• Ka mbaruar
Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo, Dritero Agolli
  • Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo, Dritero Agolli
  • Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo, Dritero Agolli

Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, Dritëro Agolli

SKU001891
Dritëro

Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari "në vijë", romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është ndarë me talentin. Vitet e fundit, veçanërisht pas botimit në Francë, këtij romani i është rikthyer vëmendja.

1 200 Lekë
Sasia
Ka mbaruar

Përshkrimi

Titulli: Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo
Origjinali: Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo
Gjinia: Roman
Autori: Dritëro Agolli
Shtëpia botuese: Dritëro
Viti: 1999
Fq. 464
Pesha: 0.471 kg
ISBN: 978-99927-34-09-4

Mbi librin

Ndonëse vetë shkrimtari është shprehur se me "Arkën e Djallit" do të ndryshojë përfytyrimin e letërsisë shqipe, për një shumicë lexuesish kontributi më i rëndësishëm letrar i tij në prozë është "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" (1973). Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari "në vijë", romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është ndarë me talentin. Vitet e fundit, veçanërisht pas botimit në Francë, këtij romani i është rikthyer vëmendja.

Rreth tij është debatuar shumë. Janë hequr paralele dhe janë bërë analogji me vepra të ngjashme që nuk gjetën tribunë botimi në vende të Lindjes ish - komuniste. Me këtë rast është përmendur, jo pa njëfarë çudie, shkalla e lirisë së krijimtarisë tek autorët më të talentuar në Shqipëri. Për një gjykim më pranë së vërtetës rreth kësaj çështjeje, ndoshta duhej vënë në dukje fakti që ky roman u paraqit fillimisht si pronë letrare e së vetmes revistë humoristike të vendit - "Hosteni" - si dhe fakti tjetër i njohur, që e qeshura mundëson gjithçka.

Përmbysjet e mëdha fillojnë me humorin. Kur një periudhë historike mbërrin kohën e humorit, kjo do të thotë se ajo ka trokitur në çastin e zbaticës. "Ushtari i mirë Shvejk shembi lavdinë e perandorisë", thotë Hasheku. Për burokratët dhe servilët është shkruajtur jo pak, por faji përgjithësisht i është hedhur njërës palë: ose eprorit arrogant, ose vartësit të përulur. Kurse në romanin humoristik të D.Agollit, Zyloja dhe Demka, shkurtime të emrave tradicionalë "Zylyftar" dhe "Demir", ku nuk merret vesh ku fillon "modernizimi" dhe ku mbarojnë "përkëdhelja dhe përqeshja", e meritojnë plotësisht njëri - tjetrin.

Të dy janë shkaktarë situatash që e bëjnë lexuesin të shkulet gazit, por edhe të pezmatohet disi. Produkt i njëri-tjetrit, ata janë njëherësh bashkëfajtorë për lëngatën që e vetëvuajnë. Për artin e humorit paraqitja e dy personazheve në bashkëfajësi është një zgjedhje e njohur. Mjafton të kujtojmë, bie fjala, lidhjet midis Don Kishotit e Sanço Pançës në veprën e mirënjohur të Servantesit, Oliver Hardin dhe Sten Laurelin.

Edhe Zyloja me Demkën të tillë janë, një në dy apo dy në një. Ata ushqejnë njëri--tjetrin dhe nuk mund të ndahen. Zylo pa Demkë dhe Demkë pa Zylo nuk mund të ketë. Cili prej tyre është më shumë fajtor? Kjo nuk është një gjë që zgjidhet lehtë.Komizmi i figurës së Zylos buron nga kontradikta themelore e karakterit të tij: ai i jep vetes të tjera vlera nga ato që i takojnë, duke menduar se hierarkia shtetërore është edhe hierarki meritash.

Shoku Zylo është një nga qindra e qindra nëpunësit e mesëm të një aparati shtetëror me shumë instrumente. Ai nuk është pa merita pune, diçka ka bërë për të mirën e saj, por këto merita në peshoren e shoqërisë kanë rëndesë shumë më të vogël se në mendjen e Zylos.Në të vërtetë Zylo Kamberi është një figurë tragji - komike.

