12 Maj, 2021

Filozofi anglez i shekullit të shtatëmbëdhjetë konsiderohet babai intelektual i Shteteve të Bashkuara. Megjithëse Kushtetuta e SHBA-së përbëhet nga kontribute filozofësh të shumtë, nga Platoni e Aristoteli te Thoma D’Akuini, Rusoi, Montesquieu, Hume, apo Hobbes, është Locke ai që frymëzoi drejtpërsëdrejti autorin e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së dhe hartuesit e kushtetutës, më shumë se kushdo tjetër.

Locke është para së gjithash i njohur për themelimin e idesë se të drejtat e pronës, në kuptimin e tyre më të gjerë të mundshëm, janë baza e lirisë dhe se qeveria ekziston për të mbrojtur këtë të drejtë përmes ruajtjes së rendit publik.

Lindur në Somerset, Angli më 1632, Locke u arsimua në Londër dhe Oksfort dhe fitoi bursë në vitin 1658, vitin kur Oliver Cromëell vdiq dhe kryengritja filloi për Restaurimin e Mbretit në vitin 1660.

Ai u arsimua në filozofi dhe mjekësi dhe në vitin 1666 u bë mjek për Lordin Ashely, i cili ishte ministër i kurorës. Ai jetoi në oborrin e Ashley-t dhe shkroi ese, duke filuar me esenë Mbi Tolerancën. Mentori i tij ishte një nga Lordët Pronarë të Karolinës, zonës së gjerë në atë që sot janë shtetet amerikane të Karolinës së Veriut, të Karolinës së Jugut, të Xhorxhias. Locke besohet se ishte një nga kontribuuesit kryesorë të dokumentit “Kushtetutat Themelore të Karolinave”, dokumenti që krijoi një sistem qeverisjeje feudale në të cilat parashtrohet se shtetasit e lirë duhet të kishin të drejta mbi qeverisjen ndërsa skllevërit, jo.

Mentori i tij pati grindje me Mbretin Charles dhe u bë udhëheqës i opozitës. Mentori ose ndoshta vetë Locke shkroi një pamflet kritik ndaj mbretit, pamflet që u dënua me djegie. Locke u largua për në Francë me justifikimin se kishte probleme me shëndetin ndërsa më 1681, mentori i tij u akuzua për tradhëti të lartë dhe u burgos në Kullën e Londrës. Kjo ishte koha kur Locke po shkruante “Një ese në lidhje origjinën e vërtetë, përmasat dhe fundin e qeverisë civile” si dhe “Traktati i Dytë i Qeverisjes”, vepra që ndikuan shumë Shtetet e Bashkuara.

Mentori i tij u lirua nga burgu dhe u arratis për në Holandë ku vdiq në vitin 1683. Locke e ndoqi në Holandë ku jetoi për pesë vjet, duke shkruar dhe duke shijuar tolerancën politike dhe fetare të këtij vendi ndërsa u kthye në Angli më 1689 kur Mbreti James u përmbys dhe William dhe Mary morën fronin. “Dy traktatet mbi qeverisjen” dhe “Letra në Lidhje me Tolerancën” u publikuan atë vit në mënyrë anonime, megjithëse autorësia e tyre u njoh gjerësisht. Ai vdiq në vitin 1704.

Filozofia politike e Locke duket se rrjedh nga Ligji Natyror, sipas të cilit, njeriu ka Të Drejta Natyrore, të tilla që nuk i jepen atij nga një sundimtar por që i ka të vetat pavarësisht sundimtarit. Nën të Drejtat Natyrore, e drejta e pronës ka rëndësi vendimtare. Njerëzit u bashkuan në një bashkësi të organizuar me një Kontratë Sociale mes tyre në mënyrë që të përfitojnë avantazhe që nuk arrijnë dot t’i përfitojnë nën gjendjen natyrore.

Kjo Shoqëri me Kontratë ishte themeli i Qeverisjes me Kontratë, nën të cilën, i gjithë pushteti politik është një besim (trust) i dhënë në përfitim të popullit dhe ku vetë populli është njëkohësisht krijues dhe përfitues i këtij besimi. Shteti mbështetet në një kontratë mes qeverisësit dhe të qeverisurit, i cili i jep atij pushtet në mënyrë që mirëqenia të rritet dhe prona të mbrohet në një mënyrë që nuk është e mundshme në kushtet e Gjendjes Natyrore, në të cilën prona mund të rrëmbehet nga më i forti. Populli, në rast se sundimtari e respekton kontratën, i qëndron atij besnik.

Ishte besimi me pasion i Thomas Jefferson në këto ideale ajo që e bëri këtë themel të shtetit amerikan.

Sipas Locke, shteti ka detyrim të merret vetëm me rendin publik. Ai merret vetëm me ato anë të sjelljes që duhet të rregullohen për mbrojtjen e publikut.

Locke nuk ishte shumë i qartë mbi modelin e organizimit të qeverisjes. Ai tha se pushteti ligjvënës dhe ai ekzekutiv “duhet shpesh të ndahen”. Megjithëse Locke mendonte se ligjvënësi duhet të jetë mbi ekzekutivin, themelimi i degëve të veçanta (parlamenti, qeveria dhe sistemi gjyqësor) në qeverisje është një ide që rrjedh nga Montesquieu.

Locke ishte veçanërisht i shqetësuar në lidhje me të drejtat në përgjithësi dhe me të drejtën e pronësisë në veçanti. Ai shkroi se “prona e çdo njeriu është vetë personi i tij. Për personin e tij nuk ka të drejtë askush tjetër veç atij vetë. Puna e trupit dhe duarve të tij, i takojnë vetëm atij…”

Ai tha se çdo gjë që merret nga gjendja natyrore detyrimisht përzihet me punën e atij që e merr dhe rrjedhimisht bëhet pronë e tij.

Prona është thelbi i lirisë politike. Natyrisht që në këtë kohë nuk kishte lindur ende ideja e mbrojtjes së lirisë së fjalës nga qeveria. Locke shkroi në Traktatin e Dytë se njerëzit bashkohen në një shoqëri “për ruajtjen e ndërsjellët të jetëve, lirive dhe pronave, të cilat unë i quaj me emrin e përgjithshëm “pronë””. Ai tha se pushteti suprem (ligjvënësi) “nuk mund të marrë asnjë pjesë të pronës së një njeriu pa lejen e tij. Sepse ruajtja e pronës është qëllimi i qeverisë dhe arsyeja se pse njeriu anëtarësohet në një shoqëri…” Ai theksoi se për mbrojtjen që ofron qeveria, gjithsecili duhet të paguajë pjesën që i takon (taksë e sheshtë e vogël), por kjo duhet të bëhet vetëm me mirëkuptimin e shumicës.

E drejta e pronës ishte e padiskutueshme në këtë periudhë dhe Locke ndikoi jo vetëm Amerikën, por edhe Francën. Deklarata e të Drejtave të Njeriut në Francën revolucionare më 1789, përcaktoi të drejtat e pronës si të rëndësishme ndërsa kushtetutat e mëvona të Francës e theksuan atë edhe më shumë. Kushtetuta e vitit 1793 shkruan: “askujt nuk mund t’i hiqet asnjë pjesë e pronës së tij pa lejen e tij, me përjashtim kur është nevojë publike, e provuar ligjërisht dhe vetëm pasi pronari është kompensuar paraprakisht.” Kjo është shumë e ngjashme me Amendamentin e Pestë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, e cila thotë mes të tjerash “…prona private nuk do të merret për përdorim publik pa kompensim të drejtë.”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>