11 Maj, 2021

Thomas Hobbes lindi më 5 prill 1588 por ai filloi të mendojë për shkencat politike vetëm pasi u bë 40 vjeç. Ai admironte mënyrën se si gjeogetria e Euklidit fillonte nga parimet dhe mbërrinte te konkluzionet përmes arsyes deduktive. Dhe kjo e shtyu të vriste mendjen nëse i njëjti mekanizëm mund të shërbente për të kuptuar politikën. Kështu ai filloi të shkruajë Leviatanin, klasikun e filozofisë politike. Leviatani, monstra detare e mitologjisë hebraike i përshkruar në Librin e Jobit, (Bibla), u përdor nga Hobbes si referencë për krijesën e stërmadhhe që ne e quajmë shtet.

Hobbes e shkroi këtë libër ndërkohë që në Angli zhvillohej Lufta Civile, dhe e publikoi në vitin 1651, kur ishte 63 vjeç. Hobbes shikoi pas në kohë në gjendjen natyrore, në të cilën, pa qeveri, jeta nuk është se ia vlente të jetohej. Ajo jetë ishte “vetmitare, e varfër, e dhunshme, e keqe dhe e shkurtër,” ku çdokush luftonte kundër çdokujt. Për ta rregulluar këtë, njerëzit ranë dakord me njëri-tjetrin të pranojnë sundimin e një sovrani për të imponuar rend. Ndryshe nga versioni i mëvonë e John Locke, sovrani i Hobbes nuk pranonte të bënte ashkë në shkëmbim.

Të menduarit politik ka bërë një udhëtim të gjatë që nga koha e Hobbes. Ne tashmë e shohim qeverinë si një proces me dy drejtime, në të cilin, qeverisësit dhe të qeverisurit kanë të drejta dhe përgjegjësi. Për shkak se kemi parë se si me pushtetin abuzohet, ne kemi kërkuar të imponojmë kufizime mbi pushtetin dhe kushtëzim që pushteti t’i nënshtrohet ligjit. Por pavarësisht kësaj, kudo që ka qeveri, ka edhe njerëz që abuzojnë me të. Ata përpiqen t’i detyrojnë të tjerët të jetojnë si duan ata dhe jo t’i lejojnë të jetojnë si duan të jetojnë.

Mënyra e vetme për ta ndaluar këtë proces, nuk është, siç mendonte Platoni, që t’i bëjmë qeveritarët tanë të virtytshëm, por, siç thotë Popper, t’i kufizojmë ata në çfarë mund të bëjnë. Nëse kufizimet kushtetuese vendosin vija të pakapërcyeshme për autoritetin, dhe nëse ka kufizime dhe balanca për t’i ndaluar të dhunojnë liritë e të qeverisurve, atëhere ka shpresa që fuqitë e tij të kufizohen dhe ambiciet të ndalohen.

Ne duhet të kuptojmë atë që Hobbes pa, që njerëzit kërkojnë të kenë pushtet mbi të tjerët. Ai mendoi se mënyra e vetme për kufizimin e tyre nga abuzimi ishte që t’i vendosje nën një pushtet që do t’i ndalonte të abuzonin. Në kohët më moderne ne i vendosim ata nën sundimin e ligjit, duke vendosur kufizime mbi pushtetin dhe mënyrën se si ushtrohet pushteti. Dhe ne kemi nevojë të kujdesemi gjithmonë që të parandalojmë Leviatanin të bëhet tepër i fuqishëm.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>