Kam lindur në një familje fshatarësh pa tokë në Azinhaga, një fshat i vogël në provincën Ribatejo, në krahun e djathtë të Lumit Almonda, rreth njëqind kilometra në veri-lindje të Lisbonës. Prindërit e mi ishin José de Sousa dhe Maria da Piedade. José de Sousa do të kishte qenë emri im në rast se gjendja civile, në kokë të vet, të mos kishte shtuar nofkën me të cilën ishte i njohur në fshat familja jonë: Saramago. Më duhet të shtoj se saramago është një bimë e egër barishte, thethet e së cilës shërbejnë në kohë nevoje si ushqyes për të varfrit. Vetëm kur u bëra shtatë vjeç dhe kur m’u desh të dorëzoj një dokument identifikimi në shkollë fillore, unë kuptova se emri im i plotë ishte José de Sousa Saramago…
Gjithsesi, ky nuk ishte problemi i vetëm identitar që më dha fati në lindje. Megjithëse unë erdha në këtë botë më 16 nëntor 1922, dokumentet e mija zyrtare tregojnë se kam lindur dy ditë më vonë, më datë 18. Mendoj se falë këtij mashtrimi të vogël familja ime i shpëtoi gjobës për mosregjistrimin e foshnjës në kohën e urdhëruar nga ligji.
Ndoshta për shkak se ai kishte shërbyer gjatë Luftës së Parë Botërore në Francë si ushtar i artilerisë dhe kishte njohur diçka tjetër përveç rrethinave të fshatit tonë, im atë vendosi më 1924 të linte punën në fushë dhe të zhvendosej me familjen e vet në Lisbonë, ku filloi punë si polic, një punë për të cilën nuk kërkoheshin “aftësi letrare të mëtejshme” (shprehja e zakonshme në atë kohë…) se sa të lexuarit, të shkruarit dhe arithmetika.
Disa muaj pasi u vendosëm në kryeqytet, im vëlla, Francisco, dy vjet më i madh, vdiq. Megjithëse kushtet tona të jetesës ishin përmirësuar disi pas zhvendosjes, ne nuk do të bëheshim kurrë mirë nga gjendja ekonomike.
Unë isha bërë 13 apo 14 kur ne u zhvendosëm, më në fund, te shtëpia jonë, e cila ishte shumë, shumë e vogël. Deri në atë kohë ne jetonin më shtëpi me familje të tjera. Gjatë të gjithë kësaj kohe dhe deri sa unë u rrita, kalova periudha të shumta dhe të gjata në fshat me prindërit e mamasë sime, Jerónimo Meirinho dhe Josefa Caixinha.
Unë isha fëmijë i mbarë në shkollën fillore: në klasën e dytë shkruaja pa gabime dhe klasën e tretë dhe të katërt i bëra bashkë brenda një viti. Pastaj më çuan në shkollën plotore ku qëndrova dy vjet, me nota shumë të mira, kështu që mësuesit më pëlqyen shumë dhe u zgjodha (në moshën 12 vjeç), thesarmbajtës i Unionit të Studentëve. Ndërkohë prindërit e mi mbërritën në konkluzionin që, në mungesë të burimeve, ata nuk mund të vijonin të më mbanin në shkollë të përgjithshme. Alternativa e vetme ishte që të shkoja në një shkollë tjetër, shkollë teknike. Dhe kështu ndodhi: Për pesë vjet unë mësova të bëhesha mekanik. Por çuditshëm, kurrikulla e asaj kohe, megjithëse kuptueshëm e orientuar nga teknika, përfshinte, përveç gjuhës frënge edhe letërsinë. Për shkak se nuk kisha libra në shtëpi (librat e mi i blija vetë me para të marra hua nga një mik vetëm pasi u bëra 19,) librat shkollorë portugezë me tiparin e tyre “antologjik”, ishin ajo që hapi për mua dyert e letërsisë: edhe sot unë mund të recitoj një poezi të mësuar në atë kohë të largët. Pasi mbarova kursin, punova për dy vjet si mekanik në një autoservis. Në këtë kohë sakaq pata filluar të frekuentoj në orët e mbrëmjes një bibliotekë publike në Lisbonë. Dhe ndodhi atje, pa ndihmë apo udhërrëfyes tjetër veç kurreshtjes për të mësuar, që shija ime e leximit u zhvillua dhe u rafinua.
Kur u martova më 1944, sakaq kisha ndryshuar punë. Tani punoja në Shërbimin e Ndihmës Ekonomike si një nëpunës civil. Bashkëshortja ime, Ilda Reis, në atë kohë dadilografiste në Kompaninë e Hekurudhave, do të bëhej, shumë vite më vonë, një nga gdhendësve më të rëndësishëm të Portugalisë. Ajo vdiq më 1998. Më 1947, vitin e lindjes së fëmijës sime të vetëm, Violante, unë botova librin e parë, një roman të cilin unë vetë e titullova E veja, por që për arsye editoriale u botua me titullin Toka e mëkatit. Unë shkrova një roman tjetër, Drita e 1ielli, ende i pabotuar, dhe fillova një tjetër, por nuk eca më tutje se sa pak faqet e para: titulli duhej të ishte Mjalti dhe gjeli ose ndoshta Luisi, i biri i Tadeusit… Problemi u zgjidh kur unë e braktisa projektin: po bëhej shumë e qartë për mua se nuk kisha asgjë të vlefshme për të thënë. Për 19 vjet, deri më 1966, kur botova Poemat e mundshme, unë mungova nga skena letrare e Portugalisë, ku shumë pak njerëz kishin vënë re mungesën time.
