• Banner

  • Ka mbaruar

Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës, Dorian Koçi

"Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës", është një libër, me të cilin studiuesi Dorian Koçi plotëson një pjesë të rëndësishme në fushën e kërkimeve rreth pashait karizmatik, i cili me bëmat e tij tërhoqi vëmendjen e poetëve dhe artistëve më në zë të kohës së tij.

7,93 CHF
Sasia
Ka mbaruar

Përshkrimi

Titulli: Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës
Origjinali: Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës
Gjinia: Histori
Autori: Dorian Koçi
Shtëpia botuese: Streha
Viti: 2014
Fq. 240
Pesha: 0.349 kg.
ISBN: 978-9928-4206-1-9

Mbi librin

"Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës", është një libër, me të cilin studiuesi Dorian Koçi plotëson një pjesë të rëndësishme në fushën e kërkimeve rreth pashait karizmatik, i cili me bëmat e tij tërhoqi vëmendjen e poetëve dhe artistëve më në zë të kohës së tij. Në thelbin e këtij libri është një poemë që mban pikërisht titullin "Gjenealogjia e Ali Pashë Tepelenës", rëndësinë e zbulimit të së cilës e shpjegon që në parathënie Prof. Dr. Irakli Koçollari.

"Këto dekada gjetjet dokumentare për Ali Pashë Tepelenën kanë qenë aq të shumta, sa mund të thuhet se ato përherë e më shumë po reformojnë thellësisht dhe tërësisht profilin e kësaj figure karizmatike, e cila gjer dje është prezantuar nën vlerësimet e kundërshtarëve politikë dhe të ekzekutorëve të tij, francezëve, osmanëve, etj. Në radhën e këtyre prurjeve me vlerë është edhe poemthi që sjell studiuesi Dorian Koçi, autori i këtij studimi krejt të veçantë nga natyra e tij".

Sipas Koçollarit ky punim është shumë më i gjërë nga sa mund të afronte analiza e thjeshtë e poemthit, "është shumë më i thellë në dimensionet hulumtuese, sesa mund të sjellë fokusi i përqëndruar vetëm në biografinë e pashait. Ai shkon më tej dhe rihedh vështrimet e tij në çështjet që nuk janë thënë gjer më tash, janë thënë ndryshe, apo janë cekur kalimthi. Dhe këtë gjë studiuesi D. Koçi e bën duke iu referuar burimeve të shumta, autorëve të njohur e të panjohur, dokumenteve të herëshme, por edhe atyre të shfaqura rishtazi, duke qëmtuar me kujdes çdo fjalë dhe nëntekstin e çdo fjalie, për t'i shkuar kështu saktësisht të vërtetës deri në fund".

Ndër të tjera Prof. Dr. Koçollari thekson: "Studiuesi Dorian Koçi na e sjell poemthin e përkthyer, mbi gjenealogjinë e Ali Pashës, qysh në fillim të librit, për t'ia bërë prezent lexuesit të renë që ai promovon dhe që në faqet pasardhëse do të jetë objekt i qëmtimit të hollësishëm prej tij. Në përkthimin e saj duket qartë se autori ka synuar të ruajë saktësinë e fjalës, por edhe vlerat artistike të poemës.

E thënë më qartë, duke qënë se poemthi është një kronikë historike në vargje, në procesin e vështirë të përkthimit të saj, ai është përpjekur t'i qëndrojë korrekt të dy gjinive që përfshin në natyrën e tij ky krijim, poemthi, si dokument dhe kronikë historike.

Kjo kërkon përkthimin me korrektësi dhe fjalë për fjalë të materialit historik si të tillë dhe poemthi, si krijim artistik ç'ka kërkon ruajtjen dhe respektimin e gjinisë artistike në dimensionet e saj, rimën, metrikën, ritmin, etj. S'ka dyshim se kjo është një ndërmarrje e vështirë, bile më e vështira në radhën e përkthimeve, pasi në këtë rast nuk kemi të bëjmë thjesht me përkthimin e një poeme të zakonshme, në gjininë e letërsisë artistike. Por, gjithashtu nuk kemi të bëjmë as thjesht me përkthimin e një dokumenti, si kronikë historike".

