Përshëndetje miq të librit,

Kësaj here duam t’ju propozojmë dy libra nga profesori i shquar shqiptar Kristo Frashëri, të cilin mbështetur mbi temat që ka trajtuar, e kanë cilësuar si historianin e ngjarjeve madhore të historisë së Shqipërisë. Ai është dekoruar nga Presidenti Topi me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Prof. Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën dhe deri në punimin e tanishëm, ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë.
Historia e Kosovës nga Prof. Kristo Frashëri
Dardania (Kosova Antike) – Prof. Kristo Frashëri ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në Betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, Sami Frashërit. Spikatin punimet shkencore të botuara pas vitit 1990, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008).
Skënderbeu i shpërfytyruar nga Prof. Kristo Frashëri
Pikënisje e këtij studimi kritik historik u bë trajtesa me titull “Skënderbeu” e historianit zviceran O. J. Schmitt, botuar vetëm në përkthimin shqip. Autori i trajtesës kritike prof. Dr. Kristo Frashëri, një njohës i mirë i historisë së Skënderbeut, nuk u pajtua në asnjë pikë me këndvështrimin negativ të historianit zvicerian. O. Schmitt-i e ka shpërfytyruar nga shumë pikëpamje portretin historik të Skënderbeut.
Ndërsa historiografia shkencore botërore dhe shqiptare e ka vlerësuar heroin shqiptar, si një udhëheqës i shquar i kryengritjes çlirimtare të shek XV kundër zgjedhës osmane, si një strateg gjenial që korri vazhdimisht fitore ushtarake kundër sulltanëve turq, si një farkëtar dorëfortë që krijoi shtetin e përqendruar kombëtar shqiptar, si një burrë shteti, i cili me luftën e tij një çerek shekullore konsolidoi identitetin kombëtar të shqiptarëve, si një personalitet i historisë mesjetare i cili në të njëjtën kohë mbrojti edhe qytetërimin e Europës humaniste.
Përkundrazi, historiani zviceran e paraqet Skënderbeun si një kapedan që luftoi për t’u hakmarrë për vrasjen e të atit nga dy sulltanë turq, si një prijës që synoi të ripushtonte zotërimet feudale të prindërve të tij, si një udhëheqës ushtarak që në luftë kundër ushtrive osmane pati disfata pas disfatash, si një personalitet i cili e mbylli jetën e tij si emigrant në zotërimin venedikas të Lezhës, si një prijës që la pas vdekjes së tij vetëm një vend të mbushur me gërmadha, si një njeri të cilin Europa u kujtua ta nderonte vetëm pas vdekjes.
Pasi hedh poshtë tezat e autorit zviceran, historiani shqiptar Kristo Frashëri analizon në mënyrë kritike edhe disa pikëpamje po aq të padrejta të shfaqura nga disa analistë shqiptarë në shtypin tonë të përditshëm.
“Në bazë të lirisë së pakufizuar të fjalës, demokracia jonë, edhe pse çalamane, falë Zotit, i ka dhënë të drejtë historianit të mbrojë figurat e ndritura të kombit tonë nga fyerjet, përdhosjet dhe shpërfytyrimet e atyre që kanë zgjedhur si mënyrë jetese të fyejnë, të përdhosin, të shpërfytyrojnë ku të mundin – në shtyp, në radio, në televizion – vlerat e ndritura të historisë së Shqipërisë, madje edhe identitetin tonë kombëtar.
Si qytetar bashkohem me ato zëra që protestuan kundër fyerjeve, përdhosjeve e shpërfytyrimeve në dëm të figurës së Skënderbeut nga historiani zviceran Oliver Jens Schmitt dhe nga duartrokitësit e tij shqiptarë, të cilët mezi presin të hedhin baltë kundër çdo vlere pozitive të kombit të tyre – që pas shekuj tallazesh, shtypjesh e mjerimesh arriti, më në fund, të gëzojë lirinë e ëndërruar.
Si historian e ndiej për detyrë, meqenëse vetë Skënderbeu nuk ka mundësi të flasë, të parashtroj, me sa kam mundësi, argumentet historike që hedhin poshtë hamendësimet, shpifjet dhe shtrembërimet që ata kanë përdorur për ta shpërfytyruar Heroin tonë Kombëtar.”