Samuel Beckett (1906 – 1989) ishte autor, kritik dhe dramaturg, fitues i Çmimit Nobel në Letërsi më 1969. Ai shkroi në frëngjisht dhe në anglisht dhe është më i njohur për dramat e tij, në veçanti En attendant Godot (1952; Duke pritur Godonë).
Becket ka lindur në periferi të Dublinit në Irlandë. Si shkrimtarë të tjerë irlandezë si George Bernard Shaw, Oscar Wilde, dhe William Butler Yeats, ai vinte nga një familje protestante anglo-irlandeze. Në moshën 14 vjeçare ai shkoi në shkollën mbretërore Portora në atë që më vonë u bë Irlanda e Veriut, një shkollë që i shërbente klasës së mesme anglo-irlandeze.
Nga viti 1923 deri më 1927, ai studioi gjuhët neolatine në kolegjin Triniti në Dublin, ku u diplomua. Pas një periudhe të shkurtër si mësues në Belfast, ai u bë mësues i anglishtes në École Normale Supérieure në Paris më 1928. Ai u takua me shkrimtarin irlandez James Joyce, i cili ishte vullnetarisht në arrati nga vendi i tij për shkak të romanit kontrovers që më vonë u bë simbol i modernizmit, Uliksi. Ai u kthye në Irlandë në vitin 1930 dhe u bë pedagog i gjuhës frënge në kolegjin Trinity, por pas pak dha dorëheqjen dhe u nis për një periudhë udhëtimesh të pandërprera në Londër, Francë, Gjermani dhe Itali. Më 1937, Beckett vendosi të ndalojë në Paris.
Si shtetas i një vendi që ishte neutral gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte në gjendje të qendronte në Paris edhe pas pushtimit gjerman dhe u bashkua me një grup të rrezistencës në vitin 1941. Në vitin 1942, disa nga anëtarët e grupit të tij u arrestuan nga Gestapo dhe ai u arratis për të kaluar në zonën e Francës së papushtuar. Ai e nxorri jetesën si punëtor krahu në bujqësi deri pasi mbaroi lufta.
Më 1945, ai u kthye në Irlandë por doli vullnetar për Kryqin e Kuq Irlandez dhe u kthye në Francë si përkthyes në spitalin ushtarak në Saint-Lô, në Normandi. Ai u kthye në Paris më 1945 dhe shteti francez i dha Croix de Guerre për kontributin e tij te rezistenca anti-naziste.
Këtu filloi një periudhë krijimi intensiv, vitet më prodhimtare në jetën e Beckett. Botimet e tij të paraluftës kishin qenë relativisht të pakta. Në to përfshiheshin dy ese mbi Joyce dhe Marcel Proust, vëllimi me tregtime të shkurtra More Pricks Than Kicks (1934), ku përshkrueshin episode nga jeta e një intelektuali të Dublinit si dhe romani Murphy (1938), që flet për një irlandez në Londër në arrati nga vajza më të cilën gati po martohej dhe meditim mbi jetën si infermier në një klinikë të shëndetit mendor. Ai pati botuar deri në këtë kohë edhe dy vëllime me poezi, Whoroscope (1930), një poemë mbi filozofin francez René Descartes, dhe përmbledhja Echo’s Bones (1935). Një numër tregimesh të shkurtra ishin botuar nëpër periodikë të ndryshëm.
Gjatë viteve që kaloi në Francën e papushtuar, Beçkett realizoi edhe një roman tjetër, Watt, i cili u botua më 1953. Pas rikthimit në Paris, mes viteve 1946 dhe 1949, Beckett realizoi një numër tregimesh dhe narracionesh në prozë, Molloy (1951), Malone meurt (1951; Malone vdes), dhe L’Innommable (1953; E paemërtuara). Ai realizoi edhe dy drama, Eleutheria, e cila nuk u botua në atë kohë dhe Duke pritur Godonë.
