nga Admin

30 Qershor, 2012

Camaj i paskajuar, Shaban Sinani

Camaj i paskajuar, Shaban SinaniGjithçka e kisha çuar në mend, por që do të vinte një ditë që teksti “Dranja” (breshka) e Camajt, një kafshë e papërsosun, njëherit edhe një simbolikë universale, që do të krahasohet me bunkerët e diktaturës, kurrën e kurrës nuk besoja se do të ngjiste. Pohimi i bërë nga Shaban Sinani në librin e radhës, si një botim i QSA, ku theksohet: “Në një shkallë të afërt me të gjendet leximi i aluzionit-ngjashmëria e fatit të breshkës që jeton e mbyllur nën zhguallin e saj njësoj si atdheu i shkrimtarit që mbyll vetveten nën betonin e bunkerëve” (2011: 64), na e kthjellon udhën e verifikimit institucional, por edhe një rrekje për t’ia hedhur vellon e bunkerizimit të letrares së autorit. Dranja – një tekst që i ka të gjitha shenjat për të qenë kryevepra e autorit, si një vepër moderne dhe më shumë se sa kaq, që është univers poetik dhe letrar, që ngërthen në vetvete, poezinë dhe prozën, jetën dhe amshimin, muzikën dhe artin e fjalës, e nuk ka shanse që të keqkuptohet derisa të pranëvihet edhe me bunkerët dhe bunkerizmin e sistemit monist, që e detyruan autorin të arratiset nga dheu i të parëve, porse me qasjet paragjykuese po ia trand shtatin edhe në amshim. Në këtë Shqipërinë tonë, të nakatosur në qëmtime të habitshme, zakonisht ngjasin të pangjarat dhe mandej ato bëhen mbizotëruese në jetën tonë. Kjo është bërë rregull që ngjet me mjediset akademike dhe shkencore. Edhe njëherë tjetër, në një libër të QSA, pra ngaqë kemi një botim institucional, po i kushtojmë më shumë vëmendje, me autor Shaban Sinanin, pra të një rasti krejt specifik dhe unik, që na zbulon prirjen dhe kahet e rrëshqitjes, të ekspertëve dhe të institucionit në honet e qasjeve anësore, në situatën e mosverifikimit të tekstit letrar, sepse edhe në librin me 22 autorë, po ashtu kemi një libër po të Shaban Sinanit dhe të QSA, që thuhet se, krahas shpërndarjes së titujve, mastera dhe doktorë, qëllon nganjëherë që të merret edhe me albanologjinë. Pikërisht kjo verbëri institucionale, ose mbase ka më shumë mundësi që ky solidaritet ndërinstitucional dhe bashkëmendimtar, na zbulon rrënjët e një klime të rrokshme të një mirëkuptimi zyrtar të studimeve letrare, për t’i veshur kostumet, me çdo kusht dhe çmim, që nuk i shkojnë Camajt. Kjo situatë bashkëpunimi, të paktën siç ta prezanton libri që ka vënë në qendër vetëm se zhanret e Camajt, kryesisht për ta shkërmoqur poetikën e Martin Camajt, si ligjërim gjuhësor dhe letrar që nuk krijon asgjëkund gjasat e krahasimit me ikonat e diktaturës, me bunkerët e betonarmesë, çka përfaqëson vetëm një aspekt të deformimit të natyrës së shkrimit të Camajt. Një rrekje e tillë, e derdhur me tepri shkujdesje shkencërimi, pra të bësh sikur po bën shkencën e madhe, në librin me titullin Camaj i paskajuar/pa paskajore (që aq shumë e deshi dhe e ka lëvruar shkrimtari, ndonëse jo pak e pengon gjuhësisht dhe artistikisht për ta rreshtuar në radhët lëvruesve të standardit), me gjithë mëtimet e pagjasshme të Shaban Sinanit, që këso here na ka shpërfaqur me një krenari të habitshme, se breshka e autorit ngjan dhe përputhet edhe me bunkerët e monizmit, si një ngjashmëri e parrokshme, sido që ta dredhosh fjalën dhe interpretimin, sido që të kesh hedhur supeve titujt e akademizmit të mykur shqiptar, sido që ta qullosësh penën në të gjithë gjuhët e botës. Të bindur se më tepër po ecim në një rrugë pa rrugë, në shtigje të pashkelura, të një krahasimi krejt të pagjasshëm, mbase sa largësia e tokës me diellin, ndërmjet breshkës dhe bunkerëve, megjithatë po rrekemi që të cekim thelbin e logjikës formale, e cila ka të bëjë me disa momente:

A – Si breshka, ashtu edhe bunkeri, një mjet që përbëhet nga hekuri dhe betoni, kanë një formë rrumbullake, por që të dy kanë edhe nga një koracë të fortë.

