nga Admin

14 Tetor, 2008

Fotot Enver HoxhaDisa vite më parë më ka rastisur të shoh një film me titull “Kryeengjëlli”, bazuar në romanin me të njëjtin titull të shkrimtarit bashkëkohor Britanik Robert Harris. Filmi dhe romani fliste për një historian amerikan që shkon në Moskë për të kryer kërkime mbi të shkuarën Staliniste të Bashkimit Sovietik. Personazhi, zbulon pa dashur një lajm të rremë, lajmin e ekzistencës së një trashëgimie të tmerrshme të Stalinit, një djalë me nënë të vrarë të fshehur për pesëdhjetë vite në pyjet e Siberisë, që tashmë rrezikon të kthehet në formën e shpëtimtarit për rusët e lodhur nga kapitalizmi dhe falimenti financiar i viteve ‘90. “Stalini qe vrasësi më i madh i të gjitha kohërave. Qe një vrasës më i madh se Hitleri. Megjithatë, gjysma e rusëve sot besojnë se ka bërë një punë të mirë”, thotë Harris në gojën e personazhit të tij.

Perëndimorët që e kanë lexuar me bollëk këtë roman të shitur me miliona kopje, e panë thjeshtë si një ngacmim të fantazisë së tyre. Deri në fillim të kësaj jave, edhe unë e pashë si një ngacmim fantazie, një makth që është thjeshtë në libër dhe që mbaron sapo të mbyllësh librin. Por javën e fundit, ndjeva forcën profetike të letërsisë, kur pash se si media e Tiranës, për shkaqe tërësisht komerciale, na e ngjalli sërish Enver Hoxhën dhe i dha vejushës së tij rolin e “kryeengjëllit”. Edhe në romanin e Harris, një gazetar “nxjerr djallin nga shishja”, por merr në këmbim një fund tragjik. Në romanin e Robert Harris, makthi mbaron shpejt me një zgjidhje të ofruar nga një personazh dytësor. Personazhi dytësor mbante brenda vetes vuajtjen e të atit, një ish-komunist i persekutuar nga vetë pushteti.

Sot BBC paraqiti një fotografi nga Shqipëria, ku qe stenda në përkujtim të udhëheqësit komunist vëzhguar nga një i moshuar. Profecia letrare e Harris, për fat të keq duket se po na ndjek ne shqiptarëve edhe pasi kemi përfunduar së lexuari librin. Flamurin e shpëtimtarit, këtu te ne e ka marrë në dorë qeveria, e përbërë gjithashtu në masë të gjerë nga ish-komunistë. Dhe historia mbetet ende pa një mbarim të gëzueshëm…

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>