• Banner

Lista e librave të autorit ose përkthyesit Mit'hat Frashëri (Lumo Skëndo)

Publicist, politikan dhe shkrimtar shqiptar. Mit'hat Bej Frashëri i njohur në veçanti me pseudonimin e tij Lumo Skëndo, ishte i biri i politikanit dhe ideologut të Rilindjes Kombëtare Abdyl Bej Frashëri dhe nip i Naim Frashërit e Sami Frashërit.

Ai mendohet se ka lindur në Janinë, sot në Greqinë e veriut dhe e kaloi fëmijërinë në Stamboll, ku familja e tij ishte në zemër të lëvizjes kombëtare. Në moshën 17 vjeçare ai ndihmoi Kristo Luarasin dhe Kosta Jani Trebickën në publikimin e një almanaku kulturor shqiptar të njohur si Kalëndari Kombiar, i cili u shtyp në shtypshkronjën Luarasi në Sofie.

Ai punoi për administratën Osmane në Selanik në vitet 1910 ndërsa më 1908 filloi të publikojë një gazetë të përjavshme të quajtur Lirija, e cila vijoi deri më 1910. Ai drejtoi Kongresin e Manastirit më 1908 dhe redaktoi revistën Diturija, e cila u botua fillimisht në Selanik dhe pastaj në Bukuresht e në fund, në Tiranë. Mit'hat Frashëri mbajti një qëndrim paqëtues kundrejt Turqve të Rinj dhe kundërshtoi nacionalizmin ekstrem. Por ai iu bashkua nacionalizmit shqiptar gjatë Luftërave Ballkanike dhe në nëntor 1912 u bë ministri i parë i punëve publike i qeverisë shqiptare si dhe konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Beograd e drejtor i përgjithshëm i postave.

Në fillim të Luftës së Parë Ballkanike, ai u internua në Rumani por u lirua shpejt dhe u rikthye te publikimet. Ai drejtoi delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris ku qëndroi deri më 1922. Në Paris ai vijoi aktivitetin gazetaresk duke promovuar çështjen shqiptare në median franceze.

Ai u tërhoq nga politika aktive pas fillimit të diktaturës së Zogut më 1925. Ai hapi një librari në Tiranë po atë vit dhe vijoi të kultivojë bibliotekën e tij private e cila përmbante rreth 20 mijë libra, koleksioni më i madh i librit në vend në atë kohë. Më 1938, Frashëri ofroi dhurimin e kësaj liblioteke për një ide për krijimin e institutit të studimeve albanologjike, por ky institut nuk u krijua. Në fund të vitit 1942, në moshën 62 vjeçare, ai rihyri në politikë për të luftuar pushtimin fashist të vendit dhe mori postin e drejtuesit të organizatës republikane Balli Kombëtar. Në vjeshtën e vitit 1944, kur fitorja e komunistëve dukej pranë, ai iku në Italinë e jugut. Biblioteka e tij në Tiranë u konfiskua dhe më pas u bë baza për hapjen e Bibliotekës Kombëtare.

Në vitet e para të Luftës së Ftohtë, Mit'hat Bej Frashëri u gjend në SHBA ku punoi për organizimin e një koalicioni antikomunist. Në gusht 1949 ai u zgjodh drejtues i Komitetit për Shqipërinë e Lirë. Ai vdiq në Nju Jork, ku edhe u varros. Frashëri ishte autor i një numri të konsiderueshëm librash shkollorë, përkthimesh, artikujsh gazetaresk, traktatesh politike, tregimesh dhe reflektimesh.

Ai u rivarros në Tiranë më 14 nëntor 2018 në Parkun e Tiranës ku gjenden edhe varret e Vëllezërve Frashëri.

Filtrat aktiv