nga Admin

24 Tetor, 2013

Kapuscinski (2)“A mundet të shkruarit të ndryshojë gjësend? Unë besoj fuqimisht. Pa këtë besim nuk do të dija, nuk do të mund të shkruaja…”. Riçard Kapushçinski shprehej kështu përpara një auditori letrarësh, në Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë “Zëra nga e gjithë bota”, në Nju Jork, në vitin 2005. E shkruara ishte e vetmja forcë ku Kapushçinski besoi, gjatë gjithë jetës së tij. Kur ishte adoleshent shkruante vargje, dhe më 1950-n poezitë e tij u vlerësuan me dy çmime në një gazetë lokale. Ky ishte momenti kur djaloshi i ri besoi se e shkruara mund të ishte një stacion ku mund të qëndronte gjatë në jetë. Në ditët e fundit të jetës në Varshavën e vitit 2007, teksa hidhte vështrimin në dosjet pafund të shënimeve të mbajtura gjatë karrierës së gjatë si gazetar, Kapushçinski shprehej se nëse do të zgjidhte të kthehej sërish, do të bënte të njëjtën jetë. Dje ikona e gazetarisë moderne dhe një prej personazheve më të rëndësishëm të publicistikës në shekullin e XX është kujtuar përmes një aktiviteti nga ambasada polake në Tiranë, ku është promovuar dhe botimi i librit të tij në shqip “Udhëtime me Herodotin”, nën përkthimin e Astrit Beqirit. Aktiviteti është shoqëruar dhe me një ekspozitë me foto të cilat sillnin imazhe nga vendet ku Kapushiçnski ka shkelur, shoqëruar me fraza nga shkrimet e bëra në shtypin e kohës, apo librat e botuar. Ja çfarë shkruhet në fotot e Afrikës ku ai qëndroi gjashtë vjet dhe shkroi një libër mbi këtë eksperiencë: “Në Afrikë nuk gjuaja elefantë… Isha korrespodent i agjencisë së lajmeve polake dhe për të shkruar mbi atë çfarë kisha dëgjuar dhe kishte parë në vend, mbi atë çka kishte ndodhur. Në Afrikë kalova gjashtë vjet në periudhën më të stuhishme e të trazuar, periudhën e mbushur me shpresa të mbara – anipse ndonjëherë shumë fluturake. Ishte kapërcyelli i dy epokave – po merrte fund kolonializmi dhe po niste era e mëvetësisë. Jam përpjekur të përshkruaj saktë këtë ndryshim, këtë kthesë, këtë revolucion”. Kapushçinski mbuloi vendet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine prej fundit të viteve ‘50 si korrespodent shëtitës i disa gazetave dhe agjencisë shtetërore të lajmeve PAP.

Kapuscinski (1)

Kur u kthye në Poloni, kishte raportuar mbi 27 revolucione e grushte shteti, ishte burgosur 40 herë dhe u kishte mbijetuar katër dënimeve me vdekje duke qenë dëshmitar i fundit i regjimeve autokratike në Afrikë dhe dominimit kolonial të disa fuqive europiane. “Me një hap vallëzimi, ai kapërcen kufirin duke lëvizur në letërsi”, shprehej për reportazhet e tij Martin Pollack. Në shqip janë përkthyer dy vepra të këtij “Princi të reportazheve”, “Perandori” dhe “Imperium”. Kapushçinski udhëtimin e kuptonte si një përjetim të frytshëm të botës, si thellim në misteret dhe të vërtetat e saj, si kërkim përgjigjesh për pyetjet që i bënte vetë. “Në mesin e arsyeve të suksesit të krijimtarisë së tij duhen përmendur prania e empatisë: bagazhi i përjetimeve dramatike nga kohët e fëmijërisë e ka lejuar shkrimtarin të ndërndjejë situatën e njerëzve, për të cilët mjerimi dhe dhuna, mungesa e të drejtave elementare, është përditshmëri. Përulej para kujtdo njeriu, pavarësisht rëndësisë së tij, pozicionit shoqëror apo kushteve të jetesës. U mësonte nga ana tjetër njerëzve, respektin që duhej të kishin për diversitetin kulturor. Për veten thoshte se ishte përkthyes i kulturave”, tha ambasadori polak në Tiranë Marek Jeziorski. Gazetari që pa me sytë e tij 27 revolucione anekënd botës, në katër raste ka qenë për t’u pushkatuar. Shëndetin dhe jetën e ka vënë në rrezik më shumë se një herë. Në një rast i shpëtoi vdekjes falë faktit që ushtari i ngarkuar të kryente ekzekutimin ishte aq i dehur, saqë nuk mundej të shkrehte revolverin. Gjithmonë mendonte se ajo për çka shkruhet duhet dëshmuar me përvojë vetjake, përsëriste se gazetaria nuk është profesion për cinikët. Te “Udhëtime me Herodotin” i cili tashmë mund të lexohet edhe në shqip, heroi është sa greku i lashtë, aq edhe reporteri polak, i cili ndërsa udhëtonte anëve të botës nuk ndahej nga “Historia e Herodotit” nga Halikarnasi. “…Për t’u mbrojtur nga provincionalizmi i kohës, bëja ekspedita në botën e Herodotit. Greku im me përvojë, i mençur, m’u bë udhërrëfyes. Shtegtuam tok me vite, Edhe pse më mirë udhëtohet vetëm, mendoj se nuk e kemi penguar njëri-tjetrin – na ndante largësia e dy mijë e pesëqind vjetëve, por edhe një lloj tjetër distance që buron nga ndjenja ime e respektit – sepse, ndonëse në raport me të tjerët, Herodoti ka qenë përherë i thjeshtë, dashamirë dhe i butë, gjithmonë kam pasur ndjesinë se jam me një gjigand…”, shkruan Kapushçinski tek ky libër. Shqipëria nuk ishte një vend i panjohur për të. Ai është njohur jo vetëm nga librat e historisë, por dhe nga përkthimet që janë bërë në gjuhën polake të librave shqip. Ylljet Aliçka, një prej autorëve të përkthyer polonisht, ruan me kujdes një letër që Kapushinçski ia ka dërguar vite më parë, pasi lexoi librin e tij me tregime “Kompromisi”. “I lexova këto rrëfime të shkurtra me një interes të madh e plot emocion. Është një letërsi e madhe, prekëse që të përfshin”, i shkruante ai shkrimtarit shqiptar. Vetë përkthyesi i tij në shqip, Astrit Beqiraj, e ka njohur personalisht poetin dhe gazetarin e madh polak. Për Kapushçinskin, përkthimi ishte një formë e cila zgjeron horizontet e mendimit dhe gjallëron ndjeshmërinë.

Burimi: Gazeta SHQIP

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>