18 Shkurt, 2025

Përshëndetje miq,

Viti 2025 ka mbërritur me vrull në botën e librit. Vepra Punëtorët e Detit nga Hygoi erdhi e shqipëruar për herë të parë dhe po kështu Buvar dhe Pekyshe  nga Floberi. Këto janë disa nga librat e rinj që mbërritën në librari gjatë ditëve të fundit.

Tradhtia e intelektualëve, Julien Benda

Në vitin 1927, filozofi francez botoi esenë e tij të famshme, La Trahison des clercs, e cila më pas u botua edhe nën titujt Tradhëtia e madhe apo Tradhëtia e Intelektualëve. Kjo u bë një nga esetë me më shumë peshë në kohën kur u botua dhe vijon të lexohet edhe sot për forcën e argumentimit se çfarë do të thotë të jesh intelektual dhe raporti që intelektuali duhet të ketë me të vërtetën.

Shqipëroi: Olsi Kokushta, Dituria, 288 f., 1,000 lekë

Rruga e kthimit është një roman nga Erich Maria Remarque që vjen për herë të parë në shqip dhe që trajton personazhe të ndryshme nga Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit  por që, nga mënyra se si këto personazhe përshkruhen, sugjerohet se kanë qenë e njëjta histori. Është një roman tjetër nga madhështorët e Remarque që merret me përpjekjet e të rinjve të traumatizuar nga lufta për të ndërtuar jetën e vet në botën e shoqërisë civile.

Shqipëroi: Marzela Çelanji, Fan Noli, 320 f., 1400 lekë

Burgu, Haki Stërmilli

Një nga shkrimtarët më të dashur të letërsisë klasike shqipe vjen me këtë libër ditar nga jeta si i burgosur për pesë vjet për progagandë kundër regjimit të Ahmet Zogut. Ky libër nga autori që më vonë u bë i  njohur për romanin Sikur t’isha djalë, vepra e parë e mirëfilltë që trajton temën e çlirimit të gruas, shërben si një dritare shumë domethënëse për jetën e atyre viteve gjatë së cilave Shqipëria u transformua gradualisht nga një republikë me shanse për t’u zhvilluar në demokraci, në një monarki absolute që e prezantonte veten si “diktaturë e ndritur”.

Ky libër vjen si botim anastasik i botimit të parë të vitit 1935.

Botimet M & B., 320 faqe, 1,000 lekë

Punëtorët e detit, një nga veprat madhështore të Victor Hugo, të cilën autori vetë e prezanton si pjesë të tretë të korpusit të përbërë nga Katedralja e Parisit dhe Të mjerët, erdhi për herë të parë në shqip këto ditë nga Astrit Cani. Ky roman është rrjedhojë e pesëmbëdhjetë viteve të gjata që Hugoi kaloi në ekzil në ishullin Guernsey në Kanalin Anglez ku vendosen edhe ngjarjet, me personazh kryesor një të huaj për shoqërinë që bie në dashuri me vajzën e  një pronari të pasur anijesh.

Botimet Fiorentina, 540 faqe, 2,000 lekë

Shtëpia e Librit ka gjithashtu kënaqësinë t’ju prezantojë disa prurje të reja nga letërsia shqipe. Romani Vorbulla nga Genta Hoda merret me temën e një zonjushe të mbajtur nga dashnori i pasur e cila papritur humbet gjithçka. Ky është romani i parë i kësaj autoreje kështu që i urojmë suksese.ù

Libri vjen nga shtëpia botuese Logbook. 218 f., 800 lekë

Shkrimtari Idlir Nivik, injohur më herët për lexuesit si Idlir Azizi, vjen me një libër të ri me tre rrëfime mbi popullsi imagjinare por që janë të ngulitura në gjeografinë tonë reale.

Deltaplang ose Konti i Monte-Negros, Lobook, 218 faqe, 700 lekë

Shkrimtari dhe përkthyesi Astrit Cani vjen me një libër me poezi, të cilat janë shkruar në gegnisht, të konsideruar gjerësisht si mjeti më i mirë për të shprehur dashurinë.

Kopsht i murosun, Fiorentina. 100 faqe, 1000 lekë

Ju faleminderit

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>