Seneka ishte një mendimtar moral. Ai ishte gjithashtu një nga këshilltarët më të afërt të perandorit Neron, i cili u bë një nga simbolet e diktaturës absurde dhe mizore në Romën e Lashtë.
Në pranverën e vitit 59 të e.s., perandori Neron vendosi të vrasë të ëmën e tij. Siç mund ta merrni me mend, marrëdhënia e tyre ishte jo e mirë. Për ta lehtësuar punën e vet, Neroni e ftoi mamanë e tij Agripinën për të festuar bashkë në një festival fetar në Baiae, një qytezë bregdetare pranë Napolit të sotëm. Ftesa ishte një sinjal se ai po sillej mirë. Gjatë të gjithë festës, ai e trajtoi të ëmën me shumë dashuri dhe i bëri një dhuratë – një anije shumë të bukur për ta transportuar atë përgjatë bregut.
Dhurata në fakt ishte një kurth, i konceptuar për ta dorëzuar të ëmën te vdekja. Por në çastin vendimtar, gjërat shkuan shumë keq. Kuverta e anijes u rrëzua, por në vend që të vriste Agripinën, vrau një nga shoqërueset e saj. Edhe trupi i anijes supozohej se do të çahej më dysh por kjo nuk ndodhi. Rremëtarët u përpoqën të përmbysin anijen e sërish dështuan. Shoqëruesja tjetër e Agripinës, Acerronia, u hodh në det dhe filloi të notojë. Ajo, në mënyrë shumë të pamençur, siç shkroi historiani Tacitus më vonë, filloi të bërtasë: Unë jam Agrippina, më shpëtoni. Rremëtarët ia çanë kafkën duke e goditur me rrema. Agripina e vërtetë shpëtoi. Ajo u kap nga një varkë peshkimi pak më vonë dhe u dërgua në breg shëndoshë e mirë. Kur Neroni zbuloi se e ëma kishte shpëtuar, ai dërgoi gorillat e tij për t’i futur thikën.
Ngjarja gjithsesi e vendosi perandorin në siklet. E gjithë shtirja e tij për të treguar dashuri për të ëmën dhe për të mbytur atë me varkë ishte që ngjarja të dukej si aksidentale. Sepse edhe në Romën perandorake, ku perandori kishte pushtet të plotë, vrasja e mamasë krijonte imazh të keq. Dhe vrasja e shtirur si aksident tani dukej e pamundur. Rrjedhimisht, Neroni iu drejtua njeriut te i cili ishte mbështetur gjithmonë, Lucius Annaeus Seneca, më së shumti i njohur si Seneka i Riu, ose thjeshtë Seneka.
Nëse poetët dhe filozofët ëndërrojnë që të kenë ndikim te ata në pushtet, Seneka ishte i pozicionuar në mënyrë unike për ta bërë. Ai ishte një ekspert shumë i njohur i retorikës, një satirist dhe autor is humë librave mbi historinë natyrore. Ai ishte edhe dramaturg. Sot njihet më së shumti si eticist. Mes shumë veprave të tij mbi filozofinë morale janë “De Ira” (“Mbi zemërimin”), “De Providentia” (“Mbi hyjnoren”), dhe “De Brevitate Vitae” (“Mbi shkurtësinë e jetës”). Seneka kishte qenë mësuesi i Neronit që kur perandori i ardhshëm kishte qenë dymbëdhjetë apo trembëdhjetë vjeç. Ai pati qëndruar si këshillar i afërt që nga ajo kohë.
Pas incidentit, Seneka iu vu punës. Duke shkruar një letër në emër të perandorit, ai iu drejtua senatit për të shpjeguar se çfarë kishte ndodhur. Gënjeshtra e tij ishte që Agripina kishte komplotuar kundër perandorit për shkak se ishte e uritur për pushtet. Kur komploti ishte zbuluar, ajo kishte vrarë veten. Aksidenti me anijen e saj tregonte se edhe vetë zotat ishin përpjekur për të ndërhyrë për të mbrotjur perandorin.
Së paku në publik, letra pati sukses të madh. Tacitus raporton se pati një “rivalitet magjepsës” mes perandorëve se kush festonte më shumë për shpëtimin e perandorit nga komploti; ata organizuan festa, bënë sakrifica në tempuj dhe propozuan që ditëlindja e Agripinës të klasifikohej mes ditëve që ndillnin fat të keq.