B – Breshka dhe bunkeri janë dy simbole, ku breshka është një simbol universal, ndërsa bunkeri është një dëshmi e një marrëdhënieje ushtarake, e një kohe të caktuar.

C – Formalisht, breshka dhe bunkeri, të dyja simbolet fillojnë me të njëjtën germë, ndonëse rastësia gjuhësore nuk na ndihmon që të afrojmë pangjashmëritë.

Në rrekjen e krahasimit midis breshkës dhe bunkerit, si një eksperiment i dështuar, të paktën nisëm të kuptojmë për rrugët e kërkimit të studimeve zyrtare të shqipes, që nuk bëjnë gjë tjetër, por vetëm se problemet dytësore në marrëdhënie me letërsinë i vendosin si kryesore, ku përgjithësisht biografiken dhe zhanroren, etnografiken dhe sociologjiken ia kundërvënë, sërish dhe pa ndërprerje, tekstit letrar. Dranja-breshka e Camajt, ka vlerën e vet, unike dhe të mjaftueshme me veten, po kaq me premisat letrare, të cilat ndikojnë për të hyrë në marrëdhënie me universin letrar. Përqasja e breshkës me bunkerin, tashmë besoj se u bindëm sadopak, e në mos u bindëm të paktën zumë të dyshojmë, është gati i pamundur që të ngjasë. Pamundësia e përqasjes së tyre, pra e breshkës frymor me bunkerin një bashkim i betonit me hekurin, gjithnjë në këtë qasje ku ka njëfarë kuptimi, që të vijohet të flitet mbi to, lidhet:

Së pari: Me përqasjen e breshkës, si një gjallesë dhe shenjë universale, duke u përshtatur dhe mbijetuar në të gjitha rrethanat me bunkerin e akullt dhe të frikshëm, pra, me një gjësend krejt të vdekur qysh në lindje, i cili në fakt paraqet dëshminë më të qartë të rrugëve të mbrapshta në të cilat na futi sistemi monist, prej të cilit shkrimtari u arratis e tani po e gardhojmë në rrathët e bunkerizmit të sociologjizimit të paskajuar/pa paskajoren që e lëvroi, pra duke ia ndaluar paskajoren, shenjën unike të autorit.

Së dyti: Materiali përbërës, ku breshka bashkë me kaftallin, që të fanitet si copë dheu, bart mbi vete gjakun, mishin, eshtrat dhe koracën, që e ka me funksion mbrojtës, ndërsa bunkeri, që përbëhet nga hekuri dhe betoni, nuk e di se çfarë lënde përfaqëson, në marrëdhënie me jetën, po kaq si vijim i pranisë së një atavizmi ideologjik të pastër.

