deklaroi se këto flutura kanë populluar Amerikat duke ardhur nga Azia përgjatë miliona viteve në një seri valësh migratore.

Shumë pak lepidopsteristë i morën këto ide seriozisht gjatë jetës së Nabokov. Por në vitet pas vdekjes së tij më 1977, reputacioni i tij shkencor është rritur. Përgjatë dhjetë viteve të fundit, një skuadër shkencëtarësh ka përdorur teknologjinë gjenetike për të vërtetuar hipotezën e Nabokovit mbi evolvimin e poluommatus blu. Muajin e kaluar, Shoqëria Mbretërore e Londrës raportoi se Nabokov kishte të drejtë plotësisht.

“Është thjeshtë një mrekulli,” thotë Naomi Pierce në Harvard, bashkëautore e studimit.

Nabokov e trashëgoi pasionin e tij për fluturat nga prindërit. Kur i ati u burgos nga autoritetet Ruse për shkak të aktiviteteve politike, Vladimiri, në atë kohë 8 vjeç i dërgoi një flutur në qeli si dhuratë. Kur qe adoleshent Nabokov iu bashkua ekspeditave për gjuetinë e fluturave dhe përshkroi me kujdes speciet që kapi, duke imituar revistat shkencore që ai lexonte përgjatë kohës së lirë. Po të mos qe për revolucionin Rus, i cili e detyroi familjen Nabokov të emigronte, Vladimiri mund të kishte përfunduar si pelidopterist me kohë të plotë.

Gjatë ekzilit të tij në Europë, Nabokov vizitoi koleksione fluturash nëpër muzeume. Ai përdori të ardhurat nga romani i tij i dytë, “Mbreti, Mbretëresha dhe Batakçiu” për të financuar një ekspeditë në Pirene, ku ai dhe bashkëshortja e tij Vera kapën rreth 100 specie.

Fuqizimi i Nazizmit e detyroi familjen në një emigrim të dytë, kësaj here në Shtetet e Bashkuara ku mbërritën më 1940. Këtu Nabokov arriti famën e vet më të madhe si shkrimtar dhe njëkohësisht u zhyt gjithnjë e më thellë në shkencën e fluturave.

Nabokov kaloi pjesën më të madhe të vitit 1940 duke studiuar një grup fluturash shumë komplekse të quajtur Poluommatus blu. Ai zhvilloi një mënyrë largpamëse për klasifikimin e fluturave bazuar në ndryshimet në gjenitalet e tyre. Shumë shpesh doli në konkluzionin që specie të ndryshme që ngjanin me njëra-tjetrën në fakt nuk kishin shumë të përbashkëta. Në fund të vitit 1954, në një studim mbi këtë grup, ai spekuloi mbi prejardhjen. Sipas tij, origjina qe në Azi dhe ato kanë mbërritur përmbi ngushticën Bering dhe pastaj janë zhvendosur në jug deri në Kili. Duke i lejuar vetes imagjinatë prej shkrimtari, Nabokov i ftoi lexuesit të imagjinonin një makinë kohe. Duke shkuar prapa miliona vjet, do të përfundonin në një kohë kur vetëm fluturat Aziatike ekzistonin. Duke ecur përpara, pesë valë të mëdha fluturash do të shikoheshin duke mbërritur te Bota e Re.

Nabokov e pranonte se një udhëtim i tillë i fluturave nga Siberia në Alaskë e në Amerikën e Jugut qe disi i pabesueshëm. Por sipas tij, kjo qe më e llogjikshme se sa një urë e panjohur mbi Pacifik.

Kur “Lolita” e bëri Nabokovin e famshëm më 1959, gazetarët u kënaqën tej mase në zbulimin e jetës së tij të fshehtë si ekspert fluturash. Një fotografi e famshme e Nabokov ku ai paraqitej nga prespektiva e një fluture u publikua në “Saturday Evening Post”. Por pavarësisht se ai qe eksperti i fluturave më i njohur i kohës dhe mbarështues i muzeumit të Harvarit, lepidopteristë të tjerë e konsideronin Nabokovin një kërkues pa merita. Sipas tyre, ai përshkruante detajet shumë mirë por nuk qe në gjendje të prodhonte ide shkencërisht të rëndësishme.