Një pjesë nga studimi i autorit Dorian Koçi si dhe një fragment nga poema ne e sjellim për lexuesit tanë në këtë hapësirë të suplementit.

Koment nga autori

Poema "Gjenalogjia e Ali Pashës" është një poemë rrëfimtare epike, që shtrihet në kufirin midis folklorit dhe krijimtarisë, midis dokumentacionit dhe realitetit historik të përshtatur. Ka qenë një pasdite vere e vitit 2011, kur nëpërmjet një kërkimi të zakonshëm në Internet në gjuhën greke, hasa në site-in e biblotekës universitare të Kretës, ku ndodhen të dixhilatizuar një sërë librash për historinë moderne të Greqisë, përfshirë këtu edhe historinë shqiptare pasi Epiri, si territor i banueshëm nga të dy popullsitë ka prodhuar me shumicë mite dhe histori të përbashkëta.

Nuk mund ta fsheh që ishte një zbulim i këndshëm dhe jo pak befasues, që do më jepte mundësinë për të lexuar diçka të re nga jeta dhe origjina e një heroi të dashur për mua, që në fëmirinë e hershme si Ali Pasha, pasi nuk ka vend dhe aspekt të jetës sonë shoqërore në vendlindjen time, ku ai të mos përmendet.

Autori i i përmbledhjes është Emile Legrand, një nga neohelenistët francez më të shquar, që është marrë me studimin e gjuhës së re greke, por edhe me bibliografinë greke dhe shqiptare. Libri nga është shkëputur poema "Gjenalogjia e Ali Pashës" së bashku me dorëshkrimin shqip quhet "Collection de monuments por sehir a l'etude de la langua neo-hellenique nr.18 Genealogie d' Ali Pasha" (Përmbledhje e Monumenteve për të shërbyer mbi studimin e gjuhës së re greke, nr.18-Gjenealogjia e Ali Pashait).

Duke parë, që ky dokument i rrallë nuk ishte i përkthyer në shqip, por dhe duke menduar se nxjerrja në dritë e sa më shumë veprave qoftë edhe në gjuhë të huaj, që hedhin dritë mbi një periudhë të errët të historisë sonë, e pashë të udhës që të mos mbetesha vetëm tek admirimi artistik i tekstit, por të ndërmerrja dhe përkthimin e saj.

Përkthimin e kësaj poeme, e mora si një sfidë jo vetëm letrare, por meqenëse fliste për origjinën e Ali Pashë Tepelenës, pokaq edhe si një sfidë historike për të qartësuar dhe nxjerrë në pah origjinën e Pashait Tepelenas të përfolur kaq e kaq herë si turke e ndonjëherë si greke. Për të realizuar këtë, vendosa të ndjek metodologjinë e krahasimit të burimeve të ndryshme mbi origjinën dhe fillesat e karrierës së Ali Pashës, duke ndjekur, kundërshtuar apo dhe plotësuar vargjet e poemës, me dokumentacion historik.

Mirëpo dorëshkrimi i Legrand, përveçse poemës "Gjenalogjia e Ali Pashës" përfshinte një dorëshkrim tjetër në shqip, për ditët e fundit të tij, të rrethuar në Janinë. Ky detaj kishte jo vetëm interes letrar, si një këngë në gjuhën shqip e shkruar me alfabet grek, por dhe një rëndësi historike për të identifikuar ngjarje dhe persona historikë të kohës.

Për këtë arsye vendosa që ta plotësoj jo vetëm me të dhëna me njerëz e detaje, rreth fundit tragjik të Ali Pashës, por edhe me tre kapituj të tjerë rreth fillesave të arsimimit shqip në Pashallëkun e Janinës, simboleve evropiane, që adoptoi gjatë karrierës së tij politike dhe rëndësisë së rebelimit të tij, që shpesh herë është anashkaluar si një ngjarje lokale dhe e papërfillshme në historinë e Ballkanit.