Veprimet e tij të bëjnë të qeshësh, po aq sa edhe të ndiesh keqardhje. Zyloja nuk është një burokrat poterexhi, bujëmadh, i zhurmshëm. Arroganca e tij është e heshtur. Prepotenca e tij është me zë të ulët. Veprimet e tij përherë priren nga qëllime të mbara, por çojnë në gabime trashanike. Zyloja nuk është i vetëdijshëm për sëmundjen që e mundon. Ai nuk është një burokrat skematik, që shquhet që atje tej.

Përkundrazi, lexuesi e mbyll librin i bindur se, po të mund të bëhej i ndërgjegjshëm për dobësinë, shokut Zylo ndoshta do t'i vinin mendtë dhe do të gjente forcë për të ndrequr veten. Prandaj ai është një figurë fatkeqe, ku bëhen bashkë mirësia e qëllimit me padijen, me humbjen e ndjenjës së realitetit, të masës për të vërtetën.

Në këtë kuptim, Zyloja i shfaqet lexuesit në një pamje sa të rrezikshme, aq edhe për t'i qarë hallin. Zyloja nuk i beson faktit, por imazhit që ka në mendje, iluzionit. Përmasa e jetës në mënyrën e të menduarit të tij është zëvendësuar nga idetë format. Subjektivisht Zyloja e konsideron veten në pararojë të shoqërisë, kurse objektivisht e kufizon atë. Këtu ndahet edhe qëndrimi emocional i autorit.

Ai e përqesh, e satirizon, e vë në pozitë të vështirë personazhin e vet, por edhe i dhimbset, e justifikon disi, madje, në një farë mënyre, ka raste kur duket qartë se e merr në mbrojtje, duke mos e zhveshur nga çdo vlerë. Situatat që kalon Zyloja i jeton me seriozitetin më të madh, kur të tjerët mezi e mbajnë të qeshurën. Duke ngatërruar forcën e ligjit, të kompetencës, të të drejtave si epror, me forcën e argumentit, që është autoriteti më i lartë, ai i mvesh vetes atribute të pamerituara, beson verbërisht në forcën çudibërëse të urdhrit, të fjalës. Duke imituar modelin që ka zgjedhur si shpresë për "nëpunësin në ngjitje", ai shmanget nga vetja.

Burokrat i çuditshëm, në të shumtën e herës i dehur nga një realitet që nuk ekziston, i mërguar nga jeta e vërtetë, megjithatë, here - herë Zyloja thotë disa të vërteta lakonike dhe të befta, që ai i quan "ese". Në këto raste është shumë e vështirë të përdoret për të emërtimi burokrat. Madje thua: "sa mirë do të ishte të mos e pushtonte ajo sëmundje e mallkuar, ajo marramendje, ajo dehje që vjen nga iluzionet, ai dyzim i realitetit".

Hasheku, në parathënien e romanit të tij të njohur "Ushtari i mirë Shvejk", thotë se kënaqësia dhe vlerësimi më i madh për të ka qenë kur dëgjoi një ushtar t'i drejtohej me emrin e personazhit të tij shokut të vet. Këtë kënaqësi duhet ta ketë ndier edhe autori i romanit "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo".

Zyloja dhe Demka janë bërë shenjime kategorish të shoqërisë. Edhe si burokrat, Zyloja është i veçantë, disi kapriçioz, kontradiktor, krejt i pangjashëm me një galeri të tërë personazhesh të këtij lloji, që gjenden në letërsinë humoristike apo johumoristike. Zyloja është një burokrat me dramë, burokracia e tij nuk është butaforike dhe estradeske. Natyra e dyfishtë, mospërputhja ndërmjet qëllimit dhe përfundimit, i provokon lexuesit emocione tejet të kundërta.

E rëndësishme është se cilido që të jetë emocioni: dhimbje, keqardhje, përqeshje, lexuesit i shkakton ndjenjën e refuzimit ndaj pozitës së personazhit. Zyloja dhe komisari Memo janë dy prej personazheve që e kanë vënë autorin në provën e skemës. Një burokrat dhe një komisar, në një letërsi të mbushur me burokratë dhe komisarë, ishte e vështirë të kishin individualitetin e tyre.

