Titulli: Të gjithë të lirë
Origjinali: Liberi tutti
Gjinia: Histori
Autori: Pietro Grasso
Shqipëroi: Eni Vasili
Shtëpia botuese: Ombra GVG
Viti: 2015
Fq. 244
Pesha: 0.273 kg.
ISBN: 978-999-06-122-5
Fragment nga libri
Buscetta, njëri nga më të fuqishmit anëtarë të Kupolës mafioze, në vitin 1984, pranoi të bashkëpunonte me Giovanni Falcone – n, pasi kishte parë të gjithë të afërmit t'i shfaroseshin nga "familjet private". Ky duke ofruar më në fund mundësinë e njohjes së funksionimit të organizatës, na rikujtoi mësimet e mjeshtrave që e kishin "iniciuar" në sekretet e Cosa Nostra – s...
Pra, Cosa Nostra na ishte krijuar sepse mungonte drejtësia publike, për të mbrojtur një tokë të dërrmuar në qindra mënyra: "Pse ne siçilianët jemi ndjerë të lënë pas dore, të braktisur nga qeveritë e huaja dhe gjithashtu nga ajo e Romës. Ja pse Cosa Nostra ka bërë ligjin në vend të shtetit në këtë ishull. E ka bërë në periudha të ndryshme historike, edhe kur nuk quhej Cosa Nostra. Unë e di se dikur ajo u quajt "I Carbonari", pastaj u quajt Beati Paoli dhe vetëm në një moment të tretë u bë Cosa Nostra".
Leonardo Messina është një burrë nderi nga San Cataldo... një i penduar me prirje për të ndërtuar skenare të mëdha dhe për të tregojnë histori që të lënë të mahnitur; i cili duke kundërshtuar versionin sipas të cilit nuk ka pasur ndonjëherë rregulla të shkruara për bashkëpunëtorët e Cosa Nostra – s, përmendi një koleksion të quajtur Bibla, e cila i ishte dorëzuar nga Di Cristina, para se të vdiste, një tjetër burri nderi, që më pas u largua nga organizata.
Ashtu si e kishin përshkruar pas vite kërkimesh, "Bibla" nuk u gjet; diçka e ngjashme, edhe pse fotokopje, u gjet në vendin ku fshiheshin të kërkuarit Salvatore e Sandro Lo Piccolo, që u kapën në afërsi të Palermos në vitin 2007.
Bëhet fjalë për tashmë të njohurën formulën e betimit dhe një lloj dekalogu, rregullat e të cilit janë shumë të ngjashme me ato të rrëfyera nga Antonio Calderone. Me sa duket forma rituale e inicimit nuk është humbur: ajo konsiston në tashmë të njohurin shpim, me një gjilpërë apo gjemb të pemës së portokallit të hidhur, të gishtit tregues, atë që tërheq këmbëzën e armës, dhe në të rrjedhurit e gjakut mbi një imazh të shenjtë, Shën Mëria e Annunziata – s ose shenjti mbrojtës.
Më pas portreti digjet në duart e të anëtarësuarit ndërkohë që ky shqipton betimin solemn: "Betohem se do t'i jem besnik Cosa Nostra – s. Nëse do ta tradhtoj, mishi im duhet të digjet si digjet kjo shëmbëlltyrë". Ndjek leximi i të ashtuquajturve urdhërime. Në dokumentin e gjetur janë shprehur besnikërisht kështu, në një italishte të pasaktë:
1. Nuk mund t'i prezantohesh vetëm një miku tjetër (të lexohet burrë nderi) në qoftë se nuk e bën këtë një i tretë;
2. Nuk duhen soditur gratë e miqve tanë;
3. Nuk duhen bërë krahasime (nuk është fort i qartë kuptimi duke pasur parasysh sa na kujton autori, në tekst shkruhet comparati);
4. Nuk duhet të frekuentohen tavernat apo rrethe të caktuara;
5. Është detyrë të jesh i disponueshëm për Cosa Nostra – n edhe nëse gruaja është duke lindur;
6. Duhen të respektohen kategorikisht takimet;
7. Duhet respektuar gruaja;
8. Kur thirresh për të dëshmuar diçka që di, duhet thënë e vërteta;
9. Nuk mund të përfitosh paratë që janë të të tjerëve apo të familjeve të tjera;
10. Nuk mund të bëjë pjesë në Cosa Nostra kush ka një të afërm të ngushtë në forcat e rendit, kush ka tradhti sentimentale në familje, kush ka sjellje të keqe e nuk vëren vlerat morale.
Koment nga autori
Quhem Pietro Grasso dhe jam Prokuror kombëtar antimafie. Atyre që më pyesin lidhur me veten e me jetën time, gjithmonë e para së gjithash u them se jam nga Palermo, sepse ky qytet, me trashëgiminë e bukurive natyrore dhe artistike, por edhe të dhunës e të gjakut, ka ndikuar në zgjedhjet më të rëndësishme të jetës sime...
Kam lindur në vitin 1945 në Licata, provincë e Agrigento – s, në një familje palermitane, por që tetëmbëdhjetë vjeç më dërguan në kryeqendrën siciliane, ku edhe u rrita. Babai, nëpunës i autoritetit të tatimeve, kishte arritur të merrte transferimin e shumëpritur në qytetin e tij.
Nëna deshi që unë të kisha një formim të krishterë... Më kujtohet se si përpara se të flija e menjëherë porsa zgjohesha, i recitoja lutjen Engjëllit mbrojtës: "Më rri afër e më mbro, ji udhëheqësi im në errësirë e më mbro nga rreziqet".
Një ritual i vogël që më bënte të ndihesha i sigurt dhe më largonte frikën nga errësira. Të gjithë ciklin e shkollimit e kreva në Palermo: shkollën fillore tek Montessori, shkollën e mesme tek Salesianët, liceun dhe universitetin në strukturat shtetërore. Që në ato vite dhuna e mafias ishte para syve të të gjithëve, madje edhe përpara syve të mi djaloshare, i cili kishte filluar të kishte mendjen e mbushur me kaq shumë pyetje që mbeteshin pa përgjigje.