Pyetje të shumta kanë shoqëruar vlerësimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës dhe rolit të tij në historinë moderne të Shqipërisë. Njerëz të ndryshëm të letrave, historianë, përkthyes, por edhe shpesh herë amatorë të historisë, duke iu referuar folklorit, gojëdhënave dhe leximit të veprave të udhëtarëve të huaj, kanë krijuar tashmë një fabul të një njeriu orientalist, të egër, mizor që kur veçohet fillon karrierën e vet si një hajdut i thjeshtë në malet e Epirit, për të përfunduar nëpërmjet vrasjeve, përdhunimeve dhe dredhive si zot i vërtetë i tij.

Nuk mungojnë këtu edhe penelatat e fuqishme, madje me ngjyrime orientaliste të haremeve të tij, dashurive, historia e Frosinës, që paraqesin një figurë të degjeneruar dhe epshore të Ali Pashës, që s'ndalet para asnjë gjëje për të arritur qëllimet e veta.

Portreti më i mirë, për këtë perceptim orientalist të figurës së Ali Pashës, nga ana e elitës evropiane të kohës, që vizitoi Pashallëkun e tij, por edhe nga shfrytëzimi me mjeshtëri nga vet Pashai i këtyre motiveve është trajtuar gjerësisht nga studiuesja Katherine Flamming në veprën e vet të mirënjohur "Bonaparti Mysliman", çka e ka lehtësuar shumë terrenin metodologjik, për trajtimin e kësaj figure kontraverse në historinë e afërt të Epirit, Shqipërisë dhe Greqisë.

Në këtë kontekst qasjet e vazhdueshme në shtypin e ditës apo dhe me përkthimin e veprës së Pukëvilit, ku në pasthënien e veprës tentohet të mënjanohet ose pothuajse të zvogëlohet roli i figurës së Ali Pashës, janë përpjekje që u mungon në të shumtën e rasteve baza shkencore dhe të bazuara në shumë raste në perceptime personale të përkatësive fetare, ndarjeve krahinore, qendrimeve shovene (arsyeja pse ndihmoi në shpërthimin e Revolucionit Grek) dhe çuditërisht që tejkalojnë edhe kohën, edhe epokën kur ushtroi aktivitetin e vet Pashai Tepelenas, siç është pasthënia e botimit shqip të Pukëvilit, ku në mënyrë abuzive figura e Ali Pashës lidhet me atë të Enver Hoxhës.

Figura e Ali Pashë Tepelenës nuk mund të studiohet jashtë kontekstit të kohës, gjeopolitikës dhe balancës së pushteteve të trashëguara, që ai gjeti të ngritura si strukturë më vete. Përqendrimi i pushtetit në një dorë të vetme nuk ka shkaktuar viktima të shumta vetëm në Shqipëri dhe në Pashallëkun e Janinës, por gjithandej nëpër Evropë sa herë ky proces ka hyrë në spiralet e veta të fuqizimit të pushtetit dhe ambicieve për të krijuar etnitete shtetërore të fuqishme.

Respektimi i pushtetit të Kishës Ortodokse dhe përfshirja e saj në pushtetin e kohës, ishte një traditë shtetformuese otomane, të cilën Ali Pasha Tepelena e gjeti të trashëgueshme që nga rënia e Konstandinopojës dhe nuk e shpiku vet, ndaj akuzat për mbështetje të veçantë dhe të paramenduar ndaj elementit grek nuk qendrojnë, por shpesh herë ngjajnë dilentante.

Në lojën e vet, të brendshme për pushtet, Ali Pashës i duheshin aleatë dhe te peshkopët e Kishës Ortodokse, ai gjeti njerëz, që qeverisnin dhe drejtonin si udhëheqës shpirtërorë një pjesë të madhe të nënshtesve të vet. Është afërmendsh, që këtë ekuilibër pushteti, që ndiqte Sulltani për të qeverisur në Perandorinë Otomane, nuk mund të injorohej nga Ali Pasha.

Koha, në të cilën u brumos dhe ushtroi aktivitetin e tij, Pashai Tepelenas, ishte koha kur Ballkani dhe territoret e perëndimore të tij nën kontaktin e drejtpërsëdrejtë me ushtrinë franceze, që pushtuan Ishujt Jonianë dhe zhvillimit të një rrjeti tregtar të admirueshëm me Evropën, kaluan nga procesi i mesjetës së vonë në Iluminizëm dhe Nacionalizëm.