Ajo që ka mbijetuar deri te ne është letra e transmetuar e përmbledhur apo e ritreguar. Vetëm një fjali ka ardhur e plotë dhe ajo konsiderohet si kulmi i retorikës në latinisht megjithëse në përkthim duket se humbet diçka: “Që jam gjallë, këtë nuk po arrij ta besoj dhe as nuk po arrij t’i gëzohem”, deklaronte Neroni, në letrën e shkruar nga Seneka.
Reputacioni i çdo shkrimtari ka të pëlqyeshmet dhe të papëlqyeshmet. Por rasti i Senekës duket se ka kulmin e të pëlqyeshmes dhe pikën më të ulët të të papëlqyeshmes. Të krishterët e hershëm e adhuronin atë aq shumë sa sajuan një letërkëmbim që në fakt nuk ekziston, mes tij dhe Shën Palit. Gjatë Reformimit, Kalvini dhe Zëigli u kthyen te shkrimet e tij si burim për frymëzim. Montaigne shkroi një apologji për Senekën ndërsa Diderot, një ese mbi jetën e tij.
Pas kësaj Seneka doli nga moda. Mes romantikëve, ai ishte një filozof i dobët dhe një dramaturg edhe më i dobët. Edhe stili i tij i shkëlqyer emigramik tallej; historiani britanik Thomas Macaulay vërejti në një rast se nëse lexoje Senekën, ishte si “të haje darkë me asgjë përveçse me salcë açugeje.”
Këto ditë, Seneka është sërish tërheqës. Biografi të reja për të janë publikuar duke admiruar talentet e tij dhe duke falur të këqijat e tij. Biografët modernë besojnë se ai nuk kishte rrugëzgjidhje. Por në fakt, letra për të justifikuar vrasjen e Agripinës ishte vetëm një nga gjërat që Seneka bëri për të mbështetur nxënësin e tij përbindësh.
Seneka lindi rreth vitit 4 p.e.s., në kryeqytetin e provincës romake të Hispania Ulterior, që sot është qyteti i Kordobës. Ai duhet se ka qenë fëmijë shëndetligë dhe i llastuar. Kur ishte i ri, ai, i ati dhe dy vëllezërit u zhvendosën në Romë me qëllim që fëmijët të arsimoheshin. Thuhet se Seneka studioi retorikë, e cila ishte gjëja më e çmuar në arsimimin romak por të gjitha shkrimet e mbijetuara prej tij nuk e përmendin kurrë këtë fakt. Përkundrazi, ai flet për studimin e filozofisë, nga një grek i quajtur Attalus.
Attalusi ishte një stoik dhe Seneka u bë gjithashtu stoik. Në shumë prej veprave të tij, Seneka thotë se çelësi për një jetë të virtytshme është që të çlirosh veten nga pasionet. Sepse virtyti është i nevojshëm për lumturinë dhe i mjaftueshëm për ta krijuar lumturinë. Shumë pak gjëra mbijetojnë nga stoikët grekë, nga të cilët Seneka duhet të letë lexuar, por tradita e tyre i jepte rëndësi të madhe të qenit njeri i vetëpërmbajtur, që jeton me pak. Seneka lavdëron varfërinë dhe argumenton se njeriu i mençur nuk lejon as gëzimin dhe as pikëllimin që ta prekë atë sepse që të dyja të çorientojnë. Një njeri i tillë, shkruan Seneka në një ese të titulluar “Paqja mendore,” do të shkojë drejtpërsëdrejti në dhëmbët e fatit dhe nuk do të tutet. Dhe ai as nuk ka arsye se pse ta ketë frikë fatin sepse ai nuk numëron plaçkë, prona apo ofiqe, por edhe trupi i tij, sytë e tij, duart e tij dhe çdo gjë që na e bën ne jetën të çmuar, madje edhe vetvetja jonë, konsiderohen si posedime të pasigurta; stoiku jeton a thua se gjithçka që ka i ka të huazuara dhe është i gatshëm t’i kthejë me gëzim kurdo që huaja kërkohet.