Nëse D.Agolli edhe në këto dy raste e tejkalon skemën, duke krijuar një burokrat të vërtetë dhe një komisar të vërtetë, kjo do të thotë se ai e ka mundur skemën. Demka, nga ana e tij, gjlthashtu është sa qesharak, aq edhe i mjerë. Dikur njeri me talent, me kohë ai e ka lënë rrugës individualitetin dhe dhuntinë e vet, për t'iu nënshtruar "vullnetit të detyrës", një eufemizëm për vullnetin e eprorit.

Ai nuk e ka zotësinë magjike të kundërshtimit dhe lexuesi thotë "mirë t'i bëhet", por prapë së prapë ndjen keqardhje për të. Me Demkën, autori paralajmëron se njeriu i zakonshëm mund ta shpërngulë fajin nga vetja dhe të gjejë një alibi, por ai që ka hyrë në botën e mediumeve publike nuk ka alibi. Individi fiton aq liri sa meriton. Për skllavin e bindur më e mira është skllavëria. Ku mund të jenë sot, pas dy dekadave jete si personazhe ndërmjet lexuesve, Zyloja dhe Demka?

Një gjë mund të thuhet me siguri: ata përsëri janë bashkë. Ndoshta mund të kenë ndërruar rolet. Kjo ndodh shpesh me çifte të tillë personazhesh. Në romanin e njohur të Servantesit në fillim Don Kishoti është krejt jashtë realitetit, në botën e iluzioneve, kurse Sanço Panço habitet me lajthitjet e të zotit. Por në fund të romanit është Sanço Panço që e humbet sensin e realitetit, duke besuar se është emëruar guvernator i një shteti, ndërsa Don Kishoti habitet me naivitetin e shqytarit të tij.

Fragment nga libri

Nuk kisha dëshirë të shkoja në asnjë zyrë. Isha lodhur duke ndenjur në kolltuk para shokut Zylo. Veç kësaj, më pihej një kafe. Kështu që pas tij dola edhe unë. Hyra në kafe "Tirana" dhe u ula në një tavolinë përballë dritares. Duke ndenjur i menduar, fillova të qeshja me vete: "Për mua shoku Zylo është fenomenal.

Me shumë njerëz kam punuar. Shumë njerëzve ua di psikologjinë, karakterin, tekat. Por njerëzit që kam njohur nuk mund të krahasohen me shokun Zylo. Si do të më shkojë puna me të, vallë? Më duket se ky do t'i shkruajë vetë referatet dhe raportet. Unë vetëm do t'i mbledh të dhëna. Të paktën kështu do ta kem më lehtë..." - mendova i ulur në tavolinë.

Pastaj, aty për aty, më ndriti një mendim: "Sikur të shkruaj çdo ditë në një fletore pjesë nga bisedat me shokun Zylo, pjesë nga fjalimet e tij në telefon pjesë nga kuvendimet e tij me njerëzit, kjo do të jetë diçka e rrallë. Po, unë do të merrem përsëri me letërsi! Ta shohë Zenepja se cilat do të jenë tregimet më të forta, ato që shkruan Adem Adashi me fejesa e shfejesa, me burra shpatullgjerë e me hoxhallarë, apo ato që do të shkruaj unë..."

Prapë qesha, por këtë radhë me zë. Por papritur, pas kësaj qeshjeje, më pushtoi një trishtim i pakuptuar. Në ndërgjegjen time të dytë vinte jehona e raporteve. Kjo jehonë gjithnjë kështu më ndiqte. Edhe kur më shfaqej ndonjë gëzim i turbullt, jehona e raporteve goditëse në muret e ndërgjegjes sime dhe ma shuante këtë gëzim të pandezur.

Edhe te shoku Zylo, - mendova me vete, - nuk do të shpëtoj nga raportet. Unë i duhem shokut Zylo, prandaj kërkoi të më mbajë pranë. Ta zemë se për një kohë ai do të më lërë të qetë. Pastaj? - pyeta veten. - Në mos më ngacmoftë shoku Zylo, do të më ngacmojë shoku Q. Edhe shokut Q i duhen raportet. Kurrizi yt, o Demkë, do t'i mbajë të gjitha letrat e nxira të futura në dosje të bardha!"Përsëri qesha si psikopat: "jo, jo, më duket se po lajthit..."