Suzanne Deschevaux-Dumesnil, partnerja e jetës së Beckett, ia doli të gjejë një botues për Molloy pas shumë refuzimesh. Kur libri rezultoi jo vetëm me një sukses komercial të vogël, por edhe u prit me entuziazëm nga kritika, botuesi bleu edhe dy romane të tjera si dhe Duke pritur Godonë. Profili i Beckett filloi të ngrihej falë suksesit të jashtëzakonshëm të dramës Duke pritur Godonë, e cila u vu në skenë në teatrin e vogël Théâtre de Babylone në Paris në janar 1953.
Beckett vijoi të shkruajë, por më ngadalë se sa periudha menjëherë pas lufte. Dramat për skenë dhe radio zunë shumicën e kohës së tij në këtë periudhë.
Beckett vijoi të jetojë në Paris por shumicën e të shkruarit e bëri në një shtëpi të vogël të veçuar në luginën Marne, pak larg Parisi. Ai ishte i dedikuar tërësisht te arti aq sa shmangte reklamën për veten në mënyrë të plotë. Ai nuk shfaqej në radio apo në televizion dhe nuk jepte intervista. Kur, më 1969, mori Çmimin Nobel në Letërsi, e pranoi çmimin por refuzoi të udhëtojë në Stokholm që të mund të shmangte mbajtjen e fjalimit në ceremoni.
Shkrimet e Beckett zbulojnë leximet e tij të jashtëzakonshme. Ato janë përplot me alegori për një mori burimesh letrare apo shkrimtarësh filozofikë e teologjikë. Ndikimet kryesore në mendimin e Beckett besohet se kanë qenë: Dante, René Descartes, dhe filozofi holandez i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Arnold Geulincx, një nxënës i Descartes i cili trajtoi çështjen se si anët fizike dhe shpirtërore të njeriut ndërveprojnë. Një ndikim tjetër i madh ishte miku i tij James Joyce.
Ideja e gjithëpërhapur, e nxitur edhe nga shtypi, është që puna e Beckett i dedikohet kryesisht anës së ndyrë të ekzistencës njerëzore, me endacakë dhe të rrënuar që banojnë në kazanët e mbturinave. Ky është në themel një keqinterpretim. Ai u mor me qenie njerëzore në situata të tilla ekstreme, jo për shkak se ishte i interesuar te ana e ndyrë e jetës por për shkak se përqendrohej në anën thelbësore të eksperiencës njerëzore. Lënda kryesore e shumicës së letërsisë botërore – marrëdhëniet shoqërore mes divididëve, sjelljet dhe posedimet e tyre, përpjekjet për t’u ngritur dhe për të arritur pozicion të lartë apo triumfi seksual – Beckett-it i dukej se ishin thjeshtë kurthe të ekzistencës, aspekte sipërfaqësore dhe aksidentale që maskojnë problemet bazë të vuajtjes së njeriut dhe të gjendjes njerëzore. Pyetjet bazë për Beckett-in duket se janë këto: si mund të përballemi ne me faktin që jemi hedhur në këtë botë, jemi hedhur në ekzistencë, pavarësisht se nuk e kemi kërkuar? Cilët jemi ne? Cila është natyra e vërtetë e vetvetes sonë? Çfarë do të thotë qenia njerëzore kur ai thotë “unë”?
Për rrjedhojë, ajo që duket në pamje të parë si këndvështrim sipërfaqësor, si një përqendrim i të ndyrës, rezulton në fakt një përpjekje për të kuptuar aspektet më thelbësore të gjendjes njerëzore. Për shembull, dy heronjtë e Duke pritur Godonë, shpesh përshkruhen nga kritikët si endacakë, e megjithatë nuk janë përshkruar kurrë si të tillë nga vetë Beckett. Ata paraqiten si dy qenie njerëzore në gjendjen më të thjeshtë të të qenit në botë, pa ditur se për çfarë arsyeje janë këtu. Dhe për shkak se njeriu është qenie racionale dhe nuk mund ta imagjinojë se është hedhur në një situatë pa arsye, të dy mjegulltazi supozojnë se prania e tyre në botë, përfaqësuar nga një skenë bosh me një pemë vetmitare, duhet të jetë si rrjedhojë e faktit se ata janë duke pritur për dikë. Ata nuk kanë ndonjë të dhënë konfirmuese se ky person, të cilin e quajnë Godo, ka caktuar ndonjë takim apo, për më shumë, ekziston apo jo. Të priturit e tyre të duruar ballafaqohet me udhëtimin e tyre të pamenduar dhe të paqëllimtë që mbush ekzistencën e një çifti të dytë personazhesh. Në letërsinë më dramatike, personazhet ndjekin qëllime të përcaktuara mirë; ata kërkojnë pushtet, pasuri, martesë me një partner të dëshirueshëm apo diçka të tillë. Megjithatë, pasi arrijnë një objektiv të tillë, a i afrohen ata apo audienca e tyre përgjigjes së pyetjeve bazë që shtron Beckett-i? A me të vërtetë heroi jeton i lumtur pasi të arrijë të fitojë zonjën e tij? Kjo është arsyeja se pse duket që Beckett-i zgjodhi të hedhë tutje ato që i quante pyetje pa thelb dhe fillonte aty ku të tjerët e linin.
