Titulli: Kujtime 1939 – 1944
Gjinia: Kujtime, autobiografi
Autori: Mustafa Greblleshi
Shtëpia botuese: Çabej
Viti: 2017
Fq. 148
Pesha: 0.267 kg.
ISBN: 978-99956-35-32-0
Koment nga Ismail Kadare
Për t'u kthyer te letërsia e viteve '30: nëpërmjet këtij libri të Mustafa Greblleshit, për lexuesin e sotëm bëhet e qartë se përse kjo periudhë kaq pasionante e letërsisë shqipe ka qenë jo vetëm e padashur për regjimin që shkoi, por mbetet ende sot në gjysmëhije.
Mustafa Greblleshi nuk renditet ndër kolosët e kësaj periudhe: Poradeci, Migjeni, Noli, Pasko. Por ai është një shkrimtar tipik, nga ata që edhe duke qenë vazhdimisht në hije, kujtesa i kërkon dhe më në fund i gjen.
Shkurt, ashtu siç ndodh në disa letërsi europiane, edhe duke mos u renditur tek shkrimtarët më të rëndësishëm, ai pa droje mund të përmendet tek të paharrueshmit, një cilësim që letërsisë si shumëçka tjetër i lejohet.
Regjimi komunist nuk e ka patur lehtë me letërsinë e viteve '30. Ai i provoi gjithë egërsitë dhe dinakëritë e tij për ta nxjerrë jashtë jetës shqiptare, duke nisur nga kërcënimet e rrallëherë marrjet me të mirë, gjer tek torturat mizore si ato kundër Qemal Draçinit (për të përmendur vetëm një shembull), një talent i pazakonshëm, që preu damarët në 10 tetor 1947.
Të tjerë, si Gjergj Bubani, do të mbyteshin barbarisht në kënetat e Maliqit, tharja e të cilave himnizohej kudo si një nga mrekullitë e socializmit në Shqipëri, e që në të vërtetë ishin pjesë e hartës së terrorit.
E kështu vinin drama të tjera, si ajo e Musine Kokalarit, që nuk e kishte shoqen si dëshmi për mizorinë e një tiranie që nuk ngopej me kundërshtarët e vet, qoftë kur ato ishin zonjusha të brishta me mendje të ndritur e bukuri të rrallë si ajo.