2 Gusht, 2021

Një përkthyes nga frëngjishtja në anglisht dhe profesor i letërsisë shpjegon dilemën klasike të përkthyesit, atë mes të qëndruarit besnik me origjinalin në njërën anë dhe të bërit të përkthimit të pëlqyeshëm në gjuhën e sjellë. Ndërsa sot përkthyesit përballen më së shumti me kritika, e me raste, me fyerje për cilësinë [dhe llojin] e përkthimit, fakti është që në të shkuarën, ka pasur raste kur e kanë paguar me jetë.

Shtëpia e Librit

Kopertina e librit

Mark Polizzotti, një profesor i letërsisë në Kolegjin e Vermontit për Artet e Bukura dhe përkthyes i mbi 50 librave nga gjuha frënge në anglisht, publikoi së fundmi një ese të mrekullueshme mbi përkthimin me titullin: Respekt për tradhëtarin.

Përkthimi, thotë Polizzotti, që nga koha kur njerëzit patën për herë të parë kontakte ndërkulturore, i është nënshtruar një debati të ashpër nëse përkthyesi duhet t’i qëndrojë sa më besnik origjinalit, apo duhet ta përshtasë origjinalin në gjuhën e sjellë. Por çështja nuk është kaq e thjeshtë sa pyetja sugjeron. Zgjedhja nuk është kurrë kaq e lehtë. Mes të qëndruarit besnik i origjinalit dhe të sjellurit ëmbël në gjuhën pritëse ka një pafundësi nuancash. Dhe, thotë Polizzotti, për shkak se nuk ka dy gjuhë njësoj, nuk ka as edhe kurrë fjalë drejtpërsëdrejti zëvendësuese të një gjuhe në një tjetër dhe për rrjedhojë, ajo çfarë lexohet në përkthim, pavarësisht se sa besnik vendos përkthyesi t’i qëndrojë origjinalit, nuk është kurrë tërësisht besnike.

Një shkrimtar kur shkruan, jep në tekstin e tij diçka që kuptohet, diçka që nënkuptohet dhe diçka që ndjehet. Por nuk mbaron këtu. Ajo çfarë autori shkruan, mund të kuptohet, të hamendësohet apo të ndjehet por njerëz të ndryshëm kanë të kuptuar të ndryshëm edhe pse fjalët mund të jenë të njëjta.

Debati, thotë Polizzotti, vijon prej dy mijë vjetësh por tendenca e përgjithshme në të gjithë historinë ka qenë ajo e përçmimit të përkthyesit si një punë e dorës së dytë apo si një punë e keqe.

Shën Jeromi, përkthyesi i versionit më të lexuar të Biblës në latinishten e mesjetës, ishte një nga më të hershmit që besonte se edhe një tekst i shenjtë, si Bibla, duhej të përshtatej në gjuhën e sjellë. Kjo ishte një punë plot telashe. Varianti i parë i Biblës u soll në greqishten e vjetër, sipas legjendës, nga 72 studiues që punuan secili më vete dhe prodhuan një tekst identik, gjë që sugjeron se kishte një ndërhyrje hyjnore. Ky tekst u quajt Septuagint. Nga ky tekst erdhën edhe përkthimet e para të Biblës në latinisht deri sa Shën Jeromi, i pakënaqur me përkthimet nga greqishtja, vendosi ta përkthejë drejtpërsëdrejti nga hebraishtja dhe aramaishtja. Ai u përball me kritika të ashpra por pavarësisht kësaj, bibla e përkthyer prej tij, e njohur si Vulgate u bë versioni dominues i Biblës në mesjetë.

William Tyndale, një nga përkthyesit më të hershëm të Biblës në anglisht, përfundoi me kokë të prerë për krimin. Në mënyrë figurative, përkthyesit edhe sot mund të përfundojnë me kokë të prerë apo të djegur në turrën e druve në rast se e teprojnë me përshtatjen.

Ka një diskutim që një tekst është i huaj para se të përkthehet. Nëse sillet tepër rrjedhshëm në gjuhën ku përkthehet, humbet në mënyrë absurde të qenit i huaj, pra i përkthyer. Për shembull, nuk është e arsyeshme të përshtaten në përkthim gjëra që i përkasin në mënyrë tipike kulturës së tjetrit. Nuk është e nevojshme të përkthesh: penthouse, sepse është një lloj shtëpie që ne në Shqipëri nuk e kemi ndërsa ndonjë lloj përshtatjeje, ndonëse do ta bënte tekstin më të rrjedhshëm, do ta largonte atë nga kultura dhe konteksti nga ku cila është sjellë.

Nuk ka asnjë përgjigje përfundimtare se çfarë një përkthyes mund të bëjë apo çfarë nuk duhet të bëjë. Çdo fjali e sjellë nga çfarëdolloj gjuhe në çfarëdolloj gjuhe tjetër mbart dilema të pafundme se sa besnik duhet t’i qëndrohet origjinalit dhe sa duhet të tradhtohet.

Ka disa raste kur tradhtimi për efekt i të sjellit të tekstit më rrjedhshëm në gjuhën ku përkthehet, shkatërron kuptimin e origjinalit. Fjala vjen, James Joyce apo Virginia Woolf apo Marcel Proust e kanë gjuhën e tyre origjinale në një formë të tillë ku të qenit i komplikuar është pjesë e asaj që autorët duan të thonë. Nëse i thjeshton, nuk janë më këto autorë dhe nëse i ruan origjinalin, leximi bëhet shumë i vështirë në gjuhën e sjellë.

Mes shkrimtarëve të shumtë, ka disa që janë armiq të betuar të tradhëtarit përkthyes. Në botimin e parë në shqip të romanit Identiteti, Milan Kundera i shkroi përkthyesit, Roland Sejko se si ai ia kishte kontrolluar përkthimin pa ditur as edhe një fjalë shqip, por duke parë shenjat e pikësimit. Me pak fjalë, Kundera dëshironte një përkthim ku struktura tërësore e fjalisë nuk ndryshonte dhe ajo që ndryshon janë vetëm fjalët. Përkundër Kunderës, Borges i shkruante përkthyesit të tij në anglisht: “Të lutem më thjeshtëzo! Zëvendëso fjalët e mija shumërrokëshe në spanjisht me njërrokëshe të mira, të mprehta të anglishtes. Më bëj mua të ashpër. Gjuha ime shpesh më vë në siklet. Është tepër rinore, tepë latine… më bëj mua maço dhe gaucho dhe elegant.”

Përkthyesi dhe spiuni ecin krah më krah, thotë Polizzotti. Po kështu, përkthyesi dhe agjenti perandorak.

Por gjithashtu përkthimi është në një farë mase nxitës i zhdukjes së gjuhëve dhe kulturave të vogla. Gjuhët e mëdha si anglishtja, rusishtja apo mandarin, zgjerojnë tregun e vet pjesërisht përmes përkthimit në gjuhët e vogla ndërsa këto të fundit pakësohen për shkak se përkthimi në krah të kundërt, pra nga gjuhët e vogla te gjuhët e mëdha, është gjithmonë më i paktë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>