Kjo zhveshje e realitetit deri në kockë është arsyeja se pse zhvillimi i Beckett-it si shkrimtar ishte drejt përqendrimit, pakësisë dhe shkurtësisë. Në dy veprat e tij më të hershme në prozë, More Pricks Than Kicks dhe Murphy, ai shkon në detaje të shumta. Te Watt, romani i fundit që Beckett shkroi në anglisht, mjedisi shoqëror është irlandez dhe kjo vihet re, por shumica e veprimeve ndodhin në një botë jashtëzakonisht abstrakte, joreale. Heroi i romanit, Watt, hyn në shërbim të një punëdhënësi misterioz, z. Knott. Ai punon për një copë herë për këtë padron por nuk e takon atë kurrë ballë për ballë, pastaj pushohet nga puna. Alegoria e jetës së njeriut në mes të një misteri është e dallueshme këtu.
Shumica e dramave të Beckett gjithashtu zhvillohen në një nivel të ngjashëm abstrakti. Fin de partie (Dramë me një akt, 1957; Fundi i lojës) përshkruan shpërbërjen e marrëdhënies mes padronit, Hamm, dhe shërbëtorit, Clov. Ata banojnë një strukturë rrethore me dy dritare të larta – ndoshta imazhi të krijon përshtypjen se gjendesh brenda kafkës së një njeriu. Veprimi mund të shihet si një simbol i shpërbërjes së personalitetit të njeriut në orën e vdekjes, thyerjes së lidhjes mes anës shpirtërore dhe fizike të njeriut. Te Krapp’s Last Tape (dramë me një akt, 1958 Disku i fundit i Krapp), një burrë i moshuar dëgjon rëfimet që ka regjistruar në vitet e mëparshme, vitet më të lumtura të jetës së tij. Kjo përfshin eksplorimin e misterit të vetvetes sepse për plakun Krapp, zëri i atij vetë më i ri është zëri i një të huaji. Në këtë kuptim, a mundet të ketë dy Krapps, të parë si e njëjta qenie njerëzore? Te Happy Days (1961 Ditë të lumtura), një grua, e cila në kuptimin e drejtpërdrejtë po zhytet vazhdimisht në tokë, gjithsesi po vijon të dërdëllisë mbi vogëlsirat e jetës së saj. Me fjalë të tjera, ndoshta, ndërsa njeriu i afrohet vdekjes, ai vijon të pretendojë se jeta do të vijojë normalisht përgjithmonë.