Kur Seneka ishte në të tridhjetat, shkrimet e tij kundër “pasurisë, pronave dhe ofiqeve” filluan të tërheqin vëmendjen admiruese të shumë prej tyre që në fakt kishin edhe pasuri edhe prona edhe ofiqe. Mes miqve të tij të pasur dhe të fuqishëm ishte Julia Livilla, një motër e perandorit Kaligula. Në vitin 41 të e.s., Kaligula u vra dhe u zëvendësua nga xhaxhai i tij Klaudius. Perandori i ri akuzoi Julia Livillën për kurorëshkelje me Senekën. Nëse ata të dy ishin apo jo dashnorë, apo ishin thjeshtë të pafat, këtë nuk e dimë. (Provat historike sugjerojnë se në fakt Klaudiusi ishte jo aq njeri pozitiv nga sa e paraqet Robert Graves në librin e tij.)Julia Livilla u internua në një ishull – ndoshta në ishullin Ventotene, afër Napolit – ku vdiq brenda pak viteve. Seneka u internua në Korsikë.
Ne nuk jemi në gjendje të datojmë shkrimet e Senekës; gjithsesi ka gjasa që dy esetë që duhet të jenë kompozuar gjatë viteve të tij të internimit janë Ngushëllim për Helvian dhe Ngushëllim për Polibin. Në të parin, Seneka i drejtohet mamasë së tij, e cila është pikëlluar shumë nga internimi i të birit. Internimi, i thotë ai asaj, nuk është telash i madh – është në thelb vetëm një ndryshim adrese. Kudo që ne shkojmë, shkruan ai, “dy gjërat më të shkëlqyera na shoqërojnë, Natyra dhe virtyti ynë”. Në të dytën, ai i drejtohet një prej ndihmësvekryesorë të Klaudiusit, i cili së fundmi kishte humbur të vëllain. Polibi duhet të mos mbajë zi, thotë Seneka, sepse i vëllai i tij, si gjithkush tjetër, është i paracaktuar të vdesë: “Të shtatë mrekullitë e botës dhe çfarëdolloj mrekullie tjetër që ambicia e epokave të mëvona do të ndërtojë, një ditë do të bëhen rrafsh me tokën. Asgjë nuk jeton përgjithmonë.”
Të dy ngushëllimet janë shembuj ekzemplarë të stoicizmit. Që të dyja këshillojnë indiferencë përkundrejt asaj që mund të duket, për një mendje të pastërvitur, fatkeqësi të tmerrshme. Vetëm se që të dyja tradhëtojnë një shkallë mungese të stoicizmit në vetvete. Sakaq që në kohën e Senekës, Korsika ishte një vend i njohur për bukuritë natyrore dhe në të banonin një numër romakësh të sofistikuar. Megjithatë Seneka i ankohet të ëmës: “Çfarë shkëmbi tjetër është më i zhveshur dhe më i rrëpirë në çdo anë se sa ky ishull?… A ka ndonjë popullur më të pakulturuar se sa banorët e këtij ishulli?” Edhe kur ai ngushëllon Polibin, Seneka përpiqet t’i bëjë një lajkë shefit të tij. Sipas tij, për sa kohë Klaudiusi “është shëndoshë e mirë dhe të gjithë miqtë e tu janë gjallë, ti nuk ke humbur asgjë,” i shkruan ai mikut të tij të pikëlluar. “Sytë e tu jo vetëm që nuk duhet të lagen nga lotët, por duhet të jenë të lumtur. Ai vijon të jetë te ju të gjithë, ai qëndron në vendin tuaj; nëse lejon veten të qash, atëhere tregon se nuk je mirënjohës mjaftueshëm për gjendjen tënde aktualisht të lumtur.”
Disa studiues e shohin sot këtë letër të Senekës si një përpjekje të dështuar për t’i shpëtuar internimit dhe për t’u lejuar të kthehet në Romë. Ai kaloi pothuajse një dekadë të tërë dhe me gjasa do të vdiste atje në rast se situata në Romë nuk do të ndryshonte në atë mënyrë që ishte tipike për historinë perandorake: Në vitin 48 të e.s., Kaludiusi vrau gruan e tij të tretë dhe u martua me një të katërt, Agripinën – motër e Kaligulës dhe e Julia Livilës, mbesë e Klaudiusit. Ishte ajo që bindi Klaudiusin të lejonte kthimin e Senekës në shtëpi.
