8 Gusht, 2021

Romanet e para të përkthyera në anglisht nga japonezi më i famshëm në botën e lexuesve sot, mbartin një dozë të lartë makinerie botuese ndërsa historia e tij është shumë shpjeguese për biznesin e prezantimit të shkrimtarëve të shumëshitur në audiencën botërore.

Murakami

Një studim i ri i botuar nga David Karashima thotë se disa nga romanet e Murakamit që lexuesit i kanë pëlqyer në anglisht (dhe eventualisht edhe në Shqip e në gjuhë të tjera të vogla ku nuk ka përkthime të drejtpërdrejta nga origjinali në japonisht) janë në fakt jo vetëm produkt i punës së Murakamit se sa janë një kombinim i origjinalit të tij në japonisht me prirjen për biznes të botuesit amerikan dhe gadishmërisë së përkthyesve të parë për t’u përshtatur.

Kashima e prezanton lexuesin me një udhëtim hilesh përkthyesish. Ai fillon me punën e përkthyesit të parë të Murakamit në anglisht, Elmer Luke, i cili ishte redaktor i Kodansha, një botues japonez që po kërkonte të zgjerohej në tregun amerikan, e ndryshoi goxha romanin e tretë të autorit, Gjuetia e ethshme e deles.

Ky është një roman me një mister sureal që fillon kur protagonisti dëgjon për vdekjen e një vajze me të cilën kishte shkuar. Historia origjinale është vendosur në vitet ’70, por redaktorët amerikanë të librit kishin një lexues amerikan në përgjithësi, dhe njujorkez në veçanti dhe besonin se ata duhej ta bënin librin më “bashkëkohor”. Rrjedhimisht për botimin e librit në Shtetet e Bashkuara më 1989, ata hoqën ca referenca tepër të kuptueshme nga origjinali dhe shtuan edhe një përmendje të lehtë të një fjalimi të Ronald Reagan, një fjalim që u mbajt më vonë se sa periudha e përshkruar në libër. Edhe titulli i origjinalit, Aventura përreth një deleje, u ndryshua në A Wild Sheep Chase, përkthyer në shqip si Gjuetia e ethshme e deles. Një nga redaktorët besohet se ka pyetur në mënyrë retorike: “A nuk mendon se ky i joni është shumë më i mirë se sa origjinali?”

Hard-Boiled Wonderland and the End of the World, romani tjetër i Murakamit që u botua në anglisht më 1991, ka rreth 100 faqe mangët nga origjinali. Redaktorët amerikanë dyshonin se lexuesi amerikan do ta humbaste interesin mbi librin, në të cilin Murakami dëshironte të shtonte disa seksione “jologjike”. Shumë nga paragrafët e hequr ishin seksualisht eksplicite. Por Luke deklaroi se heqja e tyre nuk lidhej me seksualitetin por me faktin se u konsideruan si “pothuajse absurde”.

Vetë Murakami ka sugjeruar se ndoshta përkthyesi i tij i parë në anglisht shkoi tepër larg. Pas vitit 1992, ndërsa fama e Murakamit u rrit, ai lëvizi nga bashkëpunëtorët e tij të hershëm. Por edhe përkthyesit e rinj nuk i lanë librat e tij në origjinal. Në Japoni, Kronikat e zogut kurdisës u botua në tre vëllime ndërsa në anglisht, u hoqën disa pjesë të romanit që redaktorët i quajtën “kaotike” dhe libri u botua me një vëllim. Gjithsej u shkurtuan rreth 25 mijë fjalë. Është e vështirë të thuhet se çfarë do të ndryshonte nëse do të botohej varianti i plotë. Ky është romani që e bëri Murakamin të famshëm dhe nuk është e sigurt nëse libri do të pëlqehej kaq shumë në variantin origjinal.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>