Në tavolinë m'u kujtua ftesa e shokut Zylo. Sa e priste! Me siguri ajo nuk i ka ardhur. Kot e pret. Ai e di që nuk i vjen. Edhe sikur të mos i ketë ardhur, do të thotë se i erdhi, por nuk kishte qejf të shkonte.... Shoku Q. ka rrezik ta lërë mbrëmjen solemne dhe të shkojë në shtëpi të shokut Zylo (sipas mendimit të tij).Më erdhi keq për të. Sikur të kisha një ftesë do t'ia jepja. Le të shkonte...

Tek rrija në tavolinë, pashë nga dritarja Bakirin, një nga kolegët e mi. Ai më vuri re dhe u kthye.
- Ne thamë se do të punoje në zyrën tonë; ti e paske punën me shefat, - tha ai.
- U paraqita për herë të parë.
- E, të dha udhëzimet?
- Biseduam, - u përgjigja.
- T'i tregoi studimet e para në "prizmin shkencor"? - qeshi ai.
- Folëm për gjëra të tjera, - thashë, pasi nuk doja ta merrja nëpër gojë shokun Zylo.
- Po partiturat e Diogjenit t'i tregoi? - pyeti ai përsëri.
- Jo.
- Çudi! Ai i mban në çantë..., - tha Bakiri duke qeshur.
- Do të merrni një kafe? - e pyeta.
- Asgjë nuk do të marr, - tha ai. - E njihnit mirë më parë shokun Zylo? - shtoi.
- Pak.
- Unë e njoh mirë. Dikur kam pasur mjaft miqësi. Ai kujton se unë tallem me të dhe është larguar, - tha Bakiri.
- Keni qenë edhe më parë bashkë në ndonjë punë?
- Kemi qënë në një klasë në shkollë. Pastaj ai u ngrit në përgjegjësi. Megjithatë, përsëri vazhdoi miqësia jonë. Edhe tani kemi njëfarë miqësie.

Heshtëm për një çast. Nga dritarja frynte një erë e ngrohtë. Perdja e hollë lëkundej dhe herë pas here më binte në fytyrë.
- Ëndrra e shokut Zylo është të emërohet ambasador në ndonjë vend të Evropës, - tha Bakiri.
- E kam dëgjuar, - thashë unë.
Bakiri qeshi.
- Na tha një ditë se i ishin lutur ta emëronin ambasador në një shtet të huaj, por e kishte refuzuar, sepse nuk i pëlqente jeta monotone, pa njerëz të njohur, pa vende të njohura... "jashtë shtetit është mërzi për njerëzit që janë mësuar mes një shoqërie të madhe", - na tha.
Edhe mua mu qesh.

Bakiri e imitonte zërin e tii me përpikmëri të madhe. Ai u jepte fjalëve intonacionet e shokut Zylo, ai bënte të njëjtat gjeste dhe të njëjtat lëvizje. Ndofta prandaj shoku Zylo ishte ftohur nga Bakiri. Nuk ka gjë më të tmerrshme se ta vësh njeriun në pozita qesharake. E qeshura e çarmatos njeriun. Aristofani me të qeshurat i çarmatosi perënditë.

Bakiri kishte një zakon që kur thoshte ndonjë fjalë me humor, qeshte me zë të lartë dhe i binte gjunjëve me pëllëmbë, pastaj të cëmblidhte në krah për të ta tërhequr vëmendjen.
- Po në shtëpi të tij ke qenë? - pyeti ai dhe më cëmbidhi në krah.
- Jo.
-Do të shkosh e do të kënaqesh, - tha Bakiri duke mbyllur njërin sy.
- Pse?
- Nuk të tregoj asgjë që të mos e humbasësh kuriozitetin. Vetëm kur të shkosh më merr edhe mua, - tha dhe u ngrit.
- Rri! Shpejt është.
- Po dal, Demkë.Mbeta vetëm në tavolinë.