Gruaja që bën skema është një tipar i gjithëpranishëm në historinë e Romës. Sado të këqij janë burrat, gratë paraqiten si më të këqija, mizore, të zgjuara, shpesh, të fiksuara pas seksit. Shumë nga rrëfenjat që kanë mbërritur deri te ne vështirë se mund të gjurmohen në origjinë. Një nga rrëfenjat tregon se Mesalina, gruaja e tretë e Klaudiusit të cilën ai e vrau, para se të vdiste mori pjesë në një garë seksi me një prostitutë; gara zgjati 24 orë dhe, sipas Plinit, Mesalina e fitoi.
Agripina, në mënyrë klasike, u martua kur ishte vetëm trembëdhjetë vjeç me Domiciusin, një batakçi famëkeq në vetvete. (Domiciusi, i cili ishte tre dekada më i madh, u bë babai i Neronit.) Pas vdekjes së Domiciusit, Agripina gjeni një bashkëshort të ri, një burrë shumë të pasur për të cilin, thuhej, ajo e helmoi për t’i marrë pronën. Kur ishte tridhjetë e tre, ajo u martua me xhaxha Kaludiusin. Ai kishte sakaq një fëmijë, Britanikusin, si dhe du vajza. Megjithëse pak vite më i ri se sa Neroni, Britanikusi dukej në pozicionin e duhur për të pasuar të atin. Agripina gjithsesi iu vu punës të promovonte Neronin. Ajo largoi nga pallati (apo ekzekutoi) çdokënd që ishte besnik i Britanikusit dhe përhapi thashetheme se ai ishte epileptik.
Agripina thirri Senekën në mënyrë që të edukonte adoleshentin Neron. (Në mendjen e saj duhet të ketë pasur ndonjë imazh në modelin e Aristotelit që mëson Aleksandrin e Madh.) Por ajo gjeti edhe përdorime të tjera për talentet e tij. Në vitin 53 të e.s., Agripina rregulloi martesën e Neronit me një nga vajzat e Kaludiusit. Një vit pas kësaj, vijon rrëfenja, ajo e vrau Klaudiusin, duke përdorur një kërpudhë të helmuar. (Tacitus raporton se Klaudiusi e mori veten nga helmimi filelstar pasi zorrët “iu shkarkuan.” Agripina gjeti një mënyrë për ta helmuar sërish, duke përdorur një pendë që iu fut në fyt, supozohej për t’i shkaktuar të vjella.) Brenda pak orësh nga vdekja e Klaudiusit, Neroni mori pushtetin me një fjalim para Gardës Pretoriane. Ai premtoi një shpërbim të stërmadh për ushtarët besnikë. Fjalimi iu përgatit nga Seneka.
Vrasja e Klaudiusit nisi një spastrim të përgjakshëm të pallatit. Çdokush që u perceptua si rrezik, u hoq qafe. Britanikusi u vra as gjashtë muaj pas të atit. Këtë herë, helmi u dorëzua me një gotë uji. Kur djaloshi u rrëzua i vdekur në tavolinën e ngrënies, Neroni i tha të ftuarve se ai thjeshtë sa po përjetonte një krizë epilepsie kështu që ata duhej të vijonin të hanin. Sipas Tacitus, shumica vijuan të hanë sikur asgjë nuk kishte ndodhur.
Vrasja e Britanikusit nxiti Senekën të shkruajë traktatin e tij më të famshëm moral Mbi mëshirën. Kjo i drejtohet Neronit. Seneka thotë se filozofi nuk ka çfarë t’i mësojë një perandori mbi mëshirën; eseja është thjeshtë një “pasqyrë” që tregon virtytet e sundimtarit të ri. Ai është zemërmirë dhe dashamirës dhe mund të thuhet ndershmërisht se “nuk ka derdhur asnjë pikë gjaku në të gjithë botën.”
Kritikët pranojnë se kjo shtirje e Senekës e paraqet atë me të vërtetë njeri aspak të këndshëm. Eseja dukshëm tregon se filozofi i madh stok “shtë i gatshëm të lavdërojë sundimtarin riosh të rrezikshëm dhe të dhunshëm deri në atë pikë sa të mohojë realitetin.”