Vetëm në vitet ’90 një skuadër shkencëtarësh filloi të rishikojë sistematikisht punën e tij dhe të pranojë fuqinë shpjeguese të klasifikimit. Dr. Pierce, e cila u bë profesor i biologjisë në Harvard dhe mbarështues i lepidopterisë, filloi të shqyrtojë në detaje punën e Nabokov gjatë përgatitjeve për të festuar 100 vjetorin e tij të lindjes më 1999. Ajo u josh nga ideja e fluturave të ardhura nga Azia. “Qe e mbrekullueshme, një hipotezë shumë e fortë,” – thotë ajo. “Ne mund ta testojmë atë.”

Për ta bërë një gjë të tillë, ajo duhej të rindërtonte një pemë evolucioni të fluturave blu dhe të vlerësonte se kur degët filluan të ndahen. Për Nabokov do të qe e pamundur të kryente një studim të tillë bazuar vetëm te anatomia e fluturave. Dr. Pierce mund të përdorte DNA-në e tyre për të zbuluar historinë eviolucionare.

Duke punuar me lepidopteristë nga Amerika dhe Europa, Dr. Pierce organizoi katër ekspedita të ndryshme në Ande në kërkim të fluturave blu. Në Harvard genet e fluturave u rregjistruan dhe kompjuteri u përdor për të llogaritur ngjashmëritë mes tyre. Mutacionet e ndryshme u krahasuan për specie të ndryshme për të vlerësuar se kur speciet filluan të ndahen. Kishte shumë hipoteza të vlefshme mbi evolucionin e tyre. Njëra prej hipotezave thoshte se fluturat kishin origjinë në Amazonë ndërsa zhvillimi i Andeve i kishte ndarë në disa popullata.

Por Dr. Pierce zbuloi tjetër gjë. Ajo dhe kolegët e saj zbuluan se speciet e fluturave të Amerikave kishin një paraardhës të përbashkët që jetoi diku 10 milionë vjet më parë. Por shumë prej specieve të Amerikave qenë më shumë të lidhura me fluturat e Botës së Vjetër sesa mes vetes.  Shkencëtarët dolën në përfundimin se pesë valë fluturash janë zhvendosur nga Azia në Amerikë, pikërisht siç qe spekuluar edhe nga Nabokov. “Ai kishte të drejtë në çdo detaj,” thotë Pierce. Studimi i ri shpjegoi edhe se si ndodhi që fluturat kaluan Beringun. Dhjetë milionë vjet më parë, temperatura e ngushticës që ndan Rusinë nga Alaska qe relativisht e ngrohtë. Valët e tjera të fluturave qenë të përshtatura më mirë me të ftohtit.

“Çfarë mrekullie,’ thotë James Mallet, ekspert mbi evolucionin e fluturave në Londër. “Studimi i fundit është një tribut i përshtatshëm për një njeri të madh që tregoi se metodat dhe teknologjia më moderne nuk mund të bëjnë më shumë se sa të konfirmojnë studimin e tij sistematik.”

Dr. Pierce beson se Nabokov do të qe kënaqur tej mase po të ishte gjallë dhe reciton një nga poemat e tij më të njohura, “Mbi zbulimin e një fluture.” Poema e shkruar në vitin 1943 fillon me këto vargje:

Unë e gjeta dhe e pagëzova, sipas stilit
në taksonomi Latine; gjë që më bëri
nun të një insekti dhe përshkrues
i parë – nuk dua famë tjetër.

“Ai nuk është i njohur si shkencëtar, por duket se ai dinte gjithçka,” – thotë Dr. Pierce.

Lexo më shumë: Pnini