• Banner

  • Në aksion!
15 ditë prilli, Anisa Markarian
  • 15 ditë prilli, Anisa Markarian
  • 15 ditë prilli, Anisa Markarian

15 ditë prilli, Anisa Markarian

Në një cep të sallës, një vajzë flokëverdhë e ngritur në këmbë po i bënte shenjë me dorë. Ishte aq trupimët e gjymtyrëhollë, saqë ngjante e parritur. E thërrmueshme, madje. Me një lëkurë të tejdukshme si cipë veze, dy gjinj të porsashpërthyer e një qafë qumështore si kërcell barishtor.

15,62 
Sasia
Në gjendje

Përshkrimi

Titulli: 15 ditë prilli
Gjinia: Roman
Autori: Anisa Markarian
Shtëpia botuese: Çabej
Viti: 2019
Fq. 376
Pesha: 0.601 kg.
ISBN: 978-99956-38-49-7

Fragment nga libri

– Mund të bëj një pyetje? – u dëgjua një zë i hojmë femëror, i fortë dhe i vendosur.

Kuptohej haptas që brenda lutjes ishte përfshirë edhe e drejta e patjetërsueshme e fjalës. E vërtetonte ai zë burrëror. Kishte kërkuar leje veç për mirësjelljeje.

– Ju lutem! – tha ai, i lumtur që më në fund akulli ishte thyer. – S’po ju shoh. Ku jeni?

Në një cep të sallës, një vajzë flokëverdhë e ngritur në këmbë po i bënte shenjë me dorë. Ishte aq trupimët e gjymtyrëhollë, saqë ngjante e parritur. E thërrmueshme, madje. Me një lëkurë të tejdukshme si cipë veze, dy gjinj të porsashpërthyer e një qafë qumështore si kërcell barishtor. Flokët e gjatë, të hollë e të papeshë, i kishin ngecur në ajër si cerga merimangash të elektrizuara në kushedi ç’fërkim vetëtimash. Sytë i kishte strehuar nën balluket e më­ndafshta, të bëra gërshet me qerpikët.

– Ufff, ja kjo! S’i rrihet pa folur! – u ankua Vanda, bibliotekarja e dytë.

– Po si ka mundur të hyjë në sallë?! – u shqetësua Agata.

– E njihni? – pyeti Vladi, kureshtar të kuptonte arsyen përse prania e vajzës ishte e aq e padëshirueshme.

– E njohin të gjithë. Është “prishësja e festave”, – i shpjegoi ajo.

– I mungojnë ca vidha, – plotësoi Vanda duke rrotulluar gishtin tregues në tëmthin e vet për t’i dhënë të kuptonte se në ç’pjesë të trupthit të vajzës kishte bërë fole e keqja.

– Mos ki frikë, nuk kafshon. Thotë vetëm gjepura, se ka maninë e të dukurit. Po më dëgjove mua, mos ia zgjat shumë, – e këshilloi Irisi, ndërsa i bënte shenjë vajzës të fliste.

– Emri im është Ida Raez, – u prezantua ajo. – Ju ndjek rregu­llisht nëpërmjet artikujve që botoni te revista «Etja», qoftë nën emrin tuaj, qoftë me pseudonimin «Grethi».

– Ah?! Mendoja se s’do të më pikaste kush, – replikoi Vladi, hokatar.

– Ju tradhton pena juaj e pashkëmbyeshme me asnjë tjetër.

– Ju falemnderit! Cila është pyetja juaj?

Vajza shthuri balluket me një lëvizje të shpejtë koke. Flokët bredharakë iu shpërndanë në njërën e në tjetrën anë të ballit pa as më të voglën rregullsi duke nxjerrë në dritë dy sy viganë, të papërputhshëm me hajthmërinë trupore. I zinin pothuajse të gjithë fytyrën. Nuk ishin sy, por flakadanë.

– Ja nga i buron forca e pazakontë e zërit, – mendoi Vladi.

Sytë e saj dukeshin si të stisur nga trillet e një piktori që ia kishte skicuar portretin nën dritën e hënës. Tymthi, marramenthi! Tamam si nëpër ëndërr. Me një pluhurizë tiparesh mbetur në atelie nga tablo të shkuara. Vladi përfytyroi procesin krijues si të kishte qenë i pranishëm dhe u rrëqeth i zilisur. Ballë për ballë kryeveprës së mjeshtrit e ndieu veten banor të një bote çudirash ku frymëzimi kalëronte lëndinave i pafre.