Dhe ajo që duket edhe më keq për filozofin është se Seneka u pasurua nga krimet e Neronit. Pas vdekjes së Britanikusit, pasuria e djaloshit u nda dhe duket se Seneka mori një copë. Nga fundi i dekadës, filozofi kishte prona jo vetëm në Romë por edhe në Egjipt, Spanjë dhe Italinë e jugut. Ishte aq i pasur sa i dha hua dikujt dyzet milionë sesterca. (Paga vjetore e një ushtari romak në këtë kohë ishte rreth nëntëqind sesterca).
Pasuria e tij mundësoi një jetë që ishte dorëshpuar jo vetëm për standardet romake, por edhe për standardet e sotme të Hollivudit. Sipas historianit Dio, ai në një rast “porositi pesëqind tavolina me dru qitroje dhe me këmbë fildishi, që të gjitha identike, mbi të cilat shërbeu më vonë bankete.” Në një ese të titulluar Mbi jetën e lumtur, kompozuar rreth vitit 59 të e.s., Seneka i drejtohet tensionit mes angazhimeve të tij politike dhe konsumit të tij për dukje.
“Pse ti pi verë që është më e moshuar se sa ti vetë?” pyet ai vetveten. “Pse gruaja jote mban vëthë që kushtojnë sa një shtëpi pasunari?” Përgjigjja e Senekës për këto pyetje, nëse mund të quhet e tillë, është metaforike: “Burri i mençur nuk e përbuz vetveten, edhe nëse nëse do të ishte një xhuxh. E megjithatë, ai pëlqen gjithsesi të jetë i gjatë.” Rreth kohës që Seneka kompozoi Mbi jetën e lumtur, një ish-konsull i quajtur Publius Suillius pati kurajën ta denoncojë atë në publik për hipokrizi dhe për plaçkitjen e provincave. Shpejt pas kësaj, Suillius e gjeti veten të internuar.
Një nga mënyrat për të zgjidhur kontradiktat e jetës së Senekës është që të mos merresh fare me to. Kritiku i artit Robert Hughes e ka etiketuar Senekën si “një hipokrit pothuajse pa të dytë në botën e lashtë,” dhe e la me kaq. Studiues të tjerë në përgjithësi nuk nxitojnë në konkluzione kaq të prera. Është e mundur, mendojnë ata, që Seneka të shihet si një hipokrit dhe si një forcë përmbajtjeje morale. Më dashamirësi mundet ta shohë Senekën edhe si një lloj martiri të stoicizmit: për të shmangur më të keqen për qytetarët, ai qëndroi afër Neronit dhe në këtë mënyrë, sakrifikoi emrin e vet.
Duke përjashtuar vrasjen e Britanikusit, të pesë vitet e para të sundimit të Neronit ishin relativisht të qeta. Dhe kjo është periudha gjatë së cilës Seneka duket se ka pasur ndikimin më të madh të mundshëm te Neroni. Pasi perandori mënjanoi mësuesin e tij, filloi një periudhë e cila mund të quhet, Neronis horrobilis – nëntë vite të tmerrshme. Gjatë kësaj kohe, Roma rrëshqiti drejt kaosit ndërsa Neroni iu vu punës për të ndërtuar një nga pallatet më madhështore të imagjinueshme. (Megjithëse ai nuk “luajti muzikë ndërsa Roma po digjej”, është shumë e mundshme që i ra lirës dhe recitoi poezi pasi ajo u konsumua nga flakët në vitin 64 të e.s.)
Fundi tragjik i Senekës ndihmon për ta parë atë me një sy pozitiv. Në vitin 65 të e.s., ai thuhet se u përfshi në një komplot për të vrarë Neronin dhe për të vënë në vendin e tij një fisnik që dukej si premtues, me emrin Gaius Piso. Sipas disa rrëfenjave, brenda këtij komploti ishte një komplot tjetër që synonte që të vriste Pison dhe të vendoste Senekën si perandor. Neroni shpëtoi. Seneka deklaroi deri në fund se ai ishte i pafajshëm, e mundej që kjo të ishte e vërtetë. Ai vrau veten ndërsa, thuhet, i diktonte sekretarit një fjalim të tij të fundit.
Nëse je i interesuar për Romën e Lashtë, mund t’ju rekomandojmë këto libra:
SPQR, Një Histori e Romës së Lashtë, Mary Beard