Mendja më shkoi përsëri te shënimet që duhet të mbaja nga jeta e shokut Zylo. Por në çast mu thye zemra. Kujtova "Tartarinin nga Taraskona" të Alfons Dodesë dhe mendova se shënimet e mia do t'u ngjanin atyre që ishin shkruar në atë libër të zgjuar. "Njerëzit do të kujtojnë se unë kam imituar "Tartarinin nga Taraskona", - thashë me vete. Pastaj prapë u qetësova. "Tartarini nga Taraskona" është shkruar shumë më vonë nga "Don Kishoti" i Servantesit dhe "Panairi i kotësive" i Tekerit, por Dodenë nuk e akuzojnë se ka imituar këto dy romane të famshme".

Pas këtyre mendimeve u ngrita. Kishte kaluar mesi i ditës. Edhe gruaja duhej të ishte kthyer nga puna, prandaj u nisa dalëngadalë për në shtëpi.Kur hyra në dhomë, pashë në tavolinë një zarf, mbi të cilin ishin shkruar: "Shoqes Zenepe".E hapa dhe nxora që andej një letër të trashë të lëmuar. Ishte një ftesë.

Me ftesën në dorë hyra në kuzhinë. Gruaja po hidhte gjellën në pjatë.
- Ftesë për në mbrëmjen solemne? - pyeta.
- Pse çuditesh? Vetëm ti që shkruan raporte ke të drejtë të shkosh nëpër mbrëmje solemne? tha ajo me një buzëqeshje dhelpërake.
- Çuditem se si nuk i erdhi një ftesë e tillë shokut Zylo, - thashë unë...

Detajet e librit
SKU001891

Referencat specifike

isbn
9789928418913
ean13
9789928418913
Bashkëngjitje
Shkarkime
KATËR HAPA PER TE POROSITUR

Udhëzues i shkurtër mbi procesin e porositjes së librave nëpërmjet faqes tonë.

Shkarkime (292.13KB)
16 libra të tjera në këtë kategori:

Referenca: SKU000783

Botuesi: Onufri

Darka e gabuar, Ismail Kadare

Një darkë krejtësisht e pazakontë, me një mister midis, është subjekti i romanit më të ri të Kadaresë. Ndonëse e bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, që ka trazuar vite më parë një qytet të tërë.
700 Lekë
More

Referenca: SKU000583

Botuesi: OMSCA-1

Funerali i pafundmë, Visar Zhiti

Visar Zhiti lindi në vitin 1952, në qytetin e Durrësit, ku kaloi fëmijërinë dhe kreu një pjesë të shkollës fillore. I ati, për qëndrimin e tij nacionalist dhe për shkrimet pacifiste në një kohë të ashpër, ishte pushuar nga arsimi dhe kishte kaluar punëtor krahu, që rregullonte rrugët e Durrësit apo shkallët që të çonin në amfiteatër.
400 Lekë
More

Botuesi: Te tjere

Mjalti, Mari N'anette

Folisa, vajza e çiltër dhe e etur për dije ëshë e destinuar të lindë në një fshat të vogël e të veçuar nga pjesa tjetër e btoës. Në këtë vend mes pyjesh të dendur, ligësia e njerëzve është më e madhe se vetë numri i banorëve.
1 200 Lekë
More

Botuesi: Onufri

Paqja e përgjakur e Adamit, Agron Tufa

Vrapi rrënues i ngjarjeve na kalon para syve si shthurja e një thurime me shtiza, të cilën nuk mund ta ndalosh, derisa Adamit i mbetet vetëm një dëshirë për të cilën qe lutur: “të zinte vend i pari përbri së ëmblës, mamasë së tij të vetmuar, në rreshtin e paplotësuar të varreve familjare”.
1 200 Lekë
More

Botuesi: Te tjere

Kurbani ballkanik, Luan Starova

Një ndërmarrje e këtillë romanore është vështirë të haset në letërsitë e tjera europiane... Luan Starova tregon superioritet me romanet e tij, sepse letërsia e tij bëhet europiane, para se të europianizohen institucionet e vendit të tij.
1 000 Lekë
More

Botuesi: Onufri

Shënimet e krimbit Smolinski, Azem Deliu

Piotr Smolinski, shkrimtar i njohur polak, ftohet në një rezidencë artistësh në Kosovë ku ndeshet me mentalitetin e pasluftës, e që në disa pika, i kujton problemet e pas rënies së komunizmit në vendin e tij.
500 Lekë
More