– Në librin tuaj, ngjarjet zhvillohen në një qytet ku “nëpër parqe nuk ka lule por bunkerë, që qytetarët i mbjellin me punë vullnetare çdo të dielë”, – citoi vajza një nga përshkrimet e tij. – A mund të më thoni ku ndodhet ky qytet i kobshëm?

– Askund! Është fryt i fantazisë së autorit, – iu përgjigj Irisi, tak-fak.

– Është një lloj qyteti butaforik i sajuar për të vënë në skenë ngjarjet e romanit, – i shpjegoi Vladi, buzagaz. – Shkrimtarët nuk janë të detyruar të tregojnë histori që shtjellohen domosdoshmërisht në mjedise të vërteta apo të njohura.

– Jam dakord me ju. Le të pranojmë që është një qytet paksa… i-ma-gji-nar, – tha Ida duke rrokjezuar qartas fjalën e fundit.

– Kryekëput imagjinar! – ritheksoi tjetra.

– Vazhdoni, ju lutem, – e ftoi Vladi, ndërsa me mend i jepte zemër: mos u tut, brishtësi!

Por përthyeshmëria fizike e vajzës s’ishte veçse një mbresë kalimtare, e përftuar nga një vlerësim sipërfaqësor. Kur nxirrte në mejdan sytë jataganë, gjithkujt i bëhej e qartë që boshtin kërcellor e kishte prej çeliku dhe cipën guaskore të fortë si diamant. Meqenëse hamendas nuk i jepte më shumë se 16 a 17 vjeç, do të kishte qenë më e saktë ta emërtonte “vogëlushe”. I kishte hyrë tashmë shtegut të një moshe kur fëmijët dhe adoleshentët ishin të përligjur ta thë­rrisnin “xhaxhi”. Po u afrohej të dyzetave.

– Gjatë leximit të romanit tuaj, faqe pas faqeje, presim me padurim që mes Marës dhe Tonit të lindë dashuria, – vuri në dukje Ida. – Por, fatkeqësisht, nuk ndodh. Sado ta shpresojmë apo ta dëshirojmë ne, lexuesit. Përse?

– Pritja është gjithnjë më joshëse se shijimi i së kryerës, – buzëqeshi Vladi.

– Prandaj jeni përpjekur me të gjitha forcat t’i mbani larg njëri-tjetrit?!

– Nuk ju kuptova.

– Desha të them, kundër rrjedhës së natyrshme që mund të kishte marrë jeta e tyre pa ndërhyrjen tuaj.

– Çfarë ju shtyn të mendoni kështu? – pyeti ai, pa kuptuar se ku qëllonte.

– Kam përshtypjen se në kapitujt e fundit, Mara e Toni ju “kanë shpëtuar nga duart”. Veprimet e tyre nuk janë në përputhje me personazhet që keni krijuar, – shtoi ajo.

– Dokrra me xhufkë! – komentoi Agata.

– Sipas jush, personazhet letrare kanë një… ekzistencë më vete, të pavarur nga mendja e lapsi i krijuesit?! – dyzoi Vladi për një çast.

– Po. Mendoj se vjen një çast kur dialektika e krijesave e kapërcen vullnetin e krijuesit.

U dëgjua kollitja lehëse e Irisit – sinjal i kodifikuar për të ftuarin, që të kuptonte se ishte zgjatur tepër.

– Ju siguroj që s’ndodh asgjë pa dëshirën dhe miratimin e autorit. Por… dhe këtu ju jap të drejtë, gjatë shkrimit të një libri ndodh shpesh që ngjarjet nuk shtjellohen sipas idesë fillestare, – shpjegoi Vladi. – Dhe aq më mirë! Tregon që shkrimtari ka hyrë plotësisht në petkat e personazheve që ka krijuar.

– Pyetja ime është: përse i penguat Marën e Tonin të dashurohen? – këmbënguli Ida.

– E thënë kështu, ngjan sikur “pengesa” është një tekë e autorit, – buzëqeshi Vladi. – Mos harroni që jetojnë në një qytet ku, në emër të një ideali absurd, banorëve u është mohuar çdo e drejtë. Mendimi dhe fjala e lirë janë të ndaluar me ligj.

– Por jo dashuria… Nuk e keni shkruar askund që është e ndaluar.

– Ishte e nevojshme?!

– Sigurisht! Përndryshe, nuk mund të shpjegohet që…

– Monopolizimi i diskutimeve s’është aspak demokratik! – ia preu fjalën Irisi. – U duhet lënë radhë edhe të tjerëve, Vlad, – iu drejtua ish-shokut të fakultetit.

– Cilët “të tjerë”?! E ke fjalën për mumiet?! – deshi t’i përgji­gjej, por u përmbajt.