Së treti: Breshka me pamje të çuditshme dhe mjerane, që të kujton dinozaurët e hershëm, që megjithatë vijon ende ta tërheqë rrëshqanas vatrën e vet, është e përlindur nga Zoti apo nga natyra, ashtu si dhe vetë qenia njerëzore, kurse bunkeri dihet se është një krijesë monstruoze e vetë njeriut, më shumë të rrëzuar dhe shkalluar nga mendja prej ideologjisë së marrëzisë utopike, si dhe i pushtuar nga iluzioni marrok, se me anë të bunkerit e gjeti shpëtimin nga lufta bërthamore.
Së katërti: Breshka, krejt ndryshe nga bunkeri i palëvizshëm që qëndron stoik, lëviz pa pushim dhe madje kapërcen kufijtë e tokës, qiellit, ujit, kufijtë e perandorive dhe shteteve, çka mbithekson karakterin universal të saj, si një dëshmi unike dhe e frikshme dikur, e tani e transformuar dhe e përmbysur nga shkëlqimi i hershëm, deri në dhimbje dhe bjerrje të forcës.
Në kushtet e pamundësisë së përqasjes së breshkës me bunkerin, pra të një situate të pamundur, që të ndeshësh në pika përputhshmërie, madje edhe nëse je i pajisur me fantazi të ndezur, edhe sikur të kesh krahët e lehtë të Pindarit për të fluturuar në mjegull, sërish nuk arrin që të gjesh asnjë shans të përqasjes së tekstit Dranja- breshka e Camajt, me bunkerët e kohës së monizmit, ikonën dhe simbolin e diktaturës, ku burra e gra, pleq e kalamaj, ishin pjesë e popullit ushtar, kur gjithçka ishte bunkerizuar nën pushtetin ideologjik dhe sociologjik të kohës. Camaj, me mundime dhe rreziqe, iku më herët nga ky rrethim i mbrapshtë me tela me gjemba dhe bunkerë, e nuk ka gjasa, as teorike dhe formale, që vetëm pse kështu dëshirojnë korifenjtë e realizmit socialist ose shqytarët e zellshëm të tij, pra që ta gardhojnë në telat me gjemba dhe ta fusin nëpër bunkerët e njësuar të realizmit socialist, letraren e tij, në poezi, prozë dhe në dramatikë. Një thënie gjermane, se çdo krahasim çalon, në njëfarë mënyre të shpëton nga marrëzia e studimeve zyrtare të shqipes, që përgjithësisht e kanë varur shpresën e shkëlqimit të tyre vetëm në çengelin e krahasimit, zakonisht në përqasjen e pagjasshme të autorëve, teksteve letrare, si dhe të dukurive që zakonisht nuk kanë asnjë lidhje në mes tyre, pra që përgjithësisht ecin me filozofinë e leximit të leximeve të palexuara. Ngjashmëritë formale, në këtë rast më tepër të stisura, midis breshkës dhe bunkerit, e sidomos pangjashmëritë e shumta dhe logjike ndërmjet tyre, të rrafshit jetik dhe funksional, shënjues dhe shpalues, etik dhe estetik, nuk e di si do të ishin pritur nga Camaj, nëse do të kishte mundësi që ta lexonte këtë përqasje absurde. Në rastin e librit, që shpërfill paskajoren dhe ligjërimin e gegnishtes, hasim të shkruar qartë situata të një paragjykimi të pastër: Jo vetëm nga pikëpamja atropologjike, por edhe në rrafshin e ligjërimit dhe në atë të figurshmërisë, letërsia që krijoi Camaj mbahet më shumë nën pushtetin e traditës, në rrafshin e kumtit e të domethënies; por jo estetikisht. (2011: 90), por që megjithatë përfundojnë në një kundërshti logjike të hapur, që përçon pasoja:

-Në tekstet e Camajt mëtohet sikur ka kontradiktë midis domethënies dhe formës, por që na shpie te verifikimi i brendisë si kundërvënie e formës.
-Që domethënia e letrares, pra tematika dhe problematika, idetë dhe mesazhet, i përkasin pushtetit të traditës, çka shënon një shpalosje të paragjykimit, të mosleximit të letërsisë si art, si shenjë estetike.
– Fjalët e fundit, pra jo estetikisht, duket se janë si një bisht rastësor përballë analizës së gjerë, pra duke dëshmuar për vendin që i kanë lënë formës, stilit, artit të fjalës, studimet letrare zyrtare shqipe.