Referenca: SKU000853

Botuesi: Toena

Bolero në vilën e pleqve, Fatos Kongoli

Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t'i shtjerë në dorë.
800 Lekë
More

Referenca: 2086

Botuesi: Princi

Saga e nji dite, Lisandri Kola

Lisandri Kola, i lindur në Shkodër më 12 maj 1986, ka mbaruar studimet e larta për Gjuhë shqipe dhe letërsi në Universitetin "Luigj Gurakuqi" në vitin 2008. Në Universitetin e Tiranës ka mbaruar studimet për letërsi në 2010 në drejtimin Teori dhe kritikë letrare. Ndërkohë ndjek Shkollën Doktorale për Letërsi, pranë UT.
400 Lekë
More

Botuesi: UET Press

Profeti nga Praga, Musa Ramadani

41 vite pas vdekjes, 82 vite nga lindja, në Pragë shfaqet një njeri truphollak e fytyrëthatim, me rroba të zeza e këmishë të bardhë. Nuk është turist, as emigrant. Është vetë Franz Kafka që rikthehet në qytetin e tij, pas vdekjes që i shoi para kohe vullkanin letrar.
900 Lekë
More

Botuesi: OMBRA GVG

Gruaja haluçinante, Mimoza Ahmeti

Ajo e kish kuptuar se droga më e tmerrshme për njeriun qe fjala, përdorimi i gjuhes si mjet manipulimi. Fjala qe arma më e fuqishme që pat zbuluar njeriu. Në mendjen e saj ajo kish disa pulsime të cilat nuk guxonte t'i kthente në fjalë, sepse forca e tyre ndërtuese ende nuk qe asnjanësuar nga ajo e shkatërrimit.
500 Lekë
More

Botuesi: Botimet Dudaj

Lakmia, Brunilda Zllami

Linja paralele realitetesh tipike shqiptare. Mbase është kjo një nga arsyet pse kjo autore, jo më e re, ka rrëmbyer zemrat e lexuesve që e ndjekin rregullisht. Lakmia e pangopur, korrupsioni, mashtrimi janë disa nga fenomenet që shpërfaqen brenda këtij libri.
1 000 Lekë
More

Referenca: SKU001777

Botuesi: UET Press

Shqiperia, Ben Blushi

"Të jetosh në ishull", "Otello, Arapi i Vlorës" dhe romani i ri "Shqipëria" janë një triptik i kompletuar i një talenti të ri të letërsisë shqipe dhe gjithaq një fenomen kulturor që meriton të kapërcejë kufinjtë e hapësirës shqiptare në dekadën që vjen, duke prodhuar një shkrimtar tjetër ndërkombëtar nga gjuha shqipe.
1 000 Lekë
More

Botuesi: Skanderbeg Books

Të ftuar në Rrethin e Dhjetë, Flutura Açka

Firence, qershor 2016. Tre miq të vjetër qysh nga fëmijëria, të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana dhe në kohë të ndryshme pas kapërcyellit të 1990 – ës, vendosin të festojnë së bashku 50 – vjetorin e lindjes.
1 300 Lekë
More
Ndoshta mund të pëlqejë edhe

Referenca: SKU000750

Botuesi: Onufri

Zhurma e erërave të dikurshme, Dritëro Agolli

Pas këtyre vërejtjeve, një ndër pjesëmarrësit, që nuk më kujtohet se cili ishte, tha se libri duhej ndaluar, një tjetër shtoi se duheshin hequr disa tregime dhe të botohej me një kopertinë tjetër jo aq të zymtë. I treti propozoi të botohej siç ishte dhe pastaj të kritikohej, duke u përcjellë me disa artikuj.
2 000 Lekë
More

Referenca: SKU001959

Botuesi: Naimi

Njerezit e krisur te Dritero Agollit, Shaban Sinani

Shaban Sinani shtron jehonën e censurës dhe autocensurës krijuese në kushtet e diktaturës, kur në fakt është shkruar romani. Në këtë studim, më i thelli dhe më gjithëpërfshirësi, ku shtrohen dhe piketohen çështje zhanrore dhe të poetikave narrative, autori, në mbështetje të rebelimeve kanonike.
800 Lekë
More