nga Admin

16 Shtator, 2009

Bashkim ShehuEdhe pse nën petkun e veprës që “demaskon” shtresat e pasura, apo pretendimin e pronësisë së gruas nga ana e burrave, opera komike e Mozartit nuk qëlloi me fat për ata që donin ta vinin në skenë. Spiunime, hetime, burgosje, tradhti… Këtë muaj është hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Toena“, romani më i ri i shkrimtarit Bashkim Shehu, “Mozart, me vonesë“.

Sfondi historiko-shoqëror, ku vendosen ngjarjet është Shqipëria në vitet e regjimit totalitar, kur sapo kishte ndodhur çarja e madhe midis regjimit komunist në Shqipëri dhe Kampit Socialist të Lindjes me në krye Bashkimin Sovjetik. Në këtë roman rrëfehet vënia në skenë e një opere të Mozartit, “Cosí fan tutte”, në Shqipërinë e viteve ’60, dhe se si veprimi skenik dhe pasojat e shfaqjes i kapërcejnë kufijtë e skenës, duke u ndërthurur në fatet e personazheve të ndryshëm: në skandale marrëdhëniesh erotike për disa, po për disa të tjerë gjithçka shndërrohet më tej në një histori absurde përndjekjesh policore dhe akuzash politike me pasoja nga më të rëndat. Në qendër të romanit nuk është thjesht fati i një individi, por i shumë syresh, të “lidhur” me njëri-tjetrin me anë të Mozartit. Nis me gruan e një kandidati të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, gjithashtu drejtuese e lartë në vitet ’60, për të vijuar me fatet e shumë personazheve të tjera, si drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, tenorin, sopranon, baritonin, skenografin e të tjerë artistë, ose jo që morën pjesë në ndërmarrjen e vënies në skenë të operës mozartiane. Nëpërmjet fokusimit në mjediset artistike dhe pushtetare, paraqiten xhelatë dhe viktima, fajtorë dhe bashkëfajtorë, shpirtra të përçudnuar dhe shpirtra që, me dëshpërim, përpiqen të ruajnë brenda vetes një dritëz vërtetësie, në farsën e teatrit të madh të jetës nën totalitarizëm. Hija e një të kaluare që shtrihet deri në ditët tona.

Autori lëvrin në disa rrafshe kohore. Niset me vitet ’60, kthehet vite më pas, në kohën e studimeve të personazhit kryesor, Margaritës, për t’u kthyer tek ngjarja që është strumbullari e veprës, por shkëputet sërish për të ardhur në mileniumin e ri, për të na treguar fatin e ndonjë personazhi, apo vepre, për t’u rikthyer sërish në ngjarjen kryesore.

Mozart me vonese, Bashkim ShehuBashkim Shehu është një nga shkrimtarët shqiptarë më produktivë të ditëve tona. Që prej vitit 1993 e deri më sot ka botuar në mënyrë sistematike çdo vit e më shumë vepra të tij.

Prej vitit 1997 ai jeton në Barcelonë. Aktualisht punon si këshilltar për Evropën Lindore në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës. Disa prej librave të shkrimtarit Bashkim Shehu janë botuar në gjuhë të ndryshme të botës, si: “Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit” (roman); “Rrëfim ndanë një varri të zbrazët” (roman autobiografik); “Vjeshta e ankthit” (roman); “Gostia” (roman) dhe dy përmbledhje me tregime.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>