Për arsye politike unë mbeta pa punë më 1949 por falë zemrës së mirë të një ish-mësuesi në shkollën teknike, ia dola të gjej punë në një kompani metalesh ku ai ishte menaxher.
Në fund të viteve 1950 fillova të punoj në një shtëpi botuese, Estúdios Cor, si menaxher prodhimi, duke u kthyer në këtë mënyrë, në botën e letrave që kisha lënë shumë vite më parë, por jo si autor. Ky aktivitet i ri i imi më mundësoj të njihja dhe të krijoja miqësi me disa nga shkrimtarët më të rëndësishëm portugezë të kësaj kohe.
Më 1955, për të përmirësuar buxhetin e familjes, por edhe për shkak se më pëlqente, fillova të kaloj një pjesë të kohës së lirë me përkthime, një aktivitet të cilin e vijova deri më 1981. Colette, Pär Lagerkvist, Jean Cassou, Maupassant, André Bonnard, Tolstoi, Baudelaire, Étienne Balibar, Nikos Poulantzas, Henri Focillon, Jacques Roumain, Hegel e Raymond Bayer ishin disa nga shkrimtarët që përktheva. Mes majit 1967 dhe nëntorit 1968, unë pata një zënie tjetër paralele si kritik letrar. Ndërkohë, më 1966, unë pata botuar Poezitë e mundura, një vëllim poetik që shënoi kthimin tim në letërsi. Pask kësaj, më 1870, një libër tjetër me poezi Ndoshta kënaqësi dhe pak më vonë, më 1971 dhe 1973, nën titujt Nga kjo botë te tjetra dhe Valixhja e udhëtarit, dy përmbledhje artikujsh gazetash të cilat kritikët i konsideruan thelbësore për të kuptuar punën time të mëvonë. Pas divorcit tim më 1970, unë nisa një marrëdhënie, e cila vijoi deri më 1986, me shkrimtaren portugeze Isabel da Nóbrega.
Pasi lashë shtëpinë botuese në fund të vitit 1971, punova për dy vjet në gazetën e mbrëmjes Diário de Lisboa, si menaxher i suplementit letrar dhe si redaktor.
Botuar më 1974 me titullin Opinionet këto tekste përfaqësojnë një të “lexuar” shumë preciz të periudhës së fundit të diktaturës, e cila u rrëzua atë prill. Më prill 1975, unë u bëra zëvendësdrejtor i gazetës së mëngjesit Diário de Nóticias, një pozicion të cilin e mbajta deri në nëntor dhe nga ku u pushova pas ndryshimeve të shkaktuara nga grushti i shtetit politik dhe ushtarak i 25 nëntorit, i cili bllokoi proceset revolucionare. Dy libra shënojnë këto vite. Viti 1993, një poemë e gjatë e botuar më 1975, të cilën disa kritikë e konsiderojnë si paralajmërim për punët që pasuan vite më vonë, dhe tjetri, me titullin Shënime artikuj politikë që pata botuar në gazetën ku kisha qenë drejtor.
Sërish i papunë dhe duke pasur parasysh situatën politike që po përjetonin, pa as mundësinë më të vogël për të gjetur një punë, vendosa t’ia përkushtoj veten letërsisë. Ishte koha të zbuloja nëse vleja gjë si shkrimtar. Në fillim të vitit 1976, unë u vendosa për disa javë në Lavre, një fshat në provincën Alentejo. Ishte kjo periudhë studimi, vrojtimi dhe mbajtjeje shënimesh që solli, më 1980, romanin Ngritur nga nëntoka, ku lindi edhe mënyra karakteristike e rrëfimit tim. Ndërkohë, më 1978, unë pata publikuar një përmbledhje tregimesh të shkurtra, Thuajse objekt; Më 1979, drama Nata, dhe pas kësaj, disa muaj para Ngritur nga nëntoka, një dramë tjetër, Çfarë duhet të bëj me këtë libër? Me përjashtim të një drame tjetër, të titulluar Jeta e dytë e Françeskut të Asisit, publikuar më 1987, vitet 1980 iu përkushtuan tërësisht romaneve: Baltazari dhe Blimunda, (1982), Viti i vdekjes së Rikardo Reisit (1984), Trapi prej guri (1986), Historia e Rrethimit të Lisbonës, (1989). Më 1986 unë u takova me gazetaren spanjolle Pilar del Río. Ne u martuam më 1988-
Si pasojë e censurimit nga qeveria portugeze e Ungjillit sipas Jezukrishtit (1991), ndalimit të propozimit të tij për Çmimin Evropian të Letërsisë nën justifikimin se libri ishte fyes për katolikët, unë dhe bashkëshortja ime trasferuam rezidencën në ishullin Lanzarote në Kanaries. Në fillim të atij viti unë botova dramën In Nomine Dei, të cilën e pata shkruar në Lisbonë, nga i cili doli libreti i operas Dovara, me muzikë nga kompozitori italian Azio Corghi dhe që u vu në skenë për herë të parë në Mynster, Gjermani, më 1933. Ky nuk ishte bashkëpunimi i parë me Corghi: ai kompozoi gjithashtu muzikën Blimunda, nga romani im Baltazari dhe Blimunda, që u vu në skenë në Milano më 1990. Në vitin 1993 unë fillova të shkruaj një ditar, Cadernos de Lanzarote (Ditarët e Lanzarotes), të cilat kanë arritur në pesë vëllime deri tani. Më 1995 unë botova romanin Verbëri dhe më 1997 Të gjithë emrat. Më 1995, unë fitova çmimin Camões dhe më 1998, Çmimin Nobel në Letërsi.
José Saramago vdiq më 18 qershor 2010.
Librat e Saramagos i gjeni këtu