Në prozën e tij në trilogji – ato nuk janë, nëse flasim thatë, romane, siç kuptohen zakonisht Molloy, Malone vdes, dhe E paemërtueshmja, si dhe në përmbledhjen Stories and Texts for Nothing (1967 Rëfenja dhe tekste për asgjë), Beckett-i ngre problemin e identitetit të vetvetes njerëzore, a thua se mund të shihet nga brenda. Problemi bazë, i thënë thjeshtë është se kur unë them “unë po shkruaj” po flas për vetveten, një pjesë timen që përshkruan çfarë po bën një pjesë tjetër e imja. Unë jam njëkohësisht vëzhguesi dhe objekti që vëzhgoj. Cili është “uni” i vërvetë? Në narrativat e tij në prozë, Beckett përpiqet të ndjekë esencën iluzive të vetvetes, e cila, për të, manifeston vetveten si një rrëke e pandërperë mendimi dhe vrojtimesh mbi vetveten. E gjithë ekzistenca, e gjithë vetëdija jote si qenie në botë mund të shihet si një rrëke mendimi. Cogito ergo sum është pika e nisjes e filozofit të parapëlqyer të Beckett-it, Descartes: “Mendoj; rrjedhimisht jam.” Për të kuptuar ekzistencën e të qenit, për rrjedhojë, Beckett-i u përpoq të kapë esencën e rrëkesë së ndërgjegjes që është ekzistenca e dikujt. Dhe ajo që ai gjeti ishte një korr vëzhguesish e rrëfimtarësh që pakësoheshin vazhdimisht të cilët, menjëherë sapo vëzhgoheshin bëheshin automatikisht objekte të vëzhgimit nga një vëzhgues i ri. Molloy dhe Moran, për shembull, ndjekësi dhe i ndjekuri në pjesën e parë të trilogjisë, janë thjeshtë një çift, vëzhguesi dhe i vëzhguari. Malone, në pjesën e dytë, kalon kohën e tij ndërsa po vdes, duke sajuar rrëfenja mbi njerëz të cilët qartazi janë aspekte të atij vetë. Në pjesën e tretë ai arrin në shkëmb të fortë. Zëri i takon dikujt që nuk ka emër dhe nuk është e qartë nëse zëri vjen nga përtej varrit apo vjen nga një situatë e ngrirë para lindjes. Për shkak se ne nuk konceptojmë dot vetëdijen tonë e të mos qenit atje – “unë nuk mund të jem i vetëdijshëm se kam pushuar së ekzistoj” – rrjedhimisht vetëdija është në secilën anë e hapur për pafundësi. Kjo ëshhtë gjithashtu tema e dramës Play (1963 Loja), e cila tregon çastet e vdekjes së vetëdijes së tre personazheve, të cilët kanë qenë të lidhur në një trekëndësh të parëndësishëm dashuror në jetë dhe që mbesin varur në përjetësi.
Pavarëisht kurajës së Beckett në trajtimin e misterit final dhe dëshpërimit të ekzistencës njerëzore, ai në thelb ishte një shkrimtar komik. Në një komedi franceze, e qeshura vjen zakonisht nga ndjekja e ethshme dhe zakonisht e pasuksesshme e kënaqësive të vogla seksuale. Edhe në punën e Beckett, pranimi i vogëlsisë dhe pakuptimshmërisë finale në shumicën e përpjekjeve të njeriut mbart efekt çlirues për shikuesin përmes nxjerrjes në pah të kotësisë së qëllimeve. E qeshura vjen nga një shqetësim pompoz që i jep rëndësi vetesh, i cili shfaqet si një ambicie iluzive dhe dëshirë e kotë. Efekti final i Beckett-it është një katharsis cllirues, një qëllim ky po aq i vjetër sa edhe vetë teatri.
Tekniisht, Beckett është një kryemjeshtër dhe të kuptuarit prej tij të formës është i pakrahasueshëm. Për shembull, Molloy dhe Duke pritur Godonë janë krijuar në dy pjesë simetrike të cilat janë imazhe pasqyrë të njëri-tjetrit.
Punët e mëvona të Beckett kanë tendencën të përqendrohen dhe shkurtohen në maksimum. Come and Go (1967 Ec e ik), një dramë e shkurtër, një “dramaticule,” siç e quajti ai, ka vetëm 121 fjalë që fliten nga tre personazhe. Seria e tij Acts Without Words (Akte pa fjalë) janë saktësisht ajo që titulli thotë se janë; një nga dramat e tij të fundit, Rockaby, zgjat vetëm 15 minuta. Kjo është thjeshtë një tregues i vendosmërisë së Beckett-it për të shtrydhur të shkruarit të tij te thelbësorja pa shpërdoruar asnjë fjalë për vogëlsira.