Pa dyshim, si gjasa hamendjesh, për këtë fakt të krahasimit të pagjasshëm, të breshkës me bunkerin, janë të shumta. Porse për autorin që shkroi me aq dhimbje dhe dashuri, me aq etikë dhe art, mbase duke e skicuar edhe si zhguallin më të thekur të gegnishtes dhe po kaq të paskajores, që nuk e skajon dhe dallon, por e bën të ndryshëm, gjuhësisht dhe artistikisht nga letërsia e realizmit socialist, nga letërsia shërbestare dhe të përndriturit e saj, po ashtu e shpërndërron në një rast unik të përputhshmërisë së fjalës si art, të brendisë dhe formës, të thënies dhe shprehësisë, të dëshmisë dhe shpalimit artistik të njëmendtë. Megjithatë, ka shumë mënyra përjetimi ndaj kësaj qasjeje që zbulon mënyrat e verifikimit, e pa mëdyshje njëra ndër to do të qe dëshpërimi, gati i parrëfyeshëm, prej keqkuptimit dhe keqpërdorimit të një teksti letrar, në këtë formë, të përqasjes së parrokshme. Përfundimi i sjellë me një pakujdesi që nuk u shkojnë titujve dhe institucionit që përfaqëson, se: Përmes breshkës shkrimtari identifikon vendlindjen, fshatin buzë lumit të madh, fshatrat mbi kurriz të maleve, thellësitë e fshehura të botës shqiptare, mjediset e shmangura prej qytetërimit bashkëkohor, Dukagjinin e izoluar nga natyra vetë dhe kufijtë, Drinin si fat dhe si kufi, tribunë që të ardhmen e vet përpiqet ta lexojë në shpatull të flisë së të kremteve. (2011: 234), që i vë pikat mbi i, si nivel shqyrtimor të institucioneve të verifikimit/pa verifikim të letrares, si tekst dhe magji shkrimi, që na zbulon mënyrën e qasjes ndaj veprës letrare të Camajt, pra si një lexim qëllimor etnografik, si shkrimtar i traditës, sociologjik dhe biografik, por më tepër edhe si një paragjykim i rrokshëm, për ta futur në këtë tipologji shkrimi, në mënyrë që hipoteza e shkrimtarit të lartësive (një emërtim midisës dhe eufeimk i Kadaresë), të thellohet dhe përplotësohet me argumente të rrafshit etnografik që e prangosin përfundimisht krijimtarinë e autorit si një përfaqësues i traditës, pra si shkrimtar i së kaluarës, çka është thënë edhe më parë, por si një pëshpërimë e akademikëve, që nuk dinë se çfarë të bëjnë me një tekst letrar që nuk ka lidhje me botëkuptimin e tyre të lidhur mbas verifikimit të brendisë, në spektrin bardhë e zi. Po ashtu, ka shumë mundësi që do ta çonte në mend, se përse e përfundojë kryeveprën e tij Dranja. A nuk do të qe më mirë që ta linte në mes të udhës, një libër gjysmak, sepse paragjykimi i studimtarisë socrealiste dhe i QSA, që formalisht mëtojnë të jenë kundra tij, mbërrin deri aty sa të krahasojë të pakrahasueshmet, breshkën-Dranje me bunkerin e diktaturës. Ta linte përgjysmë, siç bëri Faik Konica me shumicën e veprave të tij, i bindur se nuk ka kush ta lexojë letraren e tij. Ose më mirë do të qe të mos e kishte shkruar fare, madje as ta çonte në mend si tekst. Por tanimë gjërat kanë ndodhur, Camaj e kreu mëkatin e shkrimit. Ngaqë Camaj e përfundoi tekstin, madje të shkruar me paskajore, gurin e themelit të gegnishtes, vjen dënimi dhe ndëshkimi i tij, pra leximi gjysmak, me krahasime dhe nënkuptime, që e bjerrin dhe shkërmoqin letraren e autorit. Nga ana tjetër ndeshet edhe një kontradiktë logjike: Nuk është e rastit që breshka është një prej totemeve universale, bashkë me ariun  dhe dhelprën, që njësohen gjerësisht në studime si tri totemi që bashkojnë popuj të familjeve dhe prejardhjeve të ndryshme. (2011: 232), cituar në librin The Natural Genesis, të Gerald Massey. Ky pohim e nxjerrë qasjen me bunkerin si një pamundësi logjike dhe i bie që, ose shkruesi nuk ka kuptuar idenë e studiuesit, mbi shënjimin universal të breshkës, ose e ka shtrembëruar enkas atë. Pohimi tjetër, kur thekson: … i le të kuptohet lexuesit se është shkruar pjesë-pjesë… (2011: 283) në fakt është përfundimi më i saktë, sepse këtu janë përfshirë kumtesat në dy konferencat për shkrimtarin, artikujt e botuar në librin e botuar gjermanisht-shqip nga Bardhyl Demiraj, dy parathënie në kolanën e botuar në vitin 2010, po kaq edhe pohime të bëra nga vetë ai në librin për njëzet e dy autorë të letërsisë shqipe, ku e krahason shpesh tekstin Dranja me bunkerët. Pasi ta përtypim, pa ndonjë dëshirë të madhe, këtë kriptogram etnografik dhe zhanror, me citime në shumicën e gjuhëve të botës (sepse QSA dhe ekspertët e saj duket se janë poliglotë të thekur), ndërkaq të shoqëruar edhe me leximin e letërsisë si parafabrikat, madje disi ma tepër si një hije e nginjur në jargavitje, i vjen radha krahasimit tjetër të bunkerit me kullat dhe kalatë, çka në fakt duket se ka qenë edhe qëllimi real i shkrimit, që merr shkas nga Dranja-breshkë e Camajt, për të rrëshqitur në përjetësimin e qëndresës shqiptare, në kohën e socializmit dhe socrealizmit, të cilën e përfaqëson dhe simbolizon, më së miri vetë bunkeri, por që nuk ka asnjë lidhje me tekstin e shkrimtarit të munguar, sidomos nuk ka asnjë shans që të lidhet me tekstin e titulluar Dranja-një eksperiment jo i shpeshtë, në letërsinë e përbotshme, e jo më në letërsinë e ndotur në shërbesë, që përçon ankthin e diktaturës, teksa mbijeton me nostalgjinë e bunkerëve.

Burimi: Gazeta Panorama

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>