Si degë e dijes, gjuhësia ngjall interes dhe kuriozitet të madh te njerëzit, sidomos tek të gjithë ata që duan të shkruajnë "me drejtshkrim", ata që duan ta mbajnë shqipen të pastër "nga fjalët e huaja", dhe ata të tjerët, më në fund, që kërkojnë tek etimologjia një mbështetje për besimin e tyre të patundur se jona është nga "gjuhët më të vjetra të botës".
E lamë shkollën atë ditë, dhe u kuturisëm me tren në Shkozet. Lajmi kish qenë i saktë: e gjithë vija e plazhit, nga porti deri poshtë tek Iliria, ishte e mbushur me kartonët që kishte nxjerrë deti: cigare Winston, Camel, Kent, More, Chesterfield (pa filtër), Muratti Ambassador dhe të tjera që nuk më kujtohen.
Çfarë po ndodh kështu me ju, z. Shyti? – i tha këtij gazetarja televizive, Mirza, nga tryeza përbri. Sapo dëgjova që po del në treg libri i dytë me ndërhyrjet, batutat, shfrimet dhe parantezat tuaja, ndërkohë që romanit tuaj të vetëm, "Gjakimit", nuk i gjendet më as nami as nishani.
Që ky libër merr përsipër të riprodhojë monologë dhe situata të këtij personazhi që mban emrin tim, frekuenton të njëjtat mjedise si unë dhe miqtë e mi dhe që, në thelb, pretendon të jetë i njëjti me mua, kjo më lë mua, personin real, indiferent.
Kioska e gazetave te cepi të ftonte të blije një gazetë, por ajo nuk e kish blerë gazetën kurrë: gazetat nuk e linin të mendonte dhe t'u jepte dum gjërave që i rrokulliseshin në kokë.
Deri më tash, analizat me natyrë semantike të Ardian Vehbiut kanë shqyrtuar kryesisht stadet aktuale të repertorit gjuhësor, duke nxjerrë shpesh në pah simptomat e lëngatës nga të cilat vuan përdorimi gjuhor sot, sikundër mangësia fjalore, pasaktësia kuptimore apo huazimet e panevojshme.