Nuk ia vlente të hynte në rragatë me të. Do të qe humbje kohe. Për më keq, do t’i shthurej filli i debatit me syviganen. Nuk e dëshironte kurrsesi! Ishte personi i vetëm në sallë që meritonte të quhej bashkëbiseduese. “Të tjerët” nuk ishin veçse figurantë.

– Pamundësia e dy të rinjve për të rënë në dashuri me njëri-tjetrin si­mbolizon përçudnimin shpirtëror të njeriut në një shoqëri besëshkalë, – vazhdoi Vladi. – Heronjtë e mi jetojnë në një qytet ku tradhtia rri në pritë pas çdo qoshe muri. Mbijeton vetëm ai që ia bën gropën tjetrit sa më shpejt e më të thellë. S’mund të dashurohet në pabesi.

– Një minutë! Mara e Toni ndodhen në të njëjtën anë të barrikadës. Pra, në mirëbesim. Kurthngrehësit janë në krahun tjetër, keni shkruar në libër.

E kotë t’i hynte polemikës. Analiza e saj ishte e saktë dhe logjike. Por letërsia ndjek të tjera shtigje arsyetimesh. Në morinë e pamundësive mbytëse të jetës në bunker, pamundësia e lidhjes dashurore mes personazheve kryesore u jepte ngjarjeve një trysni edhe më dramatike. E shndërronte romanin në një tenxhere me presion pa valvul shkarkuese.

– Tharmi i intrigës nuk është pamundësia e dy të rinjve për t’u dashuruar, por dashuria e tyre e pamundur, – tha Ida, sikur t’i kishte lexuar mendimet.

– A nuk është e njëjta gjë?!

– Jo. Dashuria funksionon në bazë të një vetërregullimi të brend­shëm, pa kompromise rrethanore, – shtjelloi ajo. – Njerëzit bien në dashuri pavarësisht kushteve historike, socialo-politike, ekonomike, apo kulturore.

– Ky lloj arsyetimi quhet idealizëm objektiv: dashuria si vlerë absolute, e pandikueshme nga faktorë subjektivë. Është, thjesht, utopi, – argumentoi Vladi.

– E megjithatë…

– Stop, stop! – urdhëroi Vanda dhe u ngrit në këmbë.

Me qëllim që t’u zinte pamjen e drejtpërdrejtë e t’u ndërpriste shkëmbimet gojore, zuri vend si shtyllë mes Idës e Vladit, por ata e shmangën duke u brinjuar. U anua edhe ajo. Së pari djathtas. Pastaj, hop, majtas. Më pas, fup, përsëri djathtas. E pak më tej, sërithi majtas. Hop-hup, fap-fup! Hop majtas, fup djathtas… Rihop majtas, rifup djathtas, si lavjerrës. Së fundmi, si të shpaloste një perde mishtore, hapi edhe krahët e këmbët, por pa dobi. Për sytë e Idës e të Vladit ishte bërë ndërkaq e tejdukshme.

– Dashuri të mëdha kanë lindur kudo e kurdoherë, – vazhdoi Ida. – Në periudha luftrash e epidemish vdekjeprurëse, në bunkerët e ngujimit e në kampet e shfarosjes, në pavijonet e të marrëve e të kancerozëve… Fatkeqësisht, shumica janë histori tragjike. Dashuri pa të ardhme. Pra, të pamundura.

– E qartë, – pohoi Irisi dhe i bëri shenjë me dorë të ulej. – Kush tjetër e do fjalën?

– E keni kuptuar, besoj, që tema qendrore e librit tim është pamundësia në të gjitha format dhe shprehjet e saj, – iu drejtua Vladi të pranishmëve, për t’i përmendur nga dremitja.

– Keni shkruar romanin e Pamundësisë e të Pabesisë së Madhe, – shtoi Ida.

Detajet e librit
Cabej

Referencat specifike

isbn
9789995638497
ean13
9789995638497
Bashkëngjitje
Shkarkime
KATËR HAPA PER TE POROSITUR

Udhëzues i shkurtër mbi procesin e porositjes së librave nëpërmjet faqes tonë.

Shkarkime (292.13KB)
16 libra të tjera në këtë kategori:

Botuesi: Skanderbeg Books

Varri i braktisur, Arber Ahmetaj

Arbër Ahmetaj ka lindur në Tropojë në vitin 1965. I diplomuar për Farmaci në Universitetin e Tiranës dhe të Gjenevës, që prej vitit 1986 bashkëpunon me shtypin letrar (Zëri i Rinisë, Drita, Nëntori). Krahas studimeve, në vitet 1991-1993 punoi si redaktor në gazetat "Balli i Kombit", "Kosova" e më pas në departamentin e Informacionit të TVSH-së.