Sigurisht, që në atë kohë ende nuk ishte krijuar kombi shqiptar dhe në të shumtën e rasteve Pashai operonte me emërtesat e grupeve etnike të ndryshme, si është rasti i vitit 1813 në letrën e famshme, që i drejtohet popullsisë së Beratit për të mbështetur ndërtimin e Manastirit të Kolkondas në nderim të Shën Kozmait. "Ju rumë të nahijes së Beratit, myzeqarë dhe vllehë grabovarë, katunde dhe çifligje, ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop që të ndreqë manastirin e plakut Kozma; ndihmova edhe unë me aspra e të ndihmoni edhe ju si t'iu thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre do të më mbetet hatëri dhe pastaj do t'i paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi. Gjirokastër, më 12 shtator 1813".

Siç shihet lehtë, në letër mungojnë emërtimet etnike arbër apo shqiptarë dhe mbizotërojnë emërtimet e grupeve etnike sipas besimit fetar, kulturor apo dhe krahinor, emërtime që tregojnë se ende nuk ishte formuar si koncept kombi dhe se te Ali Pasha ende luhateshin konceptet e vjetra otomane, të ndarjeve sipas Miletit dhe qasjeve të reja, që do përjetonin ndryshime të mëdha në Ballkan, vetëm shtatë ose tetë vjet më vonë.

Në të njëjtin stad vetpërcaktimi dhe me luhatje identitare ishte dhe popullsia greke që e identifikonte veten si "romei", emërtimi etnik që vinte që nga koha e Bizantit dhe vetëm nën ndryshimet gjeostrategjike të imponuara nga Perëndimi dhe lindjen e nacionalizmit do të përfitonte emërtimin Helen.

Merita e Ali Pashë Tepelenës si një drejtues i një etniteti shtetëror që përfshinte rreth 1.500.000 banorë të përbërë nga grupe të ndryshme etnike, është se ai nuk u gjend i papërgatitur për të përjetuar këto ndryshime, por në varësi të rrethanave dhe gjeopolitikës, megjithatë evoloi qendrimet e veta politike, nga një shkollë administrative e politike, që e kishte përgatitur për të qenë një Pasha tradicional otoman, në një prijës makiavelik me tendenca moderniste të aftë për të krijuar shtetin e vet. Krahasimi i figurës së tij duhet të shtrihet në një rrafsh me prijësit e tjerë të lëvizjeve ballkanike, që tronditën pushtetin e Perandorisë Otomane në fillim të shekullit XIX.

Pyetje të shumta duhen të ngrihen për të zbuluar më mirë figurën e tij në një rrafsh metodologjik që të përfshijë gjithë rajonin duke lënë mënjanë ditominë fetare të vlerësimit të figurave që ngjarjeve historike që jo radhë herë ka qenë mbizotërues në diskursin historik të studiuesve të huaj të kësaj epoke.

A ishte më shumë i shkolluar, më shumë humanist apo më pak gjaksor se Ali Pasha Tepelena, Millosh Obrenoviçi, tregtari i thjeshtë i derrave i shndërruar në princ pas revoltës së serbëve në 1815? A ishin prijësit e Revolucionit Grek me një mentalitet tjetër dhe të ndryshëm nga Ali Pasha Tepelena? Për çdo studiues serioz të historisë së Ballkanit është mëse e qartë se metodat, mënyrat dhe etika e kohës ishin të njëjta për të gjithë ballkanasit dhe vetëm rezultati pozitiv ose jo i tyre ka bërë diferencën në njohjen e vlerësimin e këtyre lëvizjeve dhe prijësve të tyre.

