6 Prill, 2023

Disa nga autorët më të dashur klasikë nuk kishin ndjesinë e nevojshme për disa çështje që sot janë të padiskutueshme. Ata përdornin gjuhë që sot tingëllon fyese dhe e papranueshme. Por a mundet që të ndryshohen librat e shkrimtarëve të vdekur? Dhe deri në çfarë mase?

Shtëpia e Librit

Roald Dahl, Agatha Christie, Ian Fleming. Këta janë disa nga autorët klasikë që vijojnë të lexohen shumë në të gjithë botën dhe që së fundmi, kanë ndryshuar tekstet e librave “pas vdekjes”. Ose më saktë, trashëgimtarët dhe botuesit e tyre kanë vendosur se disa gjëra duhet të ndryshojnë nga këto libra, në rastet kur gjuha e tyre tingëllon fyese për sensibilitetet e sotme.

Për shembull, në romanet e Agatha Christie, fjalë të tilla si “oriental,” “jevg” dhe “indigjen” janë hequr ndërsa në serinë James Bond të Ian Fleming, pritet të hiqen shprehje raciste dhe seksiste. Romanet klasike të Roald Dahl janë zhveshur nga folje të tilla si “trashaluqe” dhe “e shëmtuar”, krahas referencave të gjinisë dhe ngjyrës së personazheve.

Kur këto libra u botuan dekada më parë, disa fjalë nuk tingëllonin aq keq sa tingëllojnë sot. Dhe ndonëse disa prej “redaktimeve” janë kryer pa zhurmë, disa të tjera kanë shkaktuar debate të mëdha mes qarqeve të letrarëve. Mbajtësit e të drejtave të autorit të këtyre klasikëve apo shtëpitë botuese nuk e kanë shumë të lehtë të gjejnë kompromisin e duhur mes dëshirës që këto libra të vijojnë të lexohen dhe dëshirës që ato të mos fyejnë.

Është një ushtrim në një balancë shumë delikate: pjesërisht ka të bëjë me biznesin, pjesërisht me etikën.

“Stërgjyshka ime nuk besoj se donte të fyente ndokënd,” thotë James Prichard, stërnim i Agatha Christie dhe drejtues ekzekutiv i kompanisë që menaxhon të drejtat e autorësisë së kësaj shkrimtareje. “Unë nuk besoj se kemi nevojë të lëmë disa fjalë fyese në librat tanë, sepse, me të vërtetë mua më intereson që njerëzit të vijojnë të shijojnë rrëfenjat e Agatha Christie-s,” tha ai.

Në lojë janë financat, por edhe kultura. Shkrimtarë si Dahl, Christie dhe Fleming kanë shitur së bashku miliarda libra dhe janë përkthyer në filma shumë fitimprurës. Të drejtat e autorit të Roald Dahl raportohet se janë blerë nga Netflix më 2021 për më shumë se 1 miliardë dollarë. Vetëm se nëse lihen disa shprehje haptazi raciste, shikuesit mund të armiqësohen dhe të ardhurat mund të pakësohen.

Megjithatë, kritikët besojnë se një censurim i tillë pas vdekjeje nuk është ide aspak e mirë. Jo vetëm se autorët nuk janë pyetur, por edhe për shkak se konteksti historik kur është shkruar, humbet, nevoja për t’u përballur me të shkuarën raciste, jo vetëm të shkrimtarëve, por edhe të popujve dhe vendeve ku ata punuan, injorohet.

“Ti duhet të mendosh për precedentin që po vendos, dhe se çfarë mund të ndodhë kur çdokush me një prirje tjetër ideologjike është në gjendje të marrë lapsin dhe të fshijë gjëra në tekst,” thotë Suzanne Nossel, drejtore ekzekutive e PEN America.

Ndryshimet, sipas saj, bëjnë që të dhënat historike që mbartin romanet klasike si dëshmi e këndvështrimeve të autorit, fjala vjen, racizmit të tij dhe paragjykimeve kulturore, të zhduken, duke bjerrur aftësinë e letërsisë për të pasqyruar shoqërinë e kohës kur ajo është krijuar.

Të apasionuarit pas Roal Dahl u zemëruan shkurtin e kaluar nga lajmi se botuesi britanik ka ndryshuar qindra fjalë nga librat e tij për fëmijë. Fillimisht ishte menaxheri i të drejtave të autorit të këtij shkrimtari që punësoi një zyrë konsulence me qëllimin që ta bëjë veprëm “më gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme”.

Zemërimi ishte i madh. Salman Rushdie e cilësoi iniciativën një “censurë absurde”. Philip Pullman i tha medias se ai do të preferonte që librat e Dahl të mos qarkullonin fare, në rast se alternativa është që të ndryshohen pa lejen e autorit. Zemërimi ishet aq i madh sa botuesi njoftoi se do t’i mbante në qarkullim edhe librat e pandryshuar, për lexuesit që pëlqejnë origjinalin.

Pyetja se si duhet të menaxhohet gjuha fyese, në veçanti, tekstet raciste, në veprat klasike, ka qenë shqetësim prej kohësh. Rreth një dekadë më parë, tekstet e Hakërberi Finit zëvendësuan një term racist me fjalën “skllav” për shkak të shqetësimit se shkollat po refuzonin ta rekomandonin këtë libër për shkak të fjalës fyese. Dhe libra të tjerë, të cilët ndryshimi i një fjale nuk i shpëton dot, duket se kanë dalë nga qarkullimi për fare.

Shqetësimi është para së gjithash për librat për fëmijë. Për librat për të rritur, parathënie të gjata për të shpjeguar kontekstin dhe lidhjet mes letërsisë dhe racizmit, letërsisë dhe diskriminimit, janë përdorur për t’i mbajtur në qarkullim. Sërish, edhe disa nga kryeveprat e letërsisë vështirë se shpëtojnë dot.

Drama Tregtari i Venedikut nga William Shakespeare është një shembull klasik. E konsideruar si kryevepër prej 400 vjetësh, kjo është edhe  drama e konsideruar si antisemite, një stereotipizues i hebrenjve si fajdexhinj të pashpirt.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>