Çmimi 10,41 
More
Në gjendje

Botuesi: Onufri

Udhëzim për kapërcimin e detit, Mehmet Kraja

Në kushtet e një luftë të pashpallur dhe në gjendje të shtetrrethimit, ajo përballej më një ushtri dhe aparat represiv, i cili nuk kishte përballë asnjë armik real, pos përbërësve identitarë të një populli, siç ishin gjuha, historia, shkrimi, eposi, gojëdhenat etj.

Çmimi 10,41 
More
Në gjendje

Referenca: SKU001739

Botuesi: Te tjere

Polina, Agim Hamiti

Polina, romani më i ri shkrimtarit Agim Hamiti, është himn i një dashurie subleme. Një dashuri e linduer në një ambjent, i cilipak apo aspak ka lidhje me ndjenjën e dashurisë: në një shtëpi publike... Fjordi është bir i një familje inelektuale shqiptare, e cila punon dhe jeton në Marsejë.

Çmimi 9,36 
More
Ka mbaruar

Botuesi: Onufri

Dashuritë e virgjëreshës Madalenë, Ridvan Dibra

Parabolat e Ridvan Dibrës, për nga sintetizimi dhe vrullimi i imagjinatës, të kujtojnë parabolat e Kafkës apo skicat – enigma të Apdajkut. Dhe këtë ngjashmëri e përmendim me kuptimin e mirë që kanë paralelizmat në fushën e letrave, si ngjashmëri tipologjike, lidhur me një dukuri të re në letërsinë tonë.

Çmimi 7,29 
More
Në gjendje

Prognozë e rezervuar, Ornela Agastra Mulla

 Pasioni i saj është letërsia dhe muzika. Pas vëllimit të parë me poezi “Malli nuk ka gjumë”, ajo vjen kësaj here, për lexuesin shqiptar, me një roman. Autorja shpreson që gjithësecili të gjejë në rreshtat e tij, një copëz nga vetja...

Çmimi 8,33 
More
Në gjendje

Referenca: SKU001531

Botuesi: Toena

Iluzione në sirtar, Fatos Kongoli

I ndërtuar mbi dy motive të ndërthurura, jeta e shkrimtarit dhe rruga e tij e vështirë drejt letërsisë, ky "pothuajse roman", me personazh qendror vetë autorin, na sjell pamje të papërsëritshme epokash, të djeshme dhe të sotme.

Çmimi 10,41 
More
Ka mbaruar

Botuesi: UEGEN

Portret vrasësish në grup, Dashnor Kokonozi

Dëshpërimi i shtyn të vënë në dyshim gjithçka, deri në mënyrën se si funksiononin doktrinat filozofike që ishin origjinë e sistemit. Duke mos iu dorëzuar fatalitetit, ata vihen të ndërtojnë një të ardhme tjetër, këtë herë nisur nga zbulimet më të fundit jo të filozofëve, por të antropologëve.

Çmimi 10,41 
More
Ka mbaruar

Botuesi: Botimet Dudaj

Manjola, Erjeta Kici

I vetmi ngushëllim që i kishte mbetur ishin degët e “Manjolës”, pema që prej vitesh arriti të mbante pranë vetes, duke i folur fjalë të ngrohta netëve të ftohta të dimrit e duke e përkëdhelur si fëmijë netëve të gjata të verës.

Çmimi 10,41 
More
Në gjendje

Botuesi: Botimet Dudaj

Hana, Elvira Dones

"E kështu, pra, zoti Doda, ju qenkeni poet." Pyet bashkudhëtari që për nëntë orë rresht të fluturimit me avion ka qenë ulur përbri Hanës. Radha e udhëtarëve që presin t'i kalojnë kontrollit të pasaportave në aeroportin ndërkombëtar të Washingtonit i shëmbëllen një gjarpri të lodhur.

Çmimi 8,33 
More
Ka mbaruar

Botuesi: Onufri

Duartrokitësit, Bashkim Hoxha

 Mos vallë njëmendësisht jemi degdisur kaq keq në honet e marrëzisë, saqë i duartrokasim secilit mashtrim që na serviret?” Përpos rrëfimit për Klajdin, që është boshti i këtij romani, edhe rrëfimi për Jonën është rrëqethës. Fati i tyre është fat i të rinjve të sotëm në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e qytete të tjera shqiptare. Mund ta them se Bashkim Hoxha...

Çmimi 12,49 
More
Artikujt e fundit në gjendje
Përshtypjet (0)