Figura e Ali Pashë Tepelenës duhet të çlirohet nga paragjykimet kulturore, krahinore, fetare dhe politike dhe për t'ia rikthyer atë vlerësimit të drejtë të histories. Këndvështrimi i ftohtë dhe jo pasionant por sidomos studimi i jetës dhe veprës së Ali Pasha Tepelenës në kontekstin historik të epokës së tij mund të hedhin dritë mbi një nga etapat kalimtare të historisë së afërme tonë, pasi duke vepruar kështu, në fakt arrijmë që të vlerësojmë drejt një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së afërme të shqiptarëve, periudhës kur pas tre shekujsh shurdhërie, nën sundimin otoman, Shqipëria filloi të përmendej sërish në Evropë.

Poema "Gjenalogjia e Ali Pashës" është ndoshta vetëm një fragment i një poeme më të gjatë, që ka ekzistuar rreth gjenealogjisë dhe jetës së Ali Pashë Tepelenës. Për fat të keq, ashtu si shënohet edhe në veprën e publikuar nga Legrand, në vitin 1871, ka arritur deri më sot vetëm Kënga e Parë e saj.

Ajo duket të ketë qenë pjesë e një poeme të plotë të vargëzuar në greqishten e re, pasi Kënga e Parë, që ka ardhur deri në ditët tona, i ka të gjitha tiparet e mirëfillta të një poeme të gjatë, të ngjashme me dy të tjera, poema të shkruara gjithashtu në greqishten e re, rreth jetës dhe veprave të Ali Pashë Tepelenës.

Së bashku me "Ali Pashaidën" e Haxhi Shehretit dhe "Vaje për Ali Pashën" të një anonimi (1873) të publikuara, përkthyera dhe të përgatitura për botim nga Profesor Irakli Koçallari, ajo përbën pjesën e tretë të një triptiku të përpjekjeve të autorëve të kohës për të përshkruar dhe përjetësuar veprat dhe bëmat e Ali Pasha Tepelenës, pa asnjë mëdyshje një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në fundin e shekullit XVIII dhe fillimin e shekullit XIX. Në këtë përfundim mund të arrihet duke analizuar vetëm këto tri vepra poetike, që kanë ardhur si dëshmi deri më sot, pasi secila prej tyre trajton me hollësi stade të ndryshme të jetës dhe karrierës së Ali Pashës.

Kështu, poema që po e botojmë, për herë të parë merret me gjenealogjinë e fillimet e karierrës të Ali Pashës, një informacion që na ka ardhur i cunguar nga poema e Shehretit dhe "Vaje për Ali Pashën". "Alipashaida" ka qenë një vepër poetike e kompletuar, por mjerisht vargjet që flasin për origjinën dhe fillimet e karrierës së Ali Pashës nuk na kanë ardhur të plota deri në ditët tona.

Po kështu, edhe pse tek "Alipashaida" rrëfehet me intensitet fundi dhe rrëzimi i Ali pashës, poema "Vaje për Ali Pashën", ka më tepër dramaticitet dhe detaje që sjellin më afër frymën e epokës dhe vetë figurën e tij. Pra, me pak fjalë, mund të pohojmë pa dyshim se tashmë kemi në duar tre burime të ndryshme të përpjekjeve artistike për të përshkruar jetën dhe bëmat e Ali Pashë Tepelenës në vargje, ku secila prej tyre trajton në mënyrë të hollësishme periudha të ndryshme të jetës së Pashait tepelenas. Poema që po botojmë sot, trajton origjinën dhe fillimet e karrierës së tij politike, "Ali Pashaida", triumfin e tij si Pasha dhe administrator i Pashallëkut të Janinës dhe "Vaje Për Ali Pashën", na sjell fundin e tij tragjik.

Poema

Frynte era dhe veriu me maraz
roja nuk i dëgjoi limën në kafaz
Djali hyn brenda, varet në ças,
tërhiqet nga kulla të hipin të tjerët pas
hipën lart 5, 6, 7, 8 veta
të gjithë hyjnë nga penxherja, brenda

Kiurka mbante çelësat poshtë jastëkut në shtëpi
në krevat ku flinte bashkë me gjithë fëmijë
dhe ia marrin çelësat në dhomë papritur
e kapin dhe atë dhe e mbajnë të lidhur
Ia therin vajzën para syve të saj
dhe e bëjnë copë-copë pastaj
lëshohen mbi fëmijët me pallë
e therin Kiurkan se lënë të gjallë.

Ia morën xhanin, gjithëve njerëzve të parë
e bënë të duket si punë që Hanikos i erdhi për mbarë.
Dadoja dhe mëndesha sa kuptuan
se Kiurka të zgjohet shumë u vonua
me njëra-tjetrën llafosen si gruaja-gruas
"Si shumë u vonua zonja jonë të zgjohet
nuk vemë e shikojmë se kur vallë do çohet"
ngjiten lart në derë trokasin

Asnjëri s'iu përgjigjet dhe s'dinë ç'të flasin
Prapë i bien derës fort sa munden
Asnjë nuk përgjigjet, habiten, ngrenë supet
e të gjithë vendosin ta hapin derën në fillim
Ta shqyejnë në ças pa asnjë ngurrim
Sa panë zonjën e tyre si qengj të therrur
brenda me fëmijët e saj në ajër të qelbur
e panë të hedhur në qoshe, çdo njeri mbet i mekur

Shkuan hormovitët me një gaz të paparë
Ia rrëfyen ngjarjet Hankos siç kishin ngjarë
Hankua sa i dëgjoi i erdhi shumë keq
Dhe me këto fjalë atyre u flet:
"Gazin tuaj, e pranoj dhe unë gaz e kam
por këndej e tutje zonja juaj, unë jam"

Dhe ajo vendosi Alinë ta dërgoj
Tek Kurt Pasha, valiu i Beratit, të shkoj
Kurt Pashai e priti në ato kohë me nderim,
duke i parë shpirtin e bëri dhëndër të tij
Hankua e mori lajmin, e mblodhi plot
Mijëra shqiptarë në një ushtri të fortë

Marshon drejt Hormovës me tërbim të madh
Për vrasjen e Kiurkës hak të marrë
E marrin vesh hormovitët e haber dërgojnë
Te të gjithë kardhiqotët, u luten dhe kështu u thonë:
"Ju kemi rixha, na dërgoni asqer
neve hormovitëve të na ndihmoni këtë her
ju japim shumë qese me para
na dërgoni njerëz e asqer ezhdërha".

Vërsulen Kardhiqotët drejt Hormovës të handakosur
(sa dëgjuan për groshët) të gjithë të armatosur
Luftën e fillojnë dhe e fitojnë.
Hankua kërkon paqe, por ata se dëgjojnë
dhe prapë e vazhdojnë luftën me tërbim.

Njerëzit e Hankos s'durojnë dot, dobësohen pa mbarim
Në kullën e Kiurkës vrapin e mban
300 veta të zgjedhur i mbeten për nishan
Sa marrin vesh kardhiqotët shkojnë dhe i rrethojnë
të dorëzohen u thonë, por ata nuk dëgjojnë
Mbarojnë armatimet, dalin jashtë dorëzohen
Toskët i lejojnë, të gjithë shkatërrohen.

Dhe brenda në kala hyjnë, rrëmbejnë
margaritarë të shkëlqyer dhe ç'të mira gjejnë
dhe marrin dhe si robinja
Hankon me të dyja, bijat
dhe pastaj qetësohen, më nuk luftojnë
i marrin në Kardhiq dhe i çnderojnë

E kapin dhe vajzën me një .................
dhe ajo në përdhunim e sipër jep shpirt.
Si e panë të moshuarit vajzën që mbaroi
e cfilitur nga ai që e përdhunoi
u frikësuan nga Kurti dhe morën vendim
Hankon ta lirojnë pa asnjë ngurim
e dërguan në Berat dhe festuan me gaz
që u lirua Hankua, krushka e Kurt Pashas.

Ali Beu i rregulloi gjërat dhe i shkruaji në fshehtësi
vajzës së Kurt pashës për të gjitha këto ligësi
ta bëjë me këtë mënyrë që të bien në ujdi
kundër Kurtit të luftojnë që të dy
të bëjnë të pamundurën Kurti të soset
helm t'i japin që të farmakoset
dhe Ali Beu të bëhet vali dhe vezir
i të gjithë Beratit, burrë me nam të mirë.

Kurt Pasha ia mëson Aliut hiletë
kujdeset që ta presin kokën menjëherë
Ali Beu e merr vesh dhe ikën me rrëmbim
në Tepelenë shkon pa asnjë nderim
Kurt Pashai zemërohet, kujdeset menjëherë
çdo njeri të jetë gati për të shkuar asqer
të shkojnë të luftojnë me Alinë
dhe të kthehen mbrapsht me kokën e tij.

Ali Beu e morri vesh dhe mbledh asqerë
deri në dymijë veta të zgjedhur derë më derë
Luftën e fillojnë dhe Ali Beu fiton
Kurt Pasha bëhet keq sa këtë haber dëgjon
luftën e humbet dhe lë të qetë Alinë
dhe nuk e kërkon më kokën e tij
Për Ali Beun kjo ishte betejë e parë
ish i shkëlqyer, i fortë dhe vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçar.

Marrë nga Shqiptarja.com

Detajet e librit
Te tjere

Referencat specifike

isbn
9789928420619
ean13
9789928420619
Bashkëngjitje
Shkarkime
KATËR HAPA PER TE POROSITUR

Udhëzues i shkurtër mbi procesin e porositjes së librave nëpërmjet faqes tonë.

Shkarkime (292.13KB)
Ndoshta mund të pëlqejë edhe

Referenca: SKU001692

Botuesi: Te tjere

Policia Sekrete e Ali Pashes, Irakli Kocollari

Libri, megjithëse mban titullin "Policia sekrete", në përmbajtje shfaqet më i gjerë sesa tematika që lë të kuptohet titulli i tij. Është në tërësi jeta dhe vepra e Ali Pashës, e parë jo mbi dëshira subjektive, por mbi dokumentat arkivore, që pasqyrojnë në tërësi aktivitetin dhe veprën e këtij personazhi shumë të rëndësish

Çmimi 29,73 CHF
More
Ka mbaruar
16 libra të tjera në këtë kategori:

Botuesi: IDK

Shqipëria e Epërme, Edith Durham

Një rrëfim magjepsës, tronditës, pse jo dhe dramatik, që sjellë të gjallë një botë sa epike e heroike aq edhe të prapambetur, primitive e të pamëshirshme, ku asgjë s'është ashtu siç duket dhe ç'është kryesorja, shpesh mjaft të ndryshme nga shëmbëllimet romantike që kemi për historinë.

Çmimi 10,90 CHF
More
Ka mbaruar

Botuesi: Plejad

Skënderbeu dhe Papati 1442 - 1467, At Giuseppe (Zef) Valentini

Gjergj Kastrioti, kur në mesin e shekullit XV papritur u shfaq në historinë e Evropës si protagonist në luftën e ashpër kundër turqve, për të gjithë ishte një personazhi ri. Ishte i ri edhe emri "Skënderbej"! Më parë nuk ishte veçse një peng në duart e sulltanit, dhe ishte i njohur vetëm për ata që njihnin fatin e keq të derës së tij princërore, e rënë...

Çmimi 9,91 CHF
More
Në gjendje

Botuesi: Botimet Dudaj

Influenca e Perandorisë Austro – Hungareze në ndërtimin e kombit shqiptar, Teodora Toleva

Gjatë shekullit XIX për të krijuar shtetet e veta, kombet etnike luftojnë kundër perandorive, ndërsa gjatë shek. XX shtetet krijojnë kombet politike. Debati rreth çështjes se cili komb është etnik (natyral) apo politik (artificial) nuk pushon, sepse lidhet dhe me një çështje tjetër: sa historik dhe “shtetbërës” është një komb?

Çmimi 14,86 CHF
More
Në gjendje

Botuesi: Plejad

Xhamitë e Shqipërisë, historia, arkitektura, shek XV – XIX, Aleksandër Meksi

Ndërtimet e kultit mysliman me shumëllojshmërinë e tyre, zënë vend të rëndësishëm në tërësinë e arkitekturës së Mesjetës së Vonë (shek. XV-XIX). Ato ngrihen në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarët gjatë këtyre shekujve, si dëshmi të qarta të një periudhe të historisë së popullit shqiptar dhe të ndërtimeve në veçanti.

Çmimi 34,68 CHF
More
Ka mbaruar

Referenca: SKU001378

Botuesi: Migjeni

Udhëtime në Shqipërinë e Vezirëve, Uilliam Martin Lik

Kapiteni Uilliam Martin Lik u dërgua me mision në Pashallëkun e Janinës në dhjetor të vitit 1804, për të mbështetur Ali Pashën në rast të një zbarkimi francez në bregdetin e zotërimeve të tij. Atje qëndroi me ndërprerje deri në mars të vitit 1810, duke vëzhguar situatën, ndikuar mbi Ali Pashën dhe mbledhur të dhëna mbi vendin.

Çmimi 11,89 CHF
More
Ka mbaruar

Referenca: SKU001440

Botuesi: UET Press

Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare, Ferit Duka

Ky punim shkencor me vlera të shumta dhe të gjithanshme është një arritje e rëndësishme e autorit dhe e osmanistikës shqiptare. Ai rrok tema dhe probleme të larmishme të shekujve osmanë në viset shqiptare, që kanë të bëjnë me një nga periudhat më interesante të historisë së Shqipërisë.

Çmimi 14,86 CHF
More
Në gjendje

Botuesi: UET Press

Sandwich, Mustafa Nano

Autori ka zgjedhur të shpërfaqë përpara lexuesit faktet dhe ngjarjet më të rëndësishme e më gjurmëlënëse të historisë, gjuhës e kulturës shqiptare, duke ballafaquar dëshmitë dhe interpretimet e ndryshme e shpeshherë, nëpërmjet analizave të imëta, duke artikuluar një qëndrim e vlerësim të vetin mbi to.

Çmimi 8,92 CHF
More
Në gjendje

Referenca: SKU001454

Botuesi: AIIS - Tirana Times

Skënderbeu, Sabri Godo

Një roman historik i shkruar nga autori i mirënjohur Sabri Godo. Një roman ndryshe nga të tjerët, që tregon historinë e heroit tonë kombëtar. Një roman që përshkruan trimëritë e luftës 25-vjeçare kundër turqve, por edhe ndjenjat e tij, çfarë ai mendon, mënyrën e të dialoguarit me të afërmit, me ushtarët, me trimat shqiptar.

Çmimi 14,86 CHF
More
Në gjendje

Botuesi: Onufri

Korrespondencë dhe dorëshkrime të Ali Pashë Tepelenës, Irakli Kocollari, vol. 1

E kam pasur përherë të vështirë të besoj se civilizimet kanë pasur një ditë të caktuar, unike lindjeje, në këtë apo atë shekull, në këtë apo atë vit. Përkundrazi, kam gjykuar se qytetërimet lindën pikërisht atëherë kur njeriu u ndërgjegjësua se, më shumë sesa ajo që gjente të gatshme në natyrë, të krijonte dhe mbi të gjitha të ruante atë që të tjerët...

Çmimi 19,82 CHF
More
Ka mbaruar

Referenca: SKU000391

Botuesi: Botimet Dudaj

Historia diplomatike e ceshtjes Shqiptare, Arben Puto

Arben Puto është një prej historianëve më të njohur shqiptarë. Në vitet e punës së vet në fushën e studimeve, ai ka shkruar disa libra, ndër të cilët përmendim "Çështja Shqiptare në aktet ndërkombëtare pas Luftës së I Botërore", "E Drejta Ndërkombëtare Publike Libër Universitar", "Historia diplomatike e çështjes shqiptare 1878-1926".

Çmimi 9,91 CHF
More
Ka mbaruar

Referenca: SKU000847

Botuesi: Te tjere

Skënderbeu, Oliver Jens Schmitt

Jeta e Skënderbeut nuk ishte nje marshim triumfal, por një luftë e vazhdueshme për mbijetesë, e mbushur me disfata, situata në dukje pa rrugëdalje, por shpesh edhe me kthesa të papritura të fatit. Pa vullnetin e prijësit, pasuesit e rraskapitur do t'u ishin nënshtruar herët osmanëve. 

Çmimi 14,86 CHF
More
Ka mbaruar
